Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Revolta e Kavajës në Korrik 1990 Ramiz Alia: Ushtria gati për çdo gjë

Filed under: Koha e Komunizmit |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

167944TIRANE- E hëna e 2 korrikut 1990, shënohet si hapi i parë që ndërmorën shqiptarët për të thyer izolimin komunist, duke mësyrë dyert e ambasadave të huaja në Tiranë.Kronikat e kohës dëshmojnë se e hëna e 2 korrikut ishte ditë e qetë dhe e nxehtë. Ndeshjet e kupës së botës në futboll ishin në prag të gjysmëfinales, e cila do të mbahej me 4 korrik. Një lajm kishte nisur të shkaktonte shqetësim në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Rreth 18 vetë kishin gjetur strehim në ambasadat greke, italiane e turke.Ndërsa në ambasadën gjermane, ku ishin strehuar 50 të tjerë, në mbrëmjen e po asaj dite, një grup të rinjsh kishin mësyrë me një kamion, duke shembur murin e ambasadës e duke u futur në ambientet brenda saj. Jashtë në rrugë kudo shtoheshin lëvizjet e njerëzve dhe të forcave policore. Gjithçka kishte marrë trajtën e një demonstrate, ku nuk mungonin as thirrjet për rrëzimin e regjimit komunist…Kjo është vetëm pak prej atmosferës së trazirave të 2 korrikut, e pasuar vetëm dy ditë më vonë me një tjetër ngjarje shqetësuese në Kavajë me 4 korrik. Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes gjysmëfinale, mes Gjermanisë dhe Anglisë, ku Gjermania fitoi me penallti me rezultatin 4:3, turma njerëzish dolën rrugëve të Kavajës, sulmuan, thyen dyqanet dhe hodhën parrulla me thirrje për Gjermaninë e bashkuar, Europën e bashkuar, për dhënien fund të regjimit komunist në Shqipëri, për pakënaqësitë e shumta, etj. Lajmi për trazirat në Kavajë u përhap me shpejtësi të nesërmen e 5 korrikut, ndërsa kudo në rrugët e kryeqytetit shiheshin turma të rinjsh që rendnin sërish drejt dyerve të ambasadave…Por çfarë ndodhi saktësisht ato ditë të fillimit të korrikut 1990, plot 25 vjet më parë? Kush i nxiti këto lëvizje? cili ishte numri i saktë i të strehuarve nëpër ambasada? Si janë raportuar ngjarjet në rradhët e punonjësve të Ministrisë së Brendshme, të strukturave të Sigurimit të Shtetit? Si ka ndodhur realisht vrasja e shumëpërfolur në Kavajë? Çfarë informacioni përcillej orë pas ore, në zyrat e Komitetit Qendror? Çfarë qëndrimi mbante ato ditë Ramiz Alia, po anëtarët e tjerë të Byrosë Politike? Një grup dokumentesh, kryesisht, raporte të punonjësve të Ministrisë Brendshme dhe procesverbale të mbledhjeve të byrosë politike, hedhin dritë për detaje mjaft kurioze mbi këto ngjarje që i paraprinë rënies së një prej diktaturave më të egra në botë.
Gazeta shqiptarja.com, i publikon për herë të parë, ekskluzivisht këto dokumente, duke nisur me procesverbalin e mbledhjes së Byrosë politike të datës 14 korrik 1990.
Dokumenti i plotë
Sekret
PROCESVERBAL
MBAJTUR NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE
TË KQ TË PARTISË
Më 14 korrik 1990

Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990, mori në shqyrtim këtë çështje:
1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzione për punën e Partisë”.

Në mbledhje marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin Çeliku, Qirjako Mihali, Pirro Kondi, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja.
Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.

Zhvillimi i mbledhjes

SHOKU RAMIZ ALIA: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4 700 veta. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë.

Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Pas dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre. Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në ambasadën hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në ambasadën turke.

E rëndësishme është se rreth 4 400 veta prej tyre ishin të zënë me punë, pra, jo siç shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 për qind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët. Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter.
Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilat u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës.

Është e çuditshme që organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat!
Jam i bindur se dhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk e dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merreni me vend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si në sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!

Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve po dhe i komunistëve kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet pasur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit, të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.

Në ngjarjen e 2 korrikut ka pasur ndikim dhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativa për të hyrë në ambasada ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e policisë janë detyruar t’i largojnë.

Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur dhe në Kavajë, ku gjendja, mund të themi, edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi dhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e policisë e të sigurimit vajtën me “teorinë krehjes”. Kanë dalë në skenë dhe teori tani!

Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi një turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit. Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar, me t’u kthyer nga varrimi dogji makinën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë irritim nga të dyja palët, çdo gjë mund të ndodhte.

Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionaret, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit, si “Enver-Hitler”, “Muho Asllan – Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”!

Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në kazermë dhe ato, në fakt, nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë, situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqij tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur. Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë.

Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën, 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën e stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhra e komanda, në Kavajë, është krijuar një situatë e papëlqyeshme.

Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin.
Deri tani Komiteti i Partisë i rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto, jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar.

Agron Tafa për mendimin tim duhet hequr si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar dege e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë dhe populli, por populli nuk e donte Agron Tafën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë.

Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë, dhe reaksionit botëror, nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne.

Ne luftojmë për të forcuar pozitat e pushtetit popullor, pozitat e socializmit, për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit. Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të Komitetit Qendror, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit.

Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit. Pa këto masa nuk mund të zhvillohet ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi.

Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat: “për demokraci”, “për liri të individit”, “për pluralizëm politik” etj.

Por nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë pushtetin popullor, të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parullat e tyre “të demokratizojmë jetën”, “të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin. Këtë të mos e harrojmë.

Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi?”. Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën të marrësh para? Këta njerëz, e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Po dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?”. T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri!

“Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush. Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskreditojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për “demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin” kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët.
A nuk mjaftojnë disa shembuj, shokë, që t’i kemi parasysh? A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Po çfarë po ndodh sot? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. Çfarë bën imperializmi në Slloveni apo në Kroaci? Ç’po kërkon të bëjë ai në Serbi? Ai nuk do të dëgjojë më fjalën komunist, nuk do të dëgjojë më fjalën socializëm, por do një pushtet të borgjezisë.

A nuk “meritonte” në linjën e tyre një monument Dubçeku, i cili ishte paraprirës i këtij reformizmi të madh dhe që sovjetikët e rrëzuan nga posti me tanke? Si u soll me të borgjezia? E ka vënë në një qoshe dhe nuk ndihet fare. Borgjezisë nuk i duhen ata që kanë emrin komunist, pale të jesh komunist me fytyrë njeriu, siç e quante veten Dubçeku. Asaj aktualisht i duhet Haveli, Shvarcebergu, reaksionarët e klasit të parë.

A nuk e shikoni ç’po ndodh në Rumani dhe në Bullgari? Iu desh Mlladenovit të kalonte fazën e parë dhe tani nuk i duhet më borgjezisë.
Lexojmë nëpër axhanset fjalën “reformistë”. Borgjezia nuk i ka për zemër as reformistët dhe as konservatorët. Ato janë fjalë boshe me qëllim që të përçajnë e të shkatërrojnë çdo gjë përparimtare. Ajo nuk do askënd që është komprometuar me socializmin. Borgjezia për të realizuar qëllimet e veta po peshkon vagabondë e huliganë. Për qëllimet e veta dhe një prostitutë e bën heroinë, por pas pak ditësh e flak etj. Këto janë manovrat e njohura të borgjezisë.

A nuk i shpjegon Partia jonë këto fenomene që po ngjasin në Lindje? Për konsekuencë a nuk duhet ne të mbledhim të tëra forcat?
Kishte njerëz që thoshin: “Pse duhet bërë mitingu?”, “Mos na ndodh gjë?”. Me një fjalë kishin frikë. Këtë mendim e kishin dhe shumë nga shokët tanë këtu. Ne nuk duhet të trembemi, kur komunistët janë në aksion – armiku futet skutave. Prandaj ne po të jemi në këmbë e në aksion – armiku do të tërhiqet.

Ka dhe komunistë që qëndrojnë pasivë. Disa prej tyre bile arritën të thoshin se “mitingu nuk do të ketë entuziazëm pasi nuk flet shoku Ramiz”. Pse shoku Ramiz do të flasë përherë? Të tërë shokët duhet të flasin. Dhe, ja, mitingu pati entuziazëm të madh e kaloi mjaft mirë dhe pa prezencën e shokut Ramiz. Partia dhe populli na kuptojnë drejt në qoftë se ne i themi gjërat siç janë dhe e prekim popullin aty ku duhet prekur.

Deri dhe Himni i flamurit i preku njerëzit. 120 mijë veta ishin në shesh e mijëra të tjerë që donin të merrnin pjesë, por kaq ishte menduar pjesëmarrja në miting. Pra ne kemi një forcë të madhe. E tërë kjo masë e madhe njerëzish erdhi në miting me një shqetësim, donte të shpërthente, kishte brenda në zemër një mllef, që donte ta nxirrte dhe e nxori, sepse e kuptoi që kishte nën një presion.

E theksova dhe në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror se nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike që na e shkaktojnë këtë gjendje. Sigurisht, këto bëhen burim që njerëzit të ushqejnë pakënaqësinë dhe ne si Parti duhet të luftojmë kundër këtyre burimeve, por nuk janë këto shkaku i kësaj lufte që bëhet sot. Kjo duhet kuptuar mirë. Synimi i armikut është shkatërrimi i pushtetit popullor, shkatërrimi i socializmit.

Këtë ne duhet t’ua shpjegojmë njerëzve jo për t’i trembur, por për të kuptuar që lufta jonë është e ashpër, që kërkon aksion, kërkon vendosmëri. Nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir. Kur them “të mos bëjmë sehir”, nuk e kam fjalë që për politikë po se po, por dhe për zgjidhjen e halleve të popullit. Lufta jonë kërkon punë të madhe e vendosmëri.

Dëgjohen fjalë: “mungon ky artikull ushqimor, apo industrial në dyqan”, “filan kuadër nuk u kujdes…”. Ai që nuk kujdeset për popullin bën punën e armikut. Ta themi shqip! Në qoftë se ne nuk luftojmë që t’i plotësojmë popullit ato nevoja që ka dhe që ne i kemi mundësitë, krijojmë probleme.

Të flas më konkretisht. Jam i mendimit që disa masa duhen marrë për një organizim më të mirë të punëve dhe për një dinamizëm më të madh. Unë mendoj që Marash Hajati të shkarkohet si kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe në vend të tij të caktohet Spiro Dede, i cili sot është shef i sektorit të arsim-kulturës në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Vendi i tij këtu në aparat mbetet bosh, po nuk kemi ç’bëjmë, na duhet të forcojmë punën në gazetë.

Në planin organizativ të brendshëm kam ngarkuar Sofokli Lazrin të merret me shtypin, se Fotua nuk merret me shtypin, nuk e njeh, nuk ka praktikën dhe është pak akademik në këto punë, kurse shtypi nuk do akademizëm, kërkon një punë energjike, minutë për minutë t’i qëndrosh mbi kokë.

Unë bashkë me disa shokë këtu kemi menduar që Marash Hajatin ta çojmë sekretar për problemet e propagandës në Komitetin e Partisë të Elbasanit. E thirra Marashin dhe ia thashë mendimin tonë. Ai m’u përgjigj se “jam gati të shkoj, nuk kam ndonjë gjë, e kuptoj momentin, por kini parasysh që jam 58 vjeç, praktikën e punës konkrete nuk e kam”.

“Arsye familjare, – më tha, – kam, prandaj të shihet nëse ka mundësi për ndonjë variant tjetër, megjithatë si të vendosë Byroja Politike”. Si mendoni, a ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë të rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Prill 2015