Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Isa Boletini

Filed under: Figurat e shtetit |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës më 16 janar 1864. Fati e solli që po në atë muaj të vitit 1916, tashmë në moshën 52-vjeçare të vritet në pabesi së bashku me njerëzit më të afërt të tij, dy djemtë, dy nipat e tre bashkëluftëtarët që nuk i’u ndanë deri në rrahjet e fundit të zemrës. Në këtë hark kohor të moshës së tij të prerë, 35 vjet Isa Boletini i vuri në shërbim të atdheut e të kombit i lidhur me një nga drejtimet më themelore të lëvizjes kombëtare shqiptare, me luftën e armatosur për çlirim dhe bashkim kombëtar.Në fillim si luftëtar e më vonë si prijës, Isa Boletini u rrit së bashku me lëvizjen e armatosur kundërosmane të fundit të shekullit XIX e fillimit të shekullit XX. Në këtë proces ai mësoi dhe fitoi mjaft cilësi të vyera, të cilat do t’i vlejnë në përpjekjet për organizimin e udhëheqjen ushtarake të kësaj lëvizjeje. Tiparet e një udhëheqësi ushtarak ai i shfaqi që në kontaktet e para me taborret osmane i rrethuar prej tyre në kullën e Boletinit në fundit e shekullit XIX. Këto tipare do të formoheshin e zhvilloheshin plotësisht dhe do të shfaqeshin me tërëë madhështinë e tyre gjartë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912, e veçanërisht në betejat e zhvilluara në Grykën e Carralevës në maj 1910 dhe në betejat e maj-korrikut të kryengritjes së vitit 1912. Për shkallën e lartë të organizimit dhe mënyrën e drejtimit të kryengritësve, oficerët turq e vlerësuan Isa Boletinin dhe krerët e tjerë kryengritës si njerëz të shkolluar e specialistë të zotë, të cilët sipas tyre, nuk mund të ishin shqiptarë. Ndërsa, shtypi i kohës e vlerësoi Isanë si gjeneral të ushtrisë shqiptare.
Bashkimin e popullit shqiptar në luftën kundërosmane, ai e shihte si faktorin kryesor të brendshëm për arritjen e fitores. “Kur të bashkohen të gjithë shqiptarët, do të theksonte Isai, e të lidhin ndër vedi një besë shqiptare, do të jemë të zotë të përzomë urdinë e turkut jo me armë, por edhe me hunjtë e gardhit”. Kjo u arrit në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912. Në kuadrin e përgatitjeve të kryengritjes brenda vendit, hyjnë edhe përpjekjet e Isa Boletinit e të krerëve të tjerë për të siguruar një mbështetje e bashkëpunim me vendet fqinje. Në kushtet e refuzimit të një bashkëpunimi të tillë nga Mali i Zi dhe Bullgaria, Isa Boletini i nxitur nga nevojat e kryengritësve për armë e municion, u mundua të shfrytëzojë prirjet e Serbisë për të bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë.
Isa Boletini punoi intensivisht për organizimin e kryengritjes. Ai mori pjesë në Kuvendin e Junikut përkrah grupit autonomist dhe miratoi programin politik me kërkesën themelore për autonominë e Shqipërisë. Për realizimin e këtij programi, ai në bashkëpunim me Hasan Prishtinën e krerë të tjerë, drejtuan forcat kryengritëse për çlirimin e qyteteve kryesore të Kosovës. Sukseset e njëpasnjëshme të kryengritjes e detyruan Portën e Lartë të ulej në bisedime me shqiptarët. Më pas, fillimi i Luftës Ballkanike në tetor 1912 e gjeti Isa Boletinin përkrah bashkëluftëtarëve të tij në hapësirën e midis Ibrit dhe Llapit. Pas rënies së Podujevës në duart e serbëve, Isai u tërhoq në drejtim të Shalës për t’u prerë hovin ushtrive serbe që vinin në drejtim të Mitrovicës. Rrethimi i Mitrovicës nga forcat serbe e detyroi Isa Boletinin të tërhiqej në drejtim të Prizrenit e prej andej në krahinat ende të papushtuara për të vijuar më tej luftën për mbrojtjen e vendit. Në Sllovë të Dibrës, Isai mësoi për aktin e madh politik kombëtar që po përgatitej në Vlorë. Vetëm aty ai pa shpëtimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria e Aleancës Ballkanike.I zgjedhur si delegat i Kosovës, në krye të 100 luftëtarëve kosovarë ai u nis për në Vlorë. Në sheshin e flamurit për herë të parë ai u takua me Ismail Qemalin. Shtrëngimin e dorës së tij Isa Boletini e shoqëroi me urimin “Të lumtë dora Ismail Qemali” dhe mori prej plakut të urtë të Vlorës vlerësimin më të lartë për kontributin që ai kishte dhënë për shpalljen e pavarësisë “Ti më dhe krahun e fuqishëëm Isa Boletini”.Vëmendjen e Isa Boletinit, ashtu si edhe të atdhetarëve të tjerë, e tërhiqte çështja e kufijve të shtetit shqiptar. Isai u zgjodh në përbërjen e delegacionit të qeverisë së Vlorës që u nis në Londër si përfaqësues i Kosovës, fati i të cilës do të përcaktohej në Konferencën e Ambasadorëve. Vendimet e padrejta që mori Konferenca e Londrës duke lënë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e kombit shqiptar, përforcoi bindjen tek Isai se një padrejtësi të tillë do ta zgjidhte vetë populli shqiptar. Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isa Boletinin në Malësinë e Gjakovës. Përqëndrimi i forcave ushtarake serbe e malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brenda vendit e detyroi Isanë të linte Krasniqen e të zbriste në Shkodër, tashmë në gjendje të rëndë shëndetësore e në kushte tejet të vështira ekonomike, pasi gjithë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të luftës për liri e pavarësi.
Në qershor 1915 forcat malazeze rrethuan Shkodrën. Për të mos rënë në dorë të tyre, Isai kërkoi strehim në Konsullatën Franceze në Shkodër dhe i kërkoi nënkonsullit që ta ndihmonte për t’u larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynte pranë qeverisë së Malit të Zi dhe Serbisë që të lejonin kthimin e tij pranë familjes në Mitrovicë. Në qoftë se nuk do t’i realizoheshin kërkesat, Isai kishte vendosur që me çdo sakrificë të çante natën rrethimin e forcave malazeze e të largohej nga Shkodra. Por, qeveria franceze vendosi t’ia dorëzojë Isa Boletinin Malit të Zi, duke u bërë kështu drejtpërdrejtë pjesëmarrëse në krimin e shëmtuar që serbo-malazezët kryen ndaj Isait te Ura e Podgoricës.
Si u vra Isa Boletini

Mbreti i Malit të Zi Nikolla shumë herë para diplomatëve të akredituar në Cetinë shprehej se “Mali i Zi pa Shkodër nuk mynd të jetojë!” Ai në fillim të Luftës së Parë Botërore kishte pushtuar Shqipërinë e Veriut (Malësinë e Shkodrës). Në mbarim të qershorit të vitit 1916 ushtria e tij hyri në Shkodër, tash dhe herën e parë me 1913. Konsulli françez me anën e Prenkë Bibë Dodës e ftoi Isën dhe i thotë: “Të fton ambasadori francez në Cetinë, sipas urdhërit të ministrisë së Punëvë të Jashtme dhe na porositi t`ju përcjellim me anije lufte në çdo vend neutral që Ju dëshironi”. Ushtria malazeze e komanduar nga gjenerali shqiptarëve Radomir Veshoviq, i cili bënte krime ndaj patriotëve shqiptarë. Një numër i madh patriotësh i interrnoi si: Mehmet Pashë Drallën, Hil Mosin, Aqif Pashën, Luigj Gurakuqin e shumë të tjerë në Podgoricë e vende tjera të Malit të Zi. Me kujtimet e veta i nipi i Isa Boletinit, sipas autorit
S. Luarasi, Tafil Boletini në mes tjerash thotë: “Na tue qenë në Konsullatën franceze shihnim konsullin e Malit të Zi, A. Martinoviqin, të takohej me konsullin francez…”. Konsulli francez, mbas një jave, thotë Tafili, i thotë axhës: “Tashti si Shkodra si Cetina njësoj asht. Ju duhet me shkue në Cetinë. Ambasadori ynë atje ka me me i rregullue për ndonjë shtet neutral”.
Isa Boletini edhe pse e njihte mirë politikën e Malit të Zi, për fat të keq u tradhtua nga konsulli francez Bikok dhe pranoi të shkoj në Cetinë. Atje e pat ftuar gjenerali Filips, në atë kohë atashe ushtarak i Anglisë në Cetinë, kurse më vonë ish komandant i ushtrive ndërkombëtare në Shkodër. Ai i tha: “Të vijë mysafir në Ambasadën e tyre, dhe ta nxjerrë nga Mali i Zi me aeroplan jashtë Malit të Zi”. Isa Boletini iu përgjegj se kishte qenë në konsullatën e tyre në Shkodër, por e kishte gjetur të mbyllur. Ai i tregoi, për fat të keq se e kanë ftuar francezët më parë, dhe për këtë arsye nuk mund të shkelte bukën e bujarit! Por, ky i fundit nuk ishte bujar, por tradhëtar. Ai ia dorëzoi Isa Boletinin me shokë Qeverisë së Malit të Zi e cila menjëherë e internoi. Mali i Zi pak gjëra bënte pa dijeninë e Rusisë e me siguri edhe këtu do të jenë gishtat e saj, si hakmarrje për ngjarjet e vitit 1903 në Mitrovicë, ku u vra Konsulli rus i cili ishte vu në krye të ushtrisë osmane në luftë kundër shqiptarëve kryengritës! Po ashtu Isa Boletini nuk ishte pajtuar me shumë dëshira të Cetinës dhe Beogradit. Isa me shokë përsëri u dërgua në Nikshiq ku ishte strehuar herën e parë me 1911, por tani me qëllime tjera të errëta. Një natë sa ishin në Nikshiq, filloi një shamatë në mes të ushtrisë në njërën anë dhe xhandarmërisë në anën tjetër. Çështja e konfliktit ishin kosovarët. Aty u ndanë dysh, kush është kundra dhe kush pro. Rolin kryesor e luajti pronari i shtëpisë së banimit, z.V. Zllatari, i cili kishte përkrahje nga opozita e mbretit Nikolla ose simpati ndaj Boletinit dhe trimërisë së tij, ose për interesat e veta. Por, më në fund e mbrojti Isa Boletinin me shokë nga ekzekutimi i ushtrisë. Të nesërmen ushtria mori me vete kosovarët dhe mbërrini në Danillovgrad. Pas pak ditësh, sipas kujtimeve të Tafil Boletinit erdhëm në Podgoricë. Këtu u vendosëm në shtëpinë e Lumo-viqit. Kapterri që ishim në kompetencën e tij thoshte se aty nuk ka vetëm një vend fjetjeje, edhepse ishin dy tri dhoma! Këta kanë protestuar që të jenë të gjithë së bashku për arsye se ishte Isa i sëmurë. Në fund këtu bashkë me Isën ishin strehuar edhe Tafili dhe Abdulla Maxhuni. Natën e dytë organet ekzekutuese donin ta vritnin Isën me shokë, por këtij krimi iu kundërvua kapterri i cili e ktheu mbrapa kapitenin e grupit të ekzekutimit. Isën e kishte lajmëruar Abaz Selaci se çka e pret. Tafili në kujtimet e cituara thotë: M`u dhimbke axha kur thoshte: “Ah, mos t`u kisha ju me vete sa me qef do t`u linja shpirtin në dorë. Unë i kam edhe gjashtë djem të tjerë e s`kam gajle, po më dhimbeni ju tre nipat që nuk leni mashkull në shtëpi dhe ajo nanë e shkretë që jet pa djem !” I thashë aty për aty: “Axhë, për këtë punë aspak mos u mërzit. Në qoftë se thanë që ne të tre vllaznit të vdesim përnjëherë, ani pra le të bahet ! Kudo të ishim larg njani-tjetrit, vdekja do të na gjente, pra ma mirë me vdekë gjithë bashkë, këtu ndaj teje me nerë”. Kështu ishte zhvilluar dialogu në mes të nipit dhe axhës, heronjve të Kosovës, që është edhe shembulli më i madh i rinisë kosovare për gjakun që po derdhë edhe sot për liri. Në atë kohë në Podgoricë propaganda e ndytë e qarqeve qeveritare kishte hap parullën: “Kaçakët duan ta djegin Podgoricën…!”, Prandaj pronari Lumoviq i kishte thënë Isasë: “Fati iu pruni në konakun tim për me shpëtue shtëpinë dhe pasurinë që duen me plaçkitë e me djeg Podgoricën!” Herë pas here i ftonin të paraqiten në zyra ushtarake. Çdo herë zyrtarët na thonin të vinim mbas dreke. Ditën e tretë, me 23 janar 1916, të dielën përsëri na ftuan në Ministri të Luftës, rrëfen Tafili, te gjenerali Veshoviq, i cili gjithashtu përsëriti fjalët: “Të vini mbas dreke”. Ushtria austriake kishte hyrë në qytet. Detyra e mbajtjes së qetësisë i ishte besuar kriminelit të njohur Savo Llazareviqit me dy batalionë xhandarë. Sipas fjalëve të Tafilit, rreth 80 xhandarë kishin rrethuar në të dy anët urën mbi lumin Ribnicë, karshi Prefekturës, afër kishës katolike.
Qyteti ishte i mbyllur, pushtet më s`ka. Dy vëllezërit e mi, Jonuzi dhe Haliti me Hajdar Radishevën, po ktheheshin për në shtëpi te axha, thotë dëshmitari i tragjedisë Tafili. Patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, i ndali me urdhër të oficerit. Xhandarët gati me pushkë për të shti pyetën: “Kush është Isa Boletini? Mos shtini se nuk është me këta”. Kur dëgjoi Jonuzi shpjegimet që iu dha oficeri xhandarëve, kishte vrapuar të kalonte urën për ta lajmëruar Isën se çka kishin përgatitur për të. Po pasi e kishin nxanë urën këta të tre i futën në një shtëpi me roje.
Tue qenë se ura u mbyll, ata nuk u dukën deri sa hypën në urë. Me t`u dukun, u dha shenjë: “Qe Isa Boletini!” Dhe mbrapa tij e nxunë edhe hyrjen, rrëfen Tafili: Axha me Jonuzin e shokët u rrethuan në të gjitha anët. Oficeri komandues me zë të lartë i thirri: “Dorëzoni armët!” Dhe axha: “Jo besa s`ja kam dorëzuar as kralit as mbretit”. Dhe nxorri shpejt naganten. Për rrëfimin autentik përsëri po japim fjalët e Tafilit: “E para shtënë qe e Niko Buriqit. Në flakë të kësaj përpjekje shtinte axha dhe shokët e tij përreth me nga dy revole në dorë sa i zbrazën të gjithë fishekët. Djali i axhës Halili që erdhi në atë çast tok me Idrizin u vra me një bombë që ia pat marrë Niko-xhandari. Këtu u vra Isa Boletini vetë i teti: të bijt dhe Zahidi, dy nipat-Jonuzi dhe Halili, pastaj Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isasë, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Blini dhe Myslim Niman Bala nga Isniqi. Si do të shohim në vijim, burimet e kohës thonë se edhe pala sulmuese pati tetë të vrarë dhe disa të plagosur, por numri i tyre nuk është gjetur në dokumenta të cilat i shfrytëzova për jetëshkrim të Boletinit me shokë, që është vetëm një shënim i shkurtër, sepse për të është shkruar shumë dhe në të ardhmen do të shkruhet edhe më shumë.
Një kronikë malazeze e asaj kohe në mes tjerash thotë:
“Fillimi i Luftë së Parë Botërore dhe okupimi i Malit të Zi nga Austria e gjeti Isën në Podgoricë. Ka banuar në anë të majtë të lumit Ribnicë, në qytetin e vjetër-sot bulevardi B. Jovanoviq, në shtëpi të Lumoviqit. Ministri i ushtrisë malazeze Radomir Veshoviq ka mbetur në Podgoricë në zyrën e Drejtorisë së Qarkut deri sa të nënshkruaj kapitullimin e ushtrisë. Ai ka menduar që të organizojë luftën guerile, dhe për këtë qëllim ka menduar që Isa mund ta ndihmojë, por vetëm në qoftë se do ta vejë nën komandën e vet. Për këtë arsye ai kishte urdhëruar që të ftohet Boletini me gardën e tij për t`i çarmatosur. Kronisti më vonë shkruan se për këtë çështje erdhi më vonë deri në mosmarrëveshje. Në qoftë se ka ndodhur kështu pse ata do ta vrisnin që më përpara gjatë internimit në Nikshiq dhe Danilovgrad? Pobjeda e përditshme nga Titogradi, më 26. maj1980 e botoi kronikën e atëhershme ku thuhet se ngjarja ishte më 19 janar. Kurse Tafil Boletini sipas Luarasit dëshmon se ka qenë me 23 janar, si u shënua nga historianët shqiptar. Kronika e vjetër thotë se Boletini kishte dërguar katër veta si pararojë. Ata kur e panë se kanë ra në rrethim hynë në zyrën e parë në tokë dhe u mbyllën. Kanë shti në njerëz në rrugë! Nga ana tjetër erdhi Ilija Spasojev Popoviq dhe hodhi një bombë dhe ata u vranë?! Banesën e Isës nga Drejtoria e Qarkut e ndante lumi Ribnicë. Ai ka dalë nga banesa dhe ka mësy ta kalojë urën. Pas tij kanë shkuar njerëzit e tij. Njëri nga garda e tij sygjeroi: “Nuk shkoj, po prit!” Gjashtëdhjetë metra nga Drejtoria e pa se është i rrethuar. Ka nxjerrë “mauzerin” nga brezi dhe ka filluar të shtijë në rrugë… Ka vra disa zyrtarë dhe disa “viganë” – ekstrem-nacionalistë?! Të rinjtë që kanë sulmuar nga dogana-godina e vjetër e “Pobjedës” e qëlluan dhe ai ra vdekur. Po ashtu u vranë edhe garda e tij në urë. Kronisti i këtyre ngjarjeve ka harruar se në vend të rinisë ishte xhandarmëria ushtarake e mbretit Nikolla, më i keqi lloj njerëzish në shërbimin shtëtëror. Ata bënin dhunë edhe ndaj popullit të vet, jo vetëm të huajve.
Në skicën për biografinë e vet këtë ditë zie të popullit shqiptar e cek edhe Millovan Gjillas, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos në ish-Jugosllavi, pastaj disidenti numër një nga “Bota komuniste” në Perëndim. Në librin e tij “Land Without Justice”, New York ( Toka pa zakon ) f. 51 etj. shkruan: Sipas kujtimeve të babait të tij Nikolla Gjillas, kapiten i policisë famkeqe të lartëpërmendur “Lufta me vullnetarë të Isasë nuk zgjati shumë edhe pse ai u mbrojt heroikisht. Në sulm u vra udhëheqësi e me të edhe të afërmit e tij. I plagosur rëndë është çuar në gjunjë, edhe pse i pafuqishëm të mbajë pushkën, ka shti me revolver, me dëshirë që sa më shtrenjtë të paguaj jëtën e vet…” Millovan Gjillas, në vijim i përsërit fjalët e atit Nikollë: Kam vrapuar nga ai, por shqiptari trim i pafrenuar e mbështeti revolverin në dorën e majtë të tij, por nuk pati kohë që ta zbrazë. Një ushtar ia shpejtoi dhe ai ra. Përsëri babai ka shpejtuar te Isa. Ai e ka shikuar me sy të përgjakshëm. Ka fol diçka në gjuhën e vet por babai nuk e ka marrë vesh”.
Gjillas shton: “Babai e mori” mauzerin “si kujtimin më të madh!” Ai në tjetër vend flet se Nikolla Gjillas e pagoi këtë kujtim me kokë në vitin 1941 për hakmarrje! Autori i këtij libri me hollësi njofton për veprat kriminele dhe gjenocidin e babait të vet me kolegët e tij xhandarët e mbretit Nikolla ndaj popullit shqiptar dhe atij mysliman.
Në afërsi të kufirit shqiptaro-malazez, në mes të Tuzit dhe Podgoricës, në Cem, në varrezat kolektive myslimane të qytetit pushojnë eshtrat e kryetrimit, personalitetit dhe protagonistit të shquar të Lëvizjes Nacional-çlirimtare. Së pari u varros në jug të qytetit të Podgoricës, më 25 janar 1916, ku morën pjesë të gjithë shqiptarët dhe bashkëluftëtarët e tij. Fjalën e përmotshme e mbajti Nasuf Dizdari nga Shkodra. Vdekja tragjike nuk e shkëputi shpirtin, shpresën dhe mesazhin e tij nga populli ynë. Ai duhet të jetë inspiracioni më i madh i brezave të ardhshëm. Ai shfaqet në skenën e luftës shqiptare me moton: “Më mirë vdekjen se robërinë”! Isa_Boletini_Small