Rrëmbimi i arkivit në 21 korrikun e vitit 1943

Filed under: Koha e Komunizmit |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Mbrëmjen e 21 korrikut 1943 komunistët arritën të merrnin nëpërmjet një aksioni një pjesë të arkivit të Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa i vunë flakën pa sukses një pjesë që nuk e merrnin dot. Kjo ngjarje është ekranizuar nëpërmjet një filmi të kinostudios “Shqipëria e Re”, institucion ky me vlera të mëdha në dhënien e një perceptimi të ngjarjeve në formën më të lartë të trillimit të tyre.
Dokumentacioni i marrë u shfrytëzua personalisht nga Enver Hoxha. Pas lufte iu bashkua Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u emërtuar si plaçkë lufte “Fondi trofe”. Në fund të viteve ’50 u bë ndarja e këtij fondi në dosje sipas emrave të personave që përmendeshin në të. Përveç kësaj u hartua edhe një inventar në formën e regjistrit në të cilin u përfshinë të gjithë personat që ishin paguar nga Zyra Sekrete dhe Zyra Politike në vitet 1922-1943.
Duke qenë se vlerësimi u bë nga nevoja operative, fondi u përpunua keq nga pikëpamja arkivore. Dokumentet humbjen lidhjen e praktikave përkatëse, u veçuan dhe u trajtuan si dosje të veçanta emërore kur nuk kishin qenë kurrë të tilla. Ky fond, përbëhej nga këto lloj dokumentesh:
-Informacione për ngjarje
-Raporte informative
-Pagesa të bashkëpunëtorëve
-Pagesa të bëra nga legata italiane dhe më pas nga Mëkëmbësia
Është e çuditshme si kanë përfunduar dokumentet e legatës dhe Mëkëmbësisë te ky fond, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë bashkimi të mëvonshëm të tyre.
Me dokumentet që përbënin fondin “trofe”, u punua për shumë vite nga organet e punëve të brendshme. U panë kryesisht pagesat që ishin bërë nga fondi sekret. Në këto lista figuronte edhe emri i Qemal Stafës (për arsye shëndetësore në tetor 1938) për një pagesë të marrë nga legata italiane në vitin 1938. Jo domosdoshmërish personat e paguar ishin informatorë, sepse janë vërtetuar plot raste (në rreth 30%) që nuk kanë qenë të tillë dhe se fondi është përdorur për arsye shkollimi, kurimi, jetese, etj. Në mjaft dokumente operative ndaj personave të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit, u vendosën dokumente të fondit në fjalë, duke sjellë degradimin e dytë pas vjedhjes së vitit 1943.
Në fillim të viteve ’60 dokumentacioni në fjalë që i takonte viteve 1922-1943 u kalua për verifikim në formën e listave pranë degëve të punëve të brendshme. Personat që rezultonin gjallë (një pakicë gjithsesi) patën probleme me regjimin. Ishte fat që shumica e tyre ishte në moshë madhore.
Kam pasur mundësinë ta shfletoj të gjithë dokumentacionin në fjalë, si dhe të përmbyll procedurat ligjore me këtë fond në zbatim të ligjit të arkivave.

Bashkëlidhur fotografia e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 1943 (sot Ministria e Bujqësisë), si dhe dy faksimile të vitit 1967, në të cilën kërkohej verifikimi i një grupi personash të cilët në vitin 1938 ishin financuar nga legata italiane në Tiranë.