Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Disa të vërteta për tri dosjet e Daut Gumenit

Filed under: Dosjet Shqiptare |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

daut-gumeni Po shikoj dhe po lexoj në media shkrime në lidhje me dy dosjet hetimore-gjyqësore dhe atë formulare në ngarkim të z.Daut Gumeni. Nisur nga fakti se po vërej informacione të pasakta që po i jepen publikut, e quaj të nevojshme të sqaroj si vijon:

1-Dy dosjet hetimore-gjyqësore në ngarkim të z.Daut Gumeni dhe personave të tjerë që janë dënuar me të, nuk i takojnë ndonjë “fondi të Sigurimit të Shtetit”, por fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për më tepër këto dy dosje, nuk janë kanë qenë që nuk janë të klasifikuara sekret shtetëror. Është lodhur kot Autoriteti “për hapjen e dosjeve” të shpërndajë lajmin e “deklasifikimit” të tyre. Fondi hetimoro-gjyqësor nuk ka lidhje me Sigurimin, por mesa duket këtë fakt nuk e dinë as ata që shpërndajnë këto lajme dhe as ligji për Autoritetin.
Z.Gumeni mund t’i merrte kur të donte këto dosje, pa problemin më të vogël dhe nuk kishte pse priste vitin 2017, për një të drejtë që e ka pasur gjithnjë. Më vjen keq po ashtu që nuk i rikthejnë në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ku e kanë vendin, por i mbajnë të shkëputura në zyrat e Autoritetit. Në kushte të tilla, këto dosje janë përpara rrezikut të humbjes.

2-Dosja formulare në ngarkim të Daut Gumenit është gjetur prej meje në tetor 2014 në depon e dytë që administrohet prej Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo dosje hyn në rastet e 0.1% të personave që jetojnë dhe që kanë dosje (sepse shumica është asgjësuar). Në bindjen time, Gumeni duhet të ketë pasur edhe një dosje tjetër. Në depon e dytë ruheshin një pjesë e dokumenteve të pasistemuara të sjella në vitin 1993 nga ish degët e punëve të brendshme në rrethe. Ky objekt u sulmua dhe plaçkit nga populli më 13.3.1997. Në pjesën e tunelit u vodh floriri i shtetit, ndërsa në objektin e jashtëm u shkatërruan dosjet administrative dhe formulare. Dokumentacioni i trashëguar në objektin nr.2, u evidentua në vitet 2004-2005, por u sistemua dhe invetarizua në pjesën më të madhe midis viteve 2007-2014.
U punua në kushte gati heroike të mungesës së plotë të kushteve, sepse vendi kishte edhe minj, gjarprinj, lakuriqë nate, pluhur, papastërti të tjera, etj. Ngelën pa u sistemuar (siç janë edhe sot) dy arka që i takonin degëve të punëve të brendshme të Librazhdit dhe Tepelenës. Në këto dy arka, gjeta në tetor 2014 edhe dosjen formulare të Daut Gumenit të cilën, për kushte sigurie, e bashkova me dosjet e tjera dhe e kalova në objektin nr.1. Këto dy arka nuk i inventarizova dot sepse nuk më lanë ta bëja këtë. Ministria nuk e kishte mendjen për arkiv, madje e urrente në mënyrën më të çuditshme arkivin, inat që e çoi deri në fund, duke e katandisur arkivin në vitin 2017 me vetëm një arkivist.

3-Autoriteti “për hapjen e dosjeve” nuk është arkiv dhe nuk ka kompetenca të bëjë deklasifikime. Këtë të drejtë e kanë vetëm arkivat e organeve fondkrijuese, ato që janë përcaktuar të tilla nga ligji i arkivave i vitit 2003. Kjo është përcaktuara fare qartë në ligjin për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror të vitit 1999 dhe VKM-në përkatëse të vitit 2001.

4-Përcaktimi “pas një pune kërkimore-arkivore” për rastin e dosjeve në fjalë është panevojshëm dhe i kotë. Një arkivist këto dosje i identifikon për një minutë e gjysmë dhe i shikon pas disa minutash. Një njeri që nuk është arkivist mbase do 6 muaj t’i gjejë. Kjo nuk është ndonjë punë e madhe sa të çuditet dynjaja. Për t’u gjetur “Kola në punë”, ndoshta duhen mjete të tjera propagandistike. (Kastriot Dervishi)