Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Ditari i Komandës Supreme të forcave gjermane: çfarë thuhej për Kosovën e Shqipërinë?

Filed under: Dossier |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

ditari-i-komand-euml-s-supreme-t-euml-forcave-gjermane-ja-ccedil-far-euml-thuhej-p-euml-r-kosov-euml-n-e-shqip-euml-rin-euml_hdDitarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW) në vitet 1940-1945 u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këta ditarë lufte përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane.

Përkthyer nga Ana Kolevica, redaktuar nga Saimir Lolja

Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane ishte Helmuth Greiner deri në mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965, ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrwesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë, përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:

Hans-Adolf Jacobsen: Vëllimi I, 1517 faqe, periudha 01.08.1940 – 31.12.1941, botuar 1965.

Andreas Fritz Hillgruber: Vëllimi II 1-2, 1477 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1942, botuar 1963.

Walther Hubatsch: Vëllimi III 1-2, 1673 faqe, periudha 01.01 – 31.12.1943, botuar 1963.

Percy Ernst Schramm: Vëllimi IV 1-2, 1976 faqe, periudha 01.01.1944 – 22.05.1945, botuar 1961.

Këta ditarë lufte të përmbledhura në katër vëllime (fillimisht në tetë vëllime) janë edhe sot një nga burimet më të rëndësishme faktike për shkencën e historisë që mbulon Luftën II Botërore. Me radhë do paraqiten të përkthyera në shqip, sipas vëllimeve të botuara, vetëm pjesët ku shkruhej për Shqipërinë.

Vëllimi I

1 Gusht 1940 – 31 dhjetor 1941

A. Hyrje

III. Plani dhe qëllimet e luftës 1939-1941: Një përmbledhje

Faqe 71E. Në luftën në Ballkan (Prill 1941), Hitleri kishte më pak qëllime territoriale, shumë më tepër kishte qëllim të siguronte interesat strategjike dhe ekonomike. Në asnjë mënyrë nuk donte të lejonte vendosjen e anglezëve në Greqi si dhe kërcënimin e fushave të naftës në Rumani të cilat ishin shumë të rëndësishme për luftën e tij. Po ashtu mendonte se në atë mënyrë ndihmonte Italinë të mbante pozitat e saj në Shqipëri.

B. Ditar Lufte

Faqe 42 – 21.08.1940. Deti Adriatik duhet të jetë i tëri nën pushtetin italian, sfera e ndikimit në Ballkan të zgjerohet. Për këtë mendohet të prishet Jugosllavia, të krijohet një Kroaci e pavarur por nën ndikimin e Italisë, të zmadhohet Shqipëria duke marre zonat e banuara nga shqiptaret në jug të Jugosllavisë dhe në Greqi si dhe bashkimi me Korfuzin dhe ndoshta me disa ishuj të tjerë në detin Jon.
Faqe 81 – 18.09.1940. Sipas njoftimeve të shtabit të përgjithshëm italian të trupave tokësore dhënë atasheut ushtarak në Romë, Divizionet 49 dhe 51 janë dërguar në Shqipëri; do dërgohet deri më 30.09.1940 edhe Divizioni 29.

Faqe 110 – 05.10.1940. Sipas një njoftimi të datës 24.09.1940 (171/40 Tepër Sekret) të atasheut ushtarak në Romë, ushtria italiane përbëhet tani nga 74 divizione, prej tyre ndodhen në atdhe 51, në Shqipëri 8, në Libi 14 dhe 1 në ishujt Dodekaneze.

Faqe 130 – 28.10.1940. Seksioni i jashtëm njofton se pasi në orën 03:00 i është dorëzuar qeverisë greke nga i dërguari italian në Athinë një notë, sot në orën 06:00 të mëngjesit trupat italiane janë futur nga Shqipëria në Greqi.

Faqe 138 – 30.10.1940. Veprimi politik i planifikuar për në fillim të Shtatorit nuk u ndërmor, por gjatë këtij muaji u përforcua korparmata XXVI italiane që ndodhet në Shqipëri me 3 Divizione. …. Më 27.10.1940 në orën 21:00, konti Ciano e njoftuar zyrtarisht personin përgjegjës gjerman, fisnikut Bismarck, se ditën që vijon në orën 03:00 do t’i dorëzohet qeverisë greke ultimatumi për të pushtimin e pikave strategjike dhe në orën 06:00 do të fillonte futja e trupave italiane nga Shqipëria në Greqinë veriore. Qëllimi i këtij operacioni është pushtimi i Korfuzit, futja nga Janina deri në gjirin e Patras për të pushtuar ishujt Levkas, Cefalonia dhe Zante si dhe marshimi për në Athinë dhe Selanik. Udhëheqja është në dorën e gjeneralit të korparmatës XXVI, Viskonti Prasca. Meqenëse 2 nga 9 divizionet që ndodhen në Shqipëri nevojiten për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë, mendohet se epërsia italiane të mos jetë aq e madhe dhe në rastin e një rezistence të madhe greke nuk duhet të llogaritet sukses i shpejtë. ….. Për shkak të kushteve jo të mira të motit, avionët italianë të stacionuar në Shqipëri nuk futen dot.

Faqe 157 – 07.11.1940. Nga forcat e aviacionit Italian nisur nga Shqipëria, janë përdorur në Greqi 56 avionë luftarakë, 120 avionë gjuajtës dhe 17 avionë zbulimi.

Faqe 159 – 08.11.1940. Lajme të jashtme: lajm nga gjenerali von Rintelen, sipas të cilit po dërgohen përforcime në Shqipëri (4 divizione italiane).

Faqe 162 – 09.11.1940. Për shkak të kushteve të vështira të transportit në Shqipëri, do të kalojë shumë kohë derisa të arrijnë përforcimet në front. …. Nuk mund të llogaritet më një sukses i shpejtë i italianëve. Ata po përpiqen të ndreqin atë që nuk patën përgatitur më parë.

Faqe 163 – 09.11.1940. Përparësia e pushtimit të Greqisë veriore ka përballë disa anë negative. Nëpërmjet futjes në luftë të një vendi tjetër u zgjerua lufta dhe u përhap në Ballkan, gjë që Gjermania është përpjekur ta shmangë deri më sot. Ushtria italiane është kështu e lidhur në një drejtim më shumë. Anglezët kanë kështu një aleat më shumë dhe një pikë mbështetje tokësore, gjë që përforcon gjendjen e tyre në pjesën lindore të detit Mesdhe. Mundësitë e veprimit të tyre kundër ushtrive italiane në Libi dhe Shqipëri janë rritur.

Faqe 172 – 13.11.1940. Atasheu ushtarak në Romë dërgon të dhëna që ia ka dhënë shefi i kabinetit në ministrinë e mbrojtjes italiane, Kolonel Sorice, në lidhje me gjendjen në Shqipëri.

Faqe 182 – 19.11.1940. Gjendja në Shqipëri: e ndërlikuar.

Faqe 183 – 20.11.1940. Sipas një telegrami të datës 18.11.1940 të Atasheut ushtarak në Romë, shtabi i përgjithshëm italian e gjykon situatën në zonën shqiptaro-greke, pas tërheqjeve në disa pjesë të frontit dhe dërgimit të përforcimeve, si të qëndrueshme. Situata, megjithatë është rënduar sepse batalioni shqiptar kaloi në anën e grekëve. …. Gjenerali Marras ishte dje në Kancelarinë gjermane dhe kërkoi 3000 kamionë për t’i çuar në Shqipëri nga Jugosllavia në shkëmbim të 3000 kamioneve italiane.

Faqe 188 – 25.11.1940. Bisedimet me italianët në lidhje me kamionët për në Shqipëri arritën një farë përfundimi.

Faqe 201_202 – 05.12.1940. Sipas raportit nr. 429 datë 03.12.1940, ushtria italiane e stacionuar në Shqipëri e drejtuar nga gjenerali Soddu është pjesë e Armatës XXI (gjenerali Geloso në Tepelenë më rreth 9 Divizione), e Armatës IX (gjenerali Vercellino në Elbasan me 6 Divizione) dhe forca tokësore rezervë (1 Divizion i motorizuar, 2 regjimente kalorsie). Si përforcime të mëtejshme janë 2 Divizione të gatshme në Italinë jugore (Shih Shtesën tek Raporti i Organizimit i Komandës së Forcave Tokësore për Lindjen dhe Perëndimin). Situata duket e qëndrueshme me tërheqjen e plotë të divizioneve italiane në linjën e re të mbrojtjes, e cila shtrihet nga lumi [me] Kallama deri në Raveni-Koshovicë-Përmet – në perëndim të kufirit shqiptaro-grek. Në Shqipëri ruajnë rregullin dhe qetësinë trupa policore italiane të fuqishme.

Faqe 204 – 05.12.1940. Hitleri e vlerëson situatën si më poshtë: Gjendja në Shqipëri nuk është e qartë. Në se italianët do të prapsen dhe më shumë, atëherë ekziston mundësia e humbjes së gjithë Shqipërisë. Jugosllavia me sa duket do të shtyjë vendimet e saja derisa të sqarohet gjendja në Shqipëri. Faktori më i rëndësishëm në Ballkan është Rusia që po shton ndikimin në Bullgari pasi është bllokuar e tëra Rumania. Nga kjo rrjedh se çdo dobësi kudo në Evropë do çojë në përparimin e rusëve.

Faqe 205 – 05.12.1940. Tërheqja e Jugosllavisë nga ana e fuqive të boshtit është e dëshirueshme dhe e mundshme edhe në rastin që fronti italian në Shqipëri të mos përparojë… Hitleri nuk shikon mundësi për të dërguar trupa në Shqipëri.

Faqe 209 – 05.12.1940. Gjendje e rëndë e trupave italiane në Shqipëri dhe sulme të egra greke.

Faqe 213 – 06.12.1940. Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri.

Faqe 218 – 07.12.1940. Gjenerali Badoglio jep dorëheqjen me sa duket për shkak të humbjeve në Shqipëri.

Faqe 219 – 08.12.1940. Ambasadori Italian në Berlin është paraqitur më 07.12.1940 tek Hitleri dhe e ka përshkruar situatën në Shqipëri me ngjyrat më të errëta.

Faqe 225 – 11.12.1940. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron së gjenerali Cavallero që sapo është kthyer nga Shqipëria lajmëron më 09.12.1940 se kriza në Shqipëri ende nuk është kaluar, por shpresohet që situata të përmirësohet.

Faqe 226 – 11.12.1940. Në të dy bisedat paraqitet gjendja në Shqipëri jo aq dramatike sa deri më sot.

Faqe 230 – 14.12.1940. Sulme të mëtejshme greke në Shqipëri.

Faqe 232 – 16.12.1940. Më tej është menduar për një grup të dytë transportues me e dërguar në Itali për qëllime të transportit të trupave dhe furnizimeve drejt Shqipërisë. ….. Sulm i fortë i grekëve kundër krahut të majtë të Armatës IX italiane.

Faqe 237 – 18.12.1940. Për shkak të gjendjes së qëndrueshme të trupave italiane në Shqipëri, nuk do jetë më e nevojshme të dërgohet një trupë e dytë transporti „Ju52“ në Itali.

Faqe 241 – 20.12.2014. Gjendja në Shqipëri para tre javësh ishte aq dramatike sa duhej të llogaritej baras me një disfatë të rëndë. Tani fronti është i qëndrueshëm, shpresohet që të mbahet. …. Në Shqipëri tufane dëbore.

Faqe 243 – 244 – 28.12.1940. Atasheu ushtarak italian në Berlin thotë se megjithëse grekët sulmojnë rrallë me më shume se 1-2 batalione, nuk bëhet fjalë që ushtria italiane të mbajë frontin në Shqipëri dhe me tepër ajo është duke u tërhequr në luftë e sipër. Ai është i mendimit se futja në lufte qoftë edhe e një regjimenti gjerman do të bënte që fronti të mbahej, sidomos për shkak të veprimit të jashtëzakonshëm mbi moralin e ushtarëve italianë por edhe mbi ata grekë.

Faqe 245 – 246 – 04.01.1941. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron me shkrim (Nr. 6/41 Tepër e Fshehtë Tepër Përparësi) se general Guzzoni e ka bërë me dije më 03.01.1941 se gjenerali Cavallero ka marrë komandën e trupave në Shqipëri në vend të gjeneralit Soddu që është sëmurë. Ai përshëndet gatishmërinë gjermane për të derguar trupa me tanke në Libi dhe një divizion me ushtarë në Shqipëri si dhe armatime e pajisje nga kontingjenti i plaçkës së luftës. Ai lutet që divizioni me ushtarë të jetë i gatshëm për t’u dërguar.

Gjenerali Guzzoni e përshkruan gjendjen në Shqipëri si vijon: Në Shqipëri pritet një sulm tjetër i fuqishëm grek ose në zonën bregdetare të Vlorës ose në luginën e lunit Osum në drejtim të Beratit. Shpresohet se ai sulm të përballohet nga italianët.

Faqe 251 – 08.01.1941. Për futjen e trupave gjermane në Shqipëri nuk është marrë ende vendim.

Faqe 252 – 08.01.1941. Që nga data 10.12.1940 janë dërguar 16’000 ushtarë [italianë] në Shqipëri me transportuesit Ju-52.

Faqe 254 – 09.01.1941. Hitleri flet për gjendjen në Shqipëri dhe thotë se nëse do të futen trupa gjermane atje, atëherë duhet të jenë aq të fuqishme sa të mund të godasin nga shpina forcat greke që do të përpiqen të bllokojnë Selanikun. Por më parë forcave gjermane do t’u duhet të përparojnë në Shqipëri. Për këtë është e nevojshme një bashkëveprim i forcave gjermane dhe italiane si dhe një njësie me disa tanke të fuqishëm. Nuk do ishte gabim që kjo trupë e ndërthurur të fillonte përpara se të arrinte Armata XII [gjermane].

Komandanti i Ushtrisë Tokësore kërkon leje që të fillohet me mbledhjen e të dhënave të nevojshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe ve si kusht paraprak për sukses ushtrimin e një ndikimi të mjaftueshëm mbi komandën italane në Shqipëri, në mënyrë që italianët të fillojnë sulmin njëkohësisht me forcat gjermane.

Faqe 260 – 10.01.1941. Që nga 10.12.1940 janë çuar me aeroplanët Ju-52 17’000 ushtarë [italianë] dhe 1300 ton [materiale] në Shqipëri. Gjenerali von Rintelen shkon në frontin shqiptar. Të dhëna mbi vendosjen e trupave italiane në Shqipëri. ….. Të bëhet gati Divizioni i parë malor për në Shqipëri.

Faqe 261 – 11.01.1941. Të bëhen gati një Korps gjerman për ta dërguar në Shqipëri, që përfshin 1 Divizion malor dhe forcë tankiste. Ato do të mbështesin trupat italiane në rast krize si dhe për sulmin e mundshëm dhe çarjen e frontit grek në pika të rëndësishme. Veç kësaj do kenë si detyrë të mbështesin nga shpina sulmin ballor të Armatës XII [të komanduar nga gjenerali Wilhelm List] për të hapur ngushticën në perëndim të Selanikut. Dërgimi i trupave gjermane me anë të anijeve që janë ende në detin Mesdhe ose me grupin e avionëve transportues Ju-52 në Foggia duhet të jetë kryer brenda mundësive përpara së të fillojë transporti në Libi.

Faqe 263 – 13.01.1941. Dje kapiten Bürkner njoftonte se italianët janë dakort me dërgimin e oficerëve të zbulimit në Shqipëri dhe Libi. Pikëpamje të kolonelit Jodl mbi gjendjen në Shqipëri mbështetur në raportin e gjeneral-kolonelit Rintelen. Dërgimi përfundimtar i trupave në Shqipëri vetëm kur të jetë arritur një baraspeshë e forcave. Prandaj me sa duket do këtë transport të njëkohshëm të trupave për Shqipëri dhe Libi.

Faqe 265 – 15.01.1941. Shqipëri: Vije fronti e pavolitshme në bregdet. … Raport i gjeneral-kolonelit Rintelen rreth bisedës me Guzzonin më 13.01.1941 mbi gjendjen në Shqipëri. … U nisën trupa zbulimi në Shqipëri dhe Libi.

Faqe 266 – 15.01.1941. Komanda e Lartë e Forcave Tokësore lajmëron se shtabi zbulues me kolonelin Jodl me 4 oficerë të tjerë është nisur për Shqipëri.

Faqe 267 – 18.01.1941. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Kombëtare (Z.M.K.) në Shtabin e Operacioneve të Forcave Ushtarake (Sh.Op.F.U.) shkon më 17.01.1941 në Berchtesgaden dhe paradite më 18.01.1941 i raporton komandantit të Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake në Zyrën Perandorake në Berchtesgaden. Ai i dorëzon organizimin e trupave të parashikuara për t’u dërguar në Shqipëri dhe Libi si dhe programin e transportit për këto trupa.

Faqe 268 – 18.01.1941. Komandanti i Sh.Op.F.U. pranon mendimin e komandantit të Z.M.K. për t’i dhënë operacioneve në Libi dhe Shqipëri përkatësisht emrat “Luledielli“ dhe „Zambak i Alpeve“. Urdhrat për komandat përkatëse të ushtrisë dolën më 20.01.1941.

Faqe 270 – 20.01.1941. Operacioni “Zambaku i Alpeve” që parashikon futjen e trupave në Shqipëri nuk mund të zhvillohet sipas planit, sepse italianët duhen të përdorin kapacitetet e porteve shqiptare plotësisht për të dërguar përforcimet e tyre. Vendimi i ri do të merret në fillim të Marsit. Nëse atëherë do vihet përsëri në pikëpyetje futja e trupave gjermane, atëherë ajo do të bëhet në një përmasë të zvogëluar.

Faqe 272 – 22.01.1941. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura [general Wilhelm Keitel] dërgon shënimet e tij nga biseda me gjeneralin italian Guzzoni në Berchtesgaden më 19.01.1941 si dhe një përmbledhje të përfundimeve të bisedave të Hitlerit më Ducen në Berghof më 20.01.1941.

Gjeneral Guzzoni në bisedë me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura e vlerëson situatën si më poshtë: Në Shqipëri zhvillohet lufta më e rëndësishme për Italinë. Fronti i atjeshëm ende nuk është forcuar, por linja e tanishme do të mbahet me çdo kusht kundër sulmeve greke dhe nuk ekziston mundësia që Vlona ose Berati të bjerë në dorë të grekëve.

Në Shqipëri ndodhen tani 21 divizione italiane dhe qëllimi është të dërgohen atje edhe 3 të tjerë nga Italia për të krijuar në krahun verior të ushtrisë një grup prej 10-12 divizionesh (që do përfshijë 3 divizionet e përmendura më lart dhe 4 divizione alpine). Grupi do jetë gati të sulmojë vetëm pas dy muaj e gjysëm, sepse transportim më i shpejtë i tre Divizioneve dhe freskimit të Divizioneve të tjerë nuk mundet. Sulmi i këtij grupi është planifikuar në drejtimin e Korçës, nga këtu në drejtim të Ersekës për ta shkatërruar frontin verior grek dhe për të vazhduar në drejtimin e Follorinës kur linja e furnizimit nëpërmjet Korçës të jetë siguruar. Synimi i tanishëm për të kryer një sulm në bregdet me qëllime të kufizuara është braktisur.

Faqe 273 – 22.01.1941. Qëndrimi komandantit të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura (K.S.F.A.) në lidhje me vlerësimin e gjeneral Guzzonit jepet: Është pothuaj e pamundur që italianët të përgatisin në kohën e duhur trupat e nevojshme për një sulm në Shqipëri. Prandaj nuk duhet llogaritur më mbështetje italiane për sulmet gjermane të nisura nga Bullgaria kundër Greqisë.

Faqe 274 – 22.01.1941. Italianët e quajnë dërgimin e trupave gjermane në Shqipëri të dëshirueshëm po jo të nevojshëm.

Faqe 275 – 22.01.1941. Prandaj nuk ka kuptim të dërgohen trupa tani në Shqipëri. Nëse fronti do të qëndrojë atje pa lëvizur, do të kishte pasoja psikologjike të padëshirueshme. Nëse do të futen trupa, atëherë lufta do të filloje para kohe në jug-lindje.

Faqe 280 – 25.01-.1941. Futje e trupave greke në Shqipëri.

Faqe 289 – 29.01.1941. Në Shqipëri ndodhen 24 Divizione italiane.

Faqe 290 – 30.01.1941. Gjendja në Shqipëri duket se është e qëndrueshme.

Faqe 292 – 31.01.1941. Raport i datës 29.01.1941 i gjeneralit Rintelen. Të dhëna të Guzzonit mbi Shqipërinë dhe Libinë.

Faqe 305 – 05.02.1941. Trupat gjermane në Libi dhe në Shqipëri, vetëm në rast se do të ketë trupa atje, do të vihen taktikisht drejtpërsëdrejti në shërbim të komandave italiane. Këto trupa janë nën komandën e Komandantit të Trupave Tokësore i cili nëpërmjet oficerit ndërlidhës ka lidhje me komandën italiane në terren.

Faqe 307 – 06.02.1941. Skuadroni Luftarak III për Qëllime të Veçanta në Foggia do të jetë vetëm nën komandën e Korpusit Ajror X për të furnizuar e trupat tokësore gjermane ne Afrikën veriore. Është e nevojshme të behet në kohë një planifikim i ri i transporteve italiane për në Shqipëri.

Faqe 322 – 13.02.1941. Në Shqipëri nuk ka veprime luftarake me rëndësi.

Faqe 324 – 14.02.1941. Pika kryesore e mbështetjes së forcave ajrore angleze është Kreta. Prej andej me ndihmën dhe të aeroporteve të tjera në Greqi kryhen goditjet në Shqipëri.

Faqe 326 – 15.01.1941. Meqenëse gjendja e frontit në Shqipëri është e qëndrueshme dhe në këtë stinë të vitit nuk pritet ndonjë sukses i rëndësishëm në rast sulmi, qoftë edhe me trupa gjermane, atëherë nuk do të mbahen trupa gjermane në gatishmëri për këtë rajon.

Faqe 343 – 04.03.1941. Leter e gjeneralit von Rintelen mbi bisedën me Guzzonin. Gjenerali Cavallero do të fillojë me 06.03.1941 një sulm të vogël në Shqipëri. Duçia, i cili ndodhet tani në Shqipëri, ka urdhëruar në vend të saj një sulm të Armates XI më datë 8 ose 9 mbi qytetin e Gjirokastrës. Lajme të pavërtetuara mbi zbarkimin e 2 divizioneve angleze në Greqi.

Faqe 346 – 06.03.1941. Gjenerali von Rintelen ka marrë urdhrin të jetë shumë i tërhequr. Për këtë arësye italianët e kanë shtyre sulmin e tyre në Shqipëri.

Faqe 351 – Divizioni i këmbësorisë arriti në kufirin bullgaro-grek. Në Shqipëri ka filluar sulmi më 09.03.1941 me Korpuset XXV, VIII dhe IV të forcave tokësore. Sulme italiane në mëngjesin e datës 09.03.1941…. Sulmi italian në Shqipëri nën komandën e Duces.

Faqe 353 – 12.03.1941. Suksese të pakta të italianëve në Shqipëri.

Faqe 356 – 13.03.1941. Përfundon sulmi italian në Shqipëri.

Faqe 363 – 18.03.1941. Në Shqipëri qëndrojnë 25 divizione italiane përkundrejt 16 divizioneve greke. Sipas gjeneralit von Rintelen, fuqia goditëse e grekëve po pakësohet. Krijohet përshtypja se anglezët po zbarkojnë trupa në Greqi dhe me sa duket në pjesën veriore të Peloponezit.

Faqe 365 – 21.03.1941. Nënshkrimi i marrëveshjes me Jugosllavinë. Në Shqipëri do të shkojë një shtab i vogël i ndërlidhjes së forcave tokësore me në krye kolonelin Fretter-Pico.

Faqe 371 – 31.03.1941. Gjendja e italianëve në Shqipëri përpara fillimit të operacioneve kundër Jugosllavisë duket e vështirë. Italianët bëjnë gati 1 Divizion tankesh dhe 2 Divizione këmbësorie pranë kufirit Jugosllav. 3 Dvizione britanike në Greqi. Abisinia u humb.

Faqe 373 – 01.04.1941. Dërgohen dy divizione italiane në Shqipëri.

Faqe 374 – 02.04.1941. Sulme greke në Shqipëri.

Faqe 374 – 03.04.1941. Sulme të veçuara greke në Shqipëri. Dërgohen për mbrojtjen e kufirit lindor dhe verior 3 Divizione nga Armata XI, 1 Divizion nga Armata IX, 2 Divizione nga Italia. Ducia kërkon oficerë gjermanë për këta Divizione.

Faqe 375 – 05.04.1941. Gjenerali von Rintelen takohet më 03.04.1941 në Shqipëri me gjeneralin Cavallero; raporton mbi qëllimet dhe grupimet e forcave italiane.

Faqe 376 – 07.04.1941. Është ndërprerë ndërlidhja me Shqipërinë dhe Libinë.

Faqe 380 – 14.04.1941. Lëvizje tërheqjeje të trupave greke në Shqipëri.

Faqe 380 – 15.04.1941. Tërheqje e plotë e grekëve nga Shqipëria.

Ditari mbaron më datë 30 Dhjetor 1941.

SHTOJCA

Faqe 948 – 22.08.1939. Fjalimi i Hitlerit në Berghof: …Në Ballkan zotëron që nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia në pashkët e vitit 1939 një baraspeshë forcash.

Faqe 1181 – 28.10.1940. Ora 05:30. Fillim i sulmit italian ndaj Greqisë. Marrin pjese Armata IX dhe XI (7 Divizione, prej tyre një Divizion alpin dhe një Divizion tankesh; 1 Divizion për të siguruar kufirin me Jugoslllavinë). Ushtria greke (gjenerali Papagos) ka mobilizuar rreth 300’000 veta. Sulme ajrore italiane kundër aeroporteve greke, edhe aeroportin Tatol afër Athinës, si dhe porteve të Prevezës dhe Patrës. 56 avionë lufte, 120 avionë gjuajtës, 17 avionë zbulimi në Shqipëri; 112 avionë lufte, 24 avionë gjuajtës dhe 18 avionë zbulimi në Pulja [të Italisë].

Faqe 1182 – 09.11.1940. Gjenerali Soddu bëhet kryekomandant i trupave italiane në Shqipëri. ….. Një grup anijesh angleze (3 kryqëzorë dhe 2 anije goditëse) kanë sulmuar anijet italiane që ktheheshin nga Shqipëria dhe kanë fundosur 4 anije transporti me aftësi mbajtëse 16938 ton.

Faqe 1183 – 14_22.11.1940. Sulmi grek arrin kulmin me marrjen e Korçës në Shqipëri më 21.11.1940.

Faqe 1184 – 26.11.1940. Për shkak të humbjeve në Shqipëri, Musolini jep urdhër të rimobilizohet ushtria italiane.

Faqe 1186 – 10.12.1940. Urdhri i K.S.F.A. për të vendosur Korpusin X Ajror në Siçili dhe Itali të Jugut. Admirali Canaris [kreu i zbulimit ushtarak gjerman – shën. red.] kërkoi nga ambasadori hungarez në Madrid të vepronte si ndërmjetës për paqe me Greqinë. Nëse Greqia do të kthehej në qëndrim asnjanës do t’u lejohej të mbante pjesët e pushtuara të Shqipërisë.

Faqe 1187 – 19.12.1940. Anijet angleze të luftës “Warspite” dhe “Valiant” qëllojnë Vlonën në Shqipëri.

Faqe 1188 – 28.12.1940. Italia kërkon mbështetje gjermane në Shqipëri. Hitleri mendon në fillim të dërgojë një Divizion alpin por pastaj heq dorë.

Faqe 1188 – 30.12.1940. Gjenerali kont Cavallero merr komandën e trupave italiane në Shqipëri në vend të gjeneralit Soddu që është sëmurë. Në Shqipëri ndodhen tani 16 Divizione italiane përkundrejt 13 Divizioneve greke.

Faqe 1196 – 09.03.1941. Fillimi i një sulmi italian në frontin shqiptar.

Faqe 1197 – 16.03.1941. Sulmi italian i filluar më 09.03.1941 në Shqipëri pësoi përfundimisht humbje.

Faqe 1202 – 14.04.1941. Fillimi i tërheqjes së trupave greke që luftojnë në Shqipëri.

Faqe 1203 – 21.04.1941. Gjenerali Wilhelm List pranon në Larisa kapitullimin e trupave greke. Takohen në kufirin shqiptar trupat SS-gjermane që vijnë nga jugu prej Greqisë me italianët që vijnë nga veriu nga Shqipëria.

Vëllimi II

1 Janar – 31 dhjetor 1942

Faqe 446 – 24.06.1942. Shefi i shtabit për Evropën juglindore Gjeneral-Majori Foertsch vjen për bisedime në selinë qendrore të Hitlerit. Me kërkesën të tij i jepet udhëzimi gjeneralit gjerman pranë shtabit të përgjithshëm italian që të ndikojë atje në mënyrë që oficeri i ndërlidhjes së komandës së lartë italiane 11 [në Greqi] që ndodhet pranë shtabit gjerman për Evropën juglindore, t’i jepet edhe detyra e oficerit të ndërlidhjes për komandën e lartë 9 (Shqipëri) dhe për qeverinë ushtarake të Malit të Zi.

Vëllimi III

1 Janar 1943 – 31 dhjetor 1943

Faqe 275 – 03.04.943. Përshkrim i gjendjes në Kroaci: …Brigadat komuniste IV dhe V, rreth 2500 vetë, po përpiqen të hyjnë në Shqipëri. Çetnikët kanë zënë pozicion në rrugën Gacko-Bileça (37 km në veri-lindje të Dubrovnikut) me front nga veri-perëndimi.

Faqe 286 – 05.04.1943. Shqipëri: Thuhet se në vende të shkëputura ka demonstratime të shqiptarëve në përkrahje të Gjermanisë kundër italianëve. 15 km në lindje të Valonës (qytet bregdetar 100 km në jug-jugperëndim të Tiranës) sulm kundër një kolone italiane: 10 të vdekur, 19 të plagosur, 103 të humbur.

Faqe 301 – 08.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Sipas një lajmi të forcave të zbulimit, 10’000 komunistë qëndrojnë në një zonë në perëndim të Foças [në Bosnien lindore] dhe do përpiqen të futen në Shqipëri.

Faqe 316 – 09.04.1943. Zonë e pushtuar italiane: Në zonën Gacko [në Bosnjën lindore] po grupohet një trupë e fuqishme armike me qëllimin për t’u futur në Shqipëri.

Faqe 336 – 15.04.1943. Dy sulme mbi trupat italiane të pushtimit në Shqipërinë jugore. Një pikë mbështetjeje u pushtua dhe kazerma u dogj.

Faqe 341 – 16.04.1943. Italianët ndërmarrin me forca të shumta, në zonën 40 km në juglindje të Valonës, një spastrim të qendrës së atjeshme të banditëve.

Faqe 346 – 17.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në juglindje të Valonës.

Faqe 351 – 18.04.1943. Shqipëri: Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug.

Faqe 360 – 20.04.1943. Vazhdojnë spastrimet e italianëve në jug të Valonës. Janë prishur disa qendra komuniste dhe është kapur një top.

Faqe 423 – 03.05.1943. Më 29.04.1943 ka dhënë dorëheqjen qeveria shqiptare.

Faqe 454 -09.05.1943. Luftime në veri të Valonës, 10 armiq të vrarë, pak armë të zëna.

Faqe 502 – 19.05.1943. Në verilindje të Leskovikut (kufiri juglindor i Shqipërisë) sulmohen batalione italiane nga trupa të forta bandite. Humbjet italiane: 3 të vdekur, 25 të plagosur. 50 armiq të vrarë.

Faqe 544 – 27.05.1943. Fronti i Mesdheut në Juglindje: Një dokument i gjetur në shtabin e Dragoljub “Drazha” Mihailoviçit vërteton se lëvizja e tij ka lidhje të gjëra me lëvizjen kryengritëse në Shqipëri. [Në kujtimet e ambasadorit gjerman në Shqipërinë e kohës së luftës, Martin B. Schliep, përmendet Muharrem Bajraktari i zonës së Lumës afër Kukësit për lidhje me Dragoljub “Drazha” Mihailoviçin. – shën. red.]

Faqe 552 – 28.05.1943. Shqipëri: Që nga 01.06.1943 [do jetë] një grup ushtarak italian me qendër në Tiranë. Komandant gjeneral Rossi.

Faqe 558 – 29.05.1943. Shqipëri: Më 26.05.1943 atentat me bombë ndaj dy krerëve shqiptarë pro-italianë. Banditët u venë zjarrin minierave në jugperëndim të liqenit të Ohrit dhe marrin punëtorët me vete.

Faqe 581 – 02.06.1943. Shqipëri: Përballohet një sulm i banditëve (200 vete) mbi një aeroport.

Faqe 587 – 03.06.1943. Shqipëri: Fluturime natën jug-veri të armiqve, kthimi nga jugu.

Faqe 592 – 04.06.1943. Shqipëri: Nuk ka ndodhi të veçanta.

Faqe 613 – 08.06.1943. Shqipëri: Në natën duke u gdhirë 07.06.1943 fluturime të shumta armike.

Faqe 648 – 15.06.1943. Trupa italiane të Korparmatës IV po ndërmarrin spastrime kundër kryengritësve në zonën në jug të linjës Tiranë-Durrës. Kryengritësit kanë pësuar humbje të renda.

Faqe 653 -16.06.1943. 85 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të linjës Tiranë-Durrës.

Faqe 658 – 17.06.1943. Shqipëri: 35 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane; u kapën dy mitralozë.

Faqe 664 – 18.06.1943. 64 armiq të vrarë gjatë spastrimeve italiane në zonën jugore të Tiranë-Durrësit, afro 60 të arrestuar, është kapur një sasi e vogël armësh. Në lindje të Tiranës u sulmua një truproje milicësh. Në veri të Valonës (105 km në juglindje të Tiranës) u sulmua një kazermë xhandarmërie nga një trupë komuniste prej 200 vetash. Xhandarët u morën rob.

Faqe 685 – 22.06.1943. Greqi: Natën duke u gdhirë 22.06.1943 u ndërpre plotësisht për arsye sabotazhi lidhja telefonike Janinë-Athinë, Prevezë (75 km në jug të Janinës) dhe për në Shqipëri.

Faqe 690 – 23.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-lindje të Shqipërisë dhe në veriperëndim të Krushevës (120 km në lindje të Tiranës) 22 armiq të vrarë. Në jug të Dibrës (60 km verilindje të Tiranës) u sulmua një kolonë dhe një truprojë italiane. Italianët patën humbje. Përfundimi i përgjithshëm i spastrimeve në zonën në jug të Tiranë-Durrësit: 69 armiq të vrarë, 198 të arrestuar.

Faqe 697 – 24.06.1943. Sulm komunist mbi një kompani italiane dhe një minierë në lindje të Tiranës.

Faqe 708 – 26.06.1943. Sulm i suksesshëm i trupave italiane mbi një fole banditësh në perëndim të Korçës (120 km në juglindje të Tiranës).

Faqe 713 – 27.06.1943. Në veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës) shkatërrohet një grup banditësh me ndihmën e forcave ajrore italiane.

Faqe 717 – 28.06.1943. Gjatë luftimeve në veri-perëndim të Tepelenës (110 km në juglindje të Tiranës) 102 italianë të vrarë, edhe humbjet e armikut mendohen të larta. Gjate spastrimeve në zonën e Berat-Fier-Valona (zonë 50 km në jug të Tiranës), 13 armiq të vrarë.

Faqe 767_768 – 10.07.1943. Trupat gjermane që ndodhen apo do të futen në zonën e Armatës XI [italiane], nëse futen në luftime, do të jenë nën komandën e lartë të Armatës XI kurse trupat gjermane të ndodhura në Kretë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje për mbrojtjen e bregdetit ose operacione të tjera do të jenë nën komandën e trupave përgjegjëse italiane. Trupat italiane të Korparmatës III (Divizionet Brennero, Forli dhe Pinerolo me trupat mbështetëse dhe të prapavijës) do të zhvendosen në Gusht në Shqipëri.

Faqe 768 – 10.07.1943. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane është dakord me strukturën komanduese të trupave gjermane në zonat bregdetare të mbajtura ende nga italianët në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Rodos… Pranohet pjesëmarrja e një Divizioni Malor [gjerman] në operacionin “Delta” (operacion spastrimi në Greqinë perëndimore), por nuk është në interesin gjerman futja i atij Divizioni Malor në Shqipërinë jugore.

Faqe 786 – 14.07.1943. Për të arritur një administrim ushtarak qendror dhe efektiv në zonën juglindore, propozohet të ngrihet një “shtab drejtimi juglindor” në rangun e një komandature të një armate me komandature dhe shtab administrativ, me të drejtat e plota të një komande ushtarake territoriale për zonën juglindore. Këtij shtabi do t’i vihen nën komandë shtabet e Greqisë jugore, të zonës Selanik-Egje, Serbisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Faqe 822 – 23.07.1943. Komanda e lartë për juglindjen dërgon dhe është dakort me një analizë të situatës, të bërë nga komanda e forcave ajrore juglindore dhe paraqitur komandës supreme të forcave ajrore, në lidhje me mundësinë e një sulmi armik kundër Shqipërisë. Shqipëria ndryshe nga Dalmacia dhe Greqia ka një breg që arrihet lehtë dhe ka shumë fusha aviacioni një pjesë e të cilave janë të mira. Megjithatë, sjellja e rezervave gjermane nga pjesa tjetër e Ballkanit për në zonat kufitare është e vështirë, sidomos në dimër dhe pranverë.

Faqe 526 – 24.07.1943. (Për shkak të zhvillimeve në Itali ky urdhër [i Hitlerit për zhvendosje trupash në Greqi] nuk arrin të zbatohet. Batalioni 92 i grenadierëve do të zhvendoset nëpërmjet Shqipërisë për në Greqinë e veriut për të vepruar në bregun e detit Adriatik.)

Faqe 841 – 26.07.1943. Rregullore e re për komandën në zonën juglindore: Trupat gjermane që ndodhen në bregun kroat, në Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje vihen nën komandën italiane. Korparmata III italiane zhvendoset për në Shqipëri sapo të arrijnë trupat gjermane që do ta zëvendësojnë.

Faqe 842 – 26.07.1943. Përgjigja përfundimtare nga “Commando Supremo” [italiane] arrin më 26.07.1943 ora 14:50. Në të pranohet vendosja e Armatës XI nën komandën gjermane, emërimi atje i një shefi shtabi të përgjithshëm gjerman, zhvendosja e Korparmatës VII në veri; edhe Divizioni “Brennero” do të zhvendoset për në Shqipëri… 3. Trupat gjermane në Shqipëri, Mal të Zi dhe në zonën kroate të pushtuar nga Italia janë nën komandën italiane të lindjes, përkatësisht të Armatës II italiane.

Faqe 857 – 29.07.1943. Juglindje: Trupat gjermane që ndodhen tani ose do të ndodhen në të ardhmen në Kroaci, Mal te Zi dhe Shqipëri do të vendosen nën komandën italiane të atjeshme.

Faqe 862 – 30.07.1943. Juglindje: Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane mban qëndrim në lidhje me vlerësimin e situatës mbi Shqipërinë (përfshirë Malin e Zi dhe Kroacinë) të bërë nga forcat ajrore të juglindjes dhe dërguar më 23.07.1943 nga komanda e lartë e juglindjes dhe vjen në përfundimin se, mbështetur mbi përvojën me trupat italiane, është e nevojshme ndërhyrja me trupa gjermane për të mbrojtur kufirin bregdetar e cila do të kufizohet në mbrojtjen e porteve. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane vë në gatishmëri forcat e nevojshme për këtë qëllim.

Faqe 876 – 01.08.1943. Ka filluar pushtimi i aeroporteve në Shqipëri nëpërmjet forcave tokësore të çuara atje me avionë, parashutistë dhe një batalion me emrin “Brandenburg”.

Faqe 890 – 03.08.1943. Juglindje: 2.Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë gjermane kërkon që tani për tani për Shqipërinë dhe Malin e Zi të ndërmerren vetëm përgatitjet e urdhëruara me 01.07.1943.

Faqe 894 – 04.08.1943. Në Shqipëri vazhdojnë veprimet revolucionare me sulme mbi garnizonet italiane. Aeroportet shqiptare janë zënë nga forcat gjermane.

Faqe 908 – 06.08.1943. Bisedime italo-gjermane në Tarvisio [Udine, Itali]: Gjenerali Ambrosio dëshiron të zhvendosë sa më shpejt Korparmatën III italiane nga Greqia lindore për në Shqipëri ku nevojiten përforcime.

Faqe 910 – 06.08.1943. Vazhdojnë veprimet e bandave sidomos në Shqipëri dhe Kroaci.

Faqe 926 – 10.08.1943. K.S.F.A. ka bërë me dije komandën e lartë të juglindjes se komanda supreme italiane do të zhvendosë më 01.09.1943 Korparmatën III italiane me dy Divizione nga Greqia lindore në Shqipëri.

Faqe 952 – 15.08.1943. Gjenerali Roatta lajmëron se Korparmata III italiane do të zhvendoset më 01.09.1943 nga Thesalia në Shqipëri dhe nga Armata II italiane do të kthehen 3 Divizione.

Faqe 959 – 16.08.1943. Në Greqi vazhdojnë spastrimet nga ana jonë. Në Shqipëri ka shenja të shpërbërjes së milicisë, veprime të bandave në Tiranë, sabotazh në të korrat në Serbi.

Faqe 996 – 23.08.1943. Në bisedimet në Tarvisio dhe Bolonjë [të Italisë] u arrit marrëveshja me italianët që të zhvendosin në Shtator Korparmatën III për në Shqipëri.

Faqe 1002 – 24.08.1943. Hitleri ka urdhëruar forcimin e Rregjimentit 92 grenadier i cili do të vendoset jo në Kretë por në Shqipëri.

Faqe 1009 – 25.08.1943. Më 09.08.1943, komanda e lartë e juglindjes bën kërkesën që në rastin e rënies së përforcimeve në bregun dalmatik dhe shqiptar të futen në veprim trupa xhenjere nga fortesat ushtarake.

Faqe 1018 – 27.08.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 26.08.1943 se komanda e forcave ajrore në juglindje ka kërkuar të zhvendoset një batalion ruajtës i forcave ajrore me qëndrim në Kretë për të siguruar mbrojtjen e aeroporteve greke dhe shqiptare dhe në shkëmbin të tij kërkon një batalion këmbësorie.

Faqe 1022 – 28.08.1943. Shefi i shtabit të përgjithshëm të grupit të Armatës F lajmëron se italianët janë lutur që të zhvendosen 1-2 Divizione gjermane në zonën Shkup-Elbasan, si rezervë për ndërhyrje në Shqipëri dhe për sigurimin e rrugës për në Tiranë. Komanda e lartë e juglindjes përshëndet mundësinë që krijohet kështu për të futur që tani forca [gjermane] në Shqipëri. Me 29.08.1943 njoftohet pranimi prej Hitlerit për këtë lëvizje.

…Komanda e lartë e juglindjes merr detyrën të lidhet me shtabin e përgjithshëm bullgar dhe të pyesin [për të ngacmuar mendimin] nëse bullgarët do të ishin të gatshëm që në rastin e një zbarkimi armik dhe të operacionit „Achse“ [operacioni i çarmatosjes së ushtrisë italiane që pritej të kapitullonte] të zgjerojnë zonën e tyre të pushtimit deri në Mal të Zi dhe Shqipëri. Zona e shtrirjes së pushtimit do të varet nga gjendja në Serbi dhe nga planet e vendosjes së trupave bullgare të artilerisë.

Faqe 1035 – 30.08.1943. Në një bisedë të Hitlerit me një ekspert të ministrisë së jashtme për çështjen shqiptare peshohen mundësitë e paqtimit me Shqipërinë në rastin e një pushtimi gjerman në vijim të operacionit „Achse“.

Faqe 1042 – 01.09.1943. Për marshimin e trupave gjermane në Shqipëri, për të cilin është parashikuar Divizioni 100 i forcave ajrore rajonale, është kërkuar pranimi me shkrim i komandës italiane lindore, pranimi me gojë ka ardhur.

Faqe 1051 – 03.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes është dakord me largimin e Divizionit I të tankeve nga Peloponezi. Por duhet të kihet parasysh dobësimi për rreth 4 javë i forcave të atjeshme. Komanda e juglindjes tërheq vëmendjen se nëse ky Divizion do të përdoret si një grup rezervë i ushtrisë, atëhere pushtimi i Shqipërisë në rastin e operacionit “Achse”, për të cilin ai Divizioni ishte parashikuar, nuk mund të kryhet.

Faqe 1055 – 04.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron se pushtimi i aeroporteve në Shqipëri me nga një batalion ka filluar dhe do të përfundojë në mes të Shtatorit.

Faqe 1058 – 05.09.1943. …4.1. Divizioni italian “Brennero” i Korparmatës III italiane po zhvendoset për në Shqipëri.

Faqe 1063_1064 – 06.09.1943. Komanda e lartë e juglindjes lajmëron më 05.09.1943 se komanda supreme italiane ende nuk ka pranuar futjen e trupave të Divizionit 100 të forcave ajrore [gjermane] dhe se komanda e lartë italiane e lindjes do të lejojë futjen e Divizionit në zonën e Dibrës ose të Korçës, por jo në Elbasan. K.S.F.A. është dakord me qëllimin e komandës së lartë në juglindje që Divizionin në fjalë, i cili tani për tani ndodhet në zonën Ohër-Manastir, ta lërë atje. Ndërkohë të këqyren rrugët, të mbahet lidhje me trupat që sigurojnë aeroportet shqiptare. Italianët të njoftohen për këtë.

Faqe 1068 – 07.09.1943. [Mbas armëpushimit të Italisë me aleatët nënshkruar më 03.09.1943, i cili u bë i njohur më 08.09.1943]: ….3. A nevojitet t’i bëhet thirrje gjithë Ballkanit (kroatëve, serbëve, shqiptarëve, grekëve) kundër italianëve? Me këtë mënyrë mund të pakësohet armiqësia ndaj gjermanëve. Por në një rast të tillë duhen dhënë premtimet e nevojshme (bregu i detit Adriatik për Kroacinë, pavarësia për Shqipërinë) dhe të jepen dhe faktet e nevojshme për këtë.

Faqe 1069 – 07.09.1943. [Përshkruhen masat që merr shtabi gjerman mbas armëpushimit të Italisë me aleatët]… 5. Duke hequr dorë nga ishujt jonikë hiqet dorë nga një mundësi e mirë për t’u hedhur në Greqi dhe Shqipëri.

Faqe 1072 – 07.09.1943. Komandës së lartë të juglindjes i njoftohen qëllimet e komandës supreme italiane për zhvendosjen e Korparmatës III italiane për në Shqipëri si dhe zhvendosja e tre Divizioneve nga Kroacia në tokë italiane. Në vend të një Divizioni të ndodhur në Kroaci, do të zhvendoset tashme Divizioni “Forli” i Koorparmates III italiane për në atdhe, kështu që Shqipëria përforcohet vetëm nga dy Divizione italiane (“Brennero” dhe “Pinerelo”).

Faqe 1082 – 08.09.1943. Pasi i është dhënë parulla “Achse“, komanda e lartë [gjermane] në juglindje lajmëron me gojë në orën 22:20 se komanda e lartë e ushtrisë italiane ka pranuar dorëzimin e armëve të rënda dhe të paluejtshme, por ka kërkuar që ushtarët të mbajnë armët e dorës duke patur parasysh edhe rrezikun bolshevik që i kërcënohet Italisë. Komanda e lartë e juglindjes e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Në Shqipëri gjendja është akoma e paqartë, sepse komandanti i lartë italian nuk është i pranishëm dhe në këtë mënyrë i fshihet përgjegjësisë që ka.

Faqe 1085 – 09.09.1943. Shtabi suprem gjerman njofton se ka për qëllim që Shqipërinë ta njohë si autonome (në kushte të caktuara së bashku me Malin e Zi). Ministria e Jashtme të dërgojë një trupë të posaçme që të sqarojë në vend gjendjen. Derisa të sqarohet kjo gjë, në Shqipëri dhe Mal të Zi do ta ketë pushtetin elzekutiv Armata II e tankeve.

Faqe 1089 – 10.09.1943. Në Rhodos vazhdojnë luftime me italianët. Lëvizjet e trupave tona në Shqipëri dhe Mal të Zi u zhvilluan sipas planit. Popullsia e Greqisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë është ende e qetë… Nuk llogaritet më një sulm anglo-amerikan në Ballkanin jugor, por është i qartë rreziku në frontin e Adriatikut, në të cilin Shqipëria është pika më e dobët.

Faqe 1090 – 10.09.1943. Komanda e lartë në juglindje ka përmbledhur dhe paraqitur rishtas kërkesat për mbrojtjen e zonës juglindore, duke u bazuar edhe në raportin mbi gjendjen e armikut të paraqitur nga departamenti i ushtrive të huaja perëndim. Ndër të tjera ka kërkuar qartësimin e përgjegjësisë komanduese në pjesën veriore të pjesës juglindore, futjen e shpejtë të forcave gjermane për mbrojtjen e bregut të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, afrimin e Divizioneve sulmuese, përforcimin e Divizionit sulmues në Rhodos për të krijuar një Divizion të plotë me dy Regjimente dhe pajisjen e plotë të Divizionit SS “Nordland” si dhe të Brigadës SS “Nederland”, rritjen e numrit të forcave të sigurisë në gjithë zonën e prapavijës, çuarjen e artilerisë bregdetare në bregun shqiptaro-dalmatik dhe kthimin e tij në një kala bregdetare.

Faqe 1095 – 11.09.1943. Vazhdojnë luftimet në Rhodos, ku kanë arritur anije lufte me trupa. Lëvizjet e trupave tona në Greqi sipas planit. Në Shqipëri ka filluar krijimi i një qeverie të re. Divizioni gjuajtes 100 arriti Valonën dhe pushtoi pjesë të Durrësit në bashkëpunim me forca të tjera që i ka nën komandë.

Faqe 1098 – 12.09.1943. Në Rhodos kapitullojnë forcat italiane prej 40,000 vetësh. Në Kretë, forcat italiane pro-gjermane bashkohen me trupat gjermane. Në veri-perëndim të Athinës dhe në [ishullin] Eube ka lëvizje banditësh. Në Shqipëri përparon pushtimi i zonës bregdetare.

Faqe 1100 – 13.09.1943. [Pëshkruhen urdhrat në lidhje me oficerët dhe ushtarët italianë të cilët shprehen të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve]. Ekzistojnë disa mundësi për t’i përdorur këto trupa: 1) Si milicë ose policë në Itali, pasi të jenë stërvitur nga forcat SS ose jashtë Italisë në luftime kundra bandave. 2) Si batalione ndërtimi në ushtrinë gjermane. 3) Si trupa ndihmëse në në përbërje të trupave gjermane. Përjashtohet futja e këtyre trupave në zonat me popullsi me origjinë gjermane si dhe në Kroaci dhe Shqipëri.

Faqe 1102 -13.09.1943. Çështja e një shteti shqiptaro-malazez është e hapur, pasi ato rrethe shqiptare me të cilat janë krijuar lidhje, meqenëse nuk janë të sigurta se si do të mbarojë lufta, nuk pranojnë autonomi në sajë të mëshirës së Gjermanisë.

Faqe 1114 – 17.09.1943. Bregu shqiptaro-dalmatik-malazez fiton gjithmonë e më shumë rëndësi, sepse aty ekzistojnë kushte të përshtatshme për kundërshtarin njësoj si në bregun e Kanalit [La Manche], prej nga mund të ndërmerret një sulm për në zemër të Evropës.

Faqe 1116 – 17.09.1943. Gjendja në Greqi dhe Shqipëri është e kënaqshme… Pasi kanë dështuar përpjekjet e para për të krijuar një qeveri në Shqipëri, (krahaso 13.9./6) po bëhen përpjekje në Kosovë ku janë gjetur vendas të gatshëm për të krijuar një qeveri kombëtare. Nëse kjo do të ketë sukses, atëherë duhet ngritur një administratë që të duket nga jashtë si e pavarur.

Faqe 1127 – 21.09.1943. K.S.F.A. kujton se sipas urdhrit të datës 15.09.1943 mund të përdoren për punime ndërtimi vetëm trupa italiane besnike, por vetëm në Greqi dhe jo në Kroaci, Mal të zi dhe Shqipëri, ku duhet të merren për këto punime banorë vendas.

Faqe 1134_1135 – 23.09.1943. Divizioni “Brennero” që vepron në Shqipëri ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar luftimet në anën gjermane. Komanda e lartë e juglindjes ka urdhëruar dërgimin e tij në zonën Rashka-Mitrovicë në mënyrë që trupat të mund të kontrollohen dhe ajo pjesë që do të gjykohet e besueshme do të bashkohet me batalionet këmbësore 999. Shtabi drejtues gjerman nuk do që trupa pak të besueshme të shkrihen në batalionet 999 dhe parashtron që ato trupa të përdoren në sigurimin e transportit mbi shina. Trupat që lirohen kështu prej andej do të bashkohen me batalionet e tjera.

Shtabi i përgjithshëm bullgar ka paraqitur një raport mbi gjendjen e pakicës bullgare në kufirin lindor shqiptar. Ky raport është gjykuar nga komanda juglindore si i tepruar. Prandaj ka parashtruar që kërkesa bullgare për pushtimin e kësaj zonë të hidhet poshtë dhe atje të përdoren trupa të milicisë shqiptare. Ky mendim është pranuar më 20.09.1943 nga shtabi drejtues gjerman. Ministria e Jashtme njofton më 21.09.1943 se i dërguari bullgar ka kërkuar të pushtohen prej bullgarëve zonat kufitare të Shqipërisë të populluara nga bullgarë në mënyrë që të mbrohen pakicat bullgare nga shqiptarët.

K.S.F.A. njofton atasheun ushtarak gjerman në Sofje [të Bullgarisë] se komanda e lartë juglindore e vlerëson situatën në kufi shumë më pozitivisht se sa shtabi i përgjithshëm bullgar. Prandaj atje do të veprojnë forca vendore milicie për të ruajtur sigurinë. Pushtimi i asaj zone tani për tani nuk është i nevojshëm.

Faqe 1139 – 24.09.1943. Shtabi qendror i ushtrisë ka caktuar pikat e mëposhtme për bisedimet me komanden juglindore që do të zhvillohen më 24.09.1943 në kuartierin kryesor të Hitlerit. I. Zhvillimi i luftës: …Radha e kundërsulmeve dhe trupat që do të përdoren, pushtimi i ishujve në Egje dhe Adriatik …sigurimi i prapavijës në Shqipëri dhe Mal të Zi….

Faqe 1143 – 25.09.1943. Gjendja në Ballkan: Në Eube, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, vazhdojnë veprimet e bandave dhe ka filluar një operacion spastrimesh nga ana jonë.

Faqe 1144 – 26.09.1943. Komanda e juglindjes lajmëron për sigurimin e zonës Tetovë-Gostivar-Dibër-Strugë-Kërçovë (Shqipëria lindore), zonë të cilën dëshironin ta pushtonin bullgarët.

Faqe 1147 – 27.09.1943. Vazhdojnë veprimet kryengritëse në Shqipëri.

Faqe 1151 – 28.09.1943. Në një shtesë të njoftimit për atasheun ushtarak gjerman në Sofje me 23.09.1943 thuhet se zona e Shqipërisë veri-lindore deri në luginën e Vardarit do të pushtohet më vonë nga trupa gjermane.

Faqe 1154 – 30.09.1943. Në Shqipëri mprihen më tej veprimet e bandave; janë vënë re gjithnjë e më shumë agjentë britanikë.

Faqe 1164 – 01.10.1943. [Bëhet fjalë për udhëzimet e komandës së lartë gjermane për shpërndarjen e trupave në juglindje]. …. Divizioni X Malor të dërgohet në Epir ose në bregun shqiptar. …. Vazhdojnë spastrimet në Shqipëri dhe Kroaci.

Faqe 1168 – 03.10.1943. Hitleri urdhëron të emërohet një “Gjeneral përgjegjës për Shqipërinë“. K.S.F.A. lëshon një urdhëresë për këtë.

Faqe 1171 – 04.10.1943. Hitleri i urdhëron komandës së lartë jugore dhe Grupit B të ushtrisë sa vijon: Pritet që armiku t’i drejtojë operacionet kryesore kundër rajonit juglindor ose nga Italia jugore për në Shqipëri – Mal të Zi – Kroaci jugore ose pas luftimeve nga Italia qendrore kundër Kroacisë veriore – Istria.

Faqe 1178 – 06.10.1943. Pritet një sulm britanik në rajonin juglindor kundër bregut shqiptaro-dalmatik ose nëpër detin Egje kundër Maqedonisë dhe Thrakisë.

Faqe 1181 – 07.10.1943. Forcohet veprimi i bandave në Shqipëri dhe Kroaci.

Faqe 1184 – 08.10.1943. Në Shqipëri është ngritur me ndihmën gjermane një qeveri shqiptare, e cila ka ndër mend të krijoje një trupë milicie të vetën. Njoftimet e shtabit drejtues të ushtrisë për datat 09.10.1943 dhe 13.10.1943 mbi lirimin nga ushtria të shqiptarëve që ndodhen në Divizionin SS Malor të Bosnjes janë hedhur poshtë nga krye-komandanti i SS-ve [Heinrich Himmler].

Faqe 1191 – 10.10.1943. K.S.F.A. është dakort me idenë e shtruar më 01.10.1943 nga komanda e lartë juglindore për zhvendosjen e forcave të ndërtimit të përforcimeve në zonën e Armatës II të tankeve (bregu shqiptaro-dalmatik).

Faqe 1193 – 11.10.1943. Gjendja në Ballkan: Vazhdojnë spastrimet tona në Greqi. Në Shqipëri luftime të Divizioneve Gjuajtës 100 dhe 118 me pjesët e mbetura të Divizioneve italiane “Firenze” dhe “Venecia”.

Faqe 1197 – 13.10.1943. Qeveria [italiane] e gjeneralit Pietro Badoglio i shpall luftë Gjermanisë. Mbreti i Italisë heq dorë nga titulli “Perandor i Etiopisë” dhe “Mbret i Shqipërisë”.

Faqe 1208_1209 – 18.10.1943. Hitleri ka njoftuar këshillin e regjentit bullgar më 18.10.1943 se do t’u vijë për vizitë gjenerali M. R. von Weichs, mbi përforcimin e bregut të Thrakisë afër Kavallës me një Divizion bullgar, si dhe mbi masat që do të merren për mbrojtjen e pakicave bullgare në Shqipërinë lindore.

Faqe 1212 – 21.10.1943. K.S.F.A. përkufizon të drejtat e gjeneralit të plotfuqishëm gjerman në Shqipëri si dhe të komandaturës që do të ngrihet në Mal të Zi.

Faqe 1221 – 25.10.1943. Qeveria shqiptare nuk ka mbështetje. Nuk është arritur ende ndonjë lidhje me krerët e bandave të lëvizjes kombëtare greke dhe me Mihailoviçin [Dragoljub “Draža” Mihailoviç, komandanti i çetnikëve serbë, pro-mbretëror].

Faqe 1252 – 05.11.1943. Në Shqipëri ka dy grupe banditësh: komunistët që janë të lidhur me Titon dhe kombëtarët që nuk duan të njollosen nga lidhja me gjermanët.

Faqe 1254 – 05.11.1943. Është krijuar dhe ka kryer betimin një qeveri kombëtare shqiptare… Shtabi qendror i ushtrisë ka parashtruar më 04.11.1943 për takimin që mbahet më 05.11.1943 me delegacionin bullgar në shtabin e Hitlerit këto pika: 1) Përdorimi i një Divizioni tjetër bullgar ndërmjet Divizioneve bullgare VII dhe XVI. 2) Siguria në rajonin kufitar Bullgari-Shqipëri.

…Meqenëse Hitleri i ka premtuar kryeministrit bullgar mbrojtjen ushtarake të zonave kufitare të Shqipërisë, duhet që komanda e lartë e juglindjes ta mbajë këtë premtim. (Bëhet fjalë për një rajon me pakica bullgare, zonë të cilën ishin të gatshëm ta pushtonin forcat vendore bullgare por u penguan nga qeveria e tyre. Trupat gjermane janë shprehur të paanshme. Kur më vonë komunistët sulmuan pakicat bullgare, bullgarët kërkuan pushtimin e kësaj zone nga gjermanët. Nuk dihet arsyeja pse bullgarët nuk e pushtojnë vetë atë rajon. Për këtë detyrë ishte parashikuar Divizioni I i tankeve; meqenëse ky u zhvendos për në lindje, pakicat mbetën të pambrojtura. Mbas kësaj dhe kërkesës së përsëritur për ndihmë, Hitleri urdhëroi pushtimin e Shqipërisë lindore me trupa gjermane).

Komanda e lartë e juglindjes merr në të njëjtën ditë urdhrin për spastrimin e zonës Tetovë-Dibër-Strugë-Kërçovë-Gostivar dhe krijimin e trupave vendore të vetëmbrojtjes me ndihmën e SS-ve dhe të forcave policore të Greqisë dhe me armë të marruna forcave italiane. Më 06.11.1943, komanda e lartë e juglindjes njofton për masat që ka ndërmend të marrë. Hitleri shprehet dakort me to më 07.11.1943. Komandanti i Shtabit të Operacioneve në K.S.F.A. [gjenerali Alfred J. F. Jodl] vendos që batalionet gjermane të presin derisa të jetë ngritur milicia, e cila duhet të përbëhet nga maqedonas bullgarë. Komanda e lartë e juglindjes merr udhëzimet e nevojshme.

Faqe 1268 – 10.11.1943. Komanda e lartë e juglindjes gjykon luftën kundër Titos si detyrën kryesore, edhe më të rëndësishme se ruajtja e kufirit bregdetar. Meqenëse forcat e nevojshme për këtë janë dobësuar dukshëm për shkak të zhvendosjes se trupave në lindje, i njoftohet se Hitleri ka pranuar përdorimin e Divizionit I Malor për operacionin “Kugelblitz” [kundër partizanëve komunistë jugosllavë në Dhjetor 1943]. Pas këtij operacioni ky Divizion duhet të pozicionohet në mënyrë të tillë që të mund të përdoret si forcë rezervë në Shqipëri dhe në Greqinë veri-perëndimore.

Faqe 1275 – 12.11.1943. I plotfuqishmi gjerman në Shqipëri është gjenerali Theodor Geib, por fuqia egzekutive është në dorën e komandës së lartë të Armatës II të tankeve (Gjenerali Lothar Rendulic).

Faqe 1278 – 13.11.1943. Shënim në dosje mbi rëndësinë ekonomiko-ushtarake të Shqipërisë dhe nxjerrjen e kromit atje.

Faqe 1289 – 17.11.1943. Në Shqipëri ka vështirësi sepse ushtarëve nuk u paguhet dot rroga në monedhën vendase, sepse qeveria shqiptare nuk pranon të japë shumën e nevojshme për këtë dhe ne nuk duam të bëjmë presion më të fortë. I derguari Hermann Neubacher po përpiqet për një zgjidhje të problemit.

Faqe 1290 – 18.11.1943. Përfundim i spastrimeve të Divizionit Gjuajtës 100 në Shqipëri dhe luftime në Peljeshac [në bregdetin kroat].

Faqe 1292 – 19.11.1943. …Spastrime të sukseshme në Shqipëri dhe në veri të Malit të Zi.

Faqe 1317 – 28.11.1943. Gjendja në Ballkan: Bombardime armike në qarkullimin rrugor dhe depozitat me materiale në zonën e Kroacisë jugore, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Faqe 1330 – 02.12.1943. …Qëndrim i qetë i bandave në Shqipëri dhe Mal të Zi… Për shkak të vështirësive në financimin e ushtrisë në Shqipëri i kërkohet Ministrisë së Jashtme më 03.12.1943 të caktojë një zëvendës për të dërguarin Hermann Neubacher. Kjo i njoftohet edhe komandës së lartë të juglindjes e cila merr edhe udhëzimet përkatëse. Meqenëse po shtohet veprimi luftarak armik në rajonin shqiptaro-kroat, komanda e lartë e juglindjes njofton për rrezikun e krijuar mbi të gjitha trupat që marrin pjesë në operacionin „Kugelblitz“.

Faqe 1335 – 04.12.1943. Zyra e spiunazhit ushtarak merr udhëzimet përkatëse në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë përkundrejt Ministrisë së Jashtme përsa i përket kundërshtive kufitare bullgaro-shqiptare në liqenin e Ohrit.

Faqe 1373 – 20.12.1943. Përpjekjet e Këshillit të Regjencës nuk arrijnë të tërheqin forcat kombëtare në Shqipëri.

Faqe 1461 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 04.10.1943. Plan lufte për komandën e lartë të jugut dhe Grupin ushtarak B: …A) Unë pres që armiku t’i drejtojë sulmet e tij kryesore kundër rajonit juglindje duke u nisur nga Italia, mbase dhe me një pjesë të forcave nga Afrika. Nuk mund të parashikohet nëse kundërshtari do të drejtohet kundër Shqipërisë/Malit të Zi/Kroacisë nga Italia jugore që është e pushtuar prej tij, apo do të përpiqet të shtyjë për në veri forcat gjermane në Itali… Nënshkruar Adolf Hitler.

Faqe 1474 – [Kapitulli: Shënime dokumentesh në Ditarin e Luftës] 10.12.1943. …Divizionet italiane Arezzo, Taurinese, Ferrara, Emilia, Venecia dhe Parma në Mal të Zi dhe Shqipëri janë vënë nën komandën e banditëve; një pjesë e Divizionit Firence [Divizioni 41 i Këmbësorisë] luftojnë nën komandën e komandantit të tyre të Divizionit në anën e banditëve [në Shqipëri]. Gjithsej rreth 11000 veta. Përafërsisht 2200 italianë janë kapur prej ushtrisë gjermane.

Faqe 1540 – Udhëheqja gjermane e ushtrisë në vitin kulminant të luftës. Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943: …Pasi aeroportet shqiptare ishin pushtuar nga forcat tona që përpara kapitullimit të Italisë, u përgatit në shtator 1943 themelimi i një shteti shqiptar të pavarur. Ngritja e një shteti shqiptaro-malazez nuk u prit mirë meqenëse nuk donin të ishin të varur nga Gjermania e cila praktikisht e kishte humbur luftën. Së fundi u krijua në fillim të Tetorit me ndihmën e Gjermanisë një qeveri shqiptare e cila mori përsipër bërien gati të 30.000 forcave vullnetare.

Faqe 1545 – 1546 – [Kapitulli: Vështrim i përgjithshëm i Ditarit të Luftës i shtabit udhëheqës gjerman në vitin 1943. Në pjesën mbi Bullgarinë shkruhet]: …Qeveria e re bullgare (pas vdekjes se carit Boris) me sa duket kërkonte që mbështetja ushtarake të shpërblehej me marrje tokash në lindje të Shqipërisë, ku jetonte një pakicë e shpërndarë bullgare. Kështu më 05.11.1943, kur u bisedua mbi politikën pushtuese bullgare në Ballkan, [Ministri i Jashtëm bullgar] Schischmanoff vuri në dukje trajtimin e mirë të pakicës greke nga bullgarët në Thraki. Kësaj paraqitje të ministrit bullgar Schischmanoff i përgjigjet Hitleri me vërejtjen se kjo është një politikë e zgjuar e bullgarëve.

Për sa i përket shkëmbimit të mendimeve mbi Shqipërinë, [Kryeministri bullgar i pranishëm në takim] Bojiloff me shumë kujdes kërkoi që të mendohej mbi mundësinë e zhvendosjes së trupave bullgare në zonën e rrezikuar kufitare me Shqipërinë. [Ai tha] Bullgaria ka vetëm trupa të pakta dhe të pajisura keq, por ajo do të përpiqet të bëjë gati trupat e nevojshme për këtë qëllim. Nga ana tjetër ai beson se me bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare mund të arrihet një zgjidhje për problemet e sipërpërmendura. Hitleri mban një qëndrim negativ ndaj këtyre kërkesave dhe mendon se më e mira do ishte që trupat SS të ngrenë një trupë të përhershme të përbërë nga bullgarë. Në këtë mënyrë do të ishin të pranishme trupa bullgare në këtë rajon.

Një ideje të kryeministrit bullgar Bojiloff se ai dëshironte rishikime territoriale në kufirin shqiptar, Hitleri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt dhe sqaroi se një gjë e tillë do e ndërlikonte pa ndonjë dobi gjendjen në Shqipëri… Në zonën kufitare Bullgari-Shqipëri do të ngrihet nga trupat SS një formacion i përbërë nga bullgarë të Maqedonisë, por qeveria shqiptare e sapo krijuar në fillim të nëntorit 1943 nuk mund të njolloset me dhurim territoresh [bullgarëve].

Faqe 1614 – [Nën pjesën mbi Ballkanin si rajon operacionesh ushtarake, shkruhet]: …. Në Shqipëri u pushtuan me kohë aeroportet dhe veç kësaj grupet partizane asnjanësonin njeri-tjetrin, ndërsa një qeveri e krijuar nën ndikimin e ushtrisë gjermane pranoi rekrutimin e vullnetarëve shqiptarë për Divizionin SS “Skanderbeg”. …. POSHTËSHËNIM: Georg Kastriota, gjeneral Iskender-bej (Skanderbeg) ishte një fisnik shqiptar (1405-1468), mbrojtës i krishterimit dhe lirisë së shqiptarëve ndaj turqve.

Vëllimi IV

1 Janar 1944 – 22 maj 1945

Roli i Grup-Armatave dhe Komandave të tyre

Faqe 35. Sado i madh është roli i komandave dhe Armatave të tjera, roli i Armatës dhe komandës juglindore (Grup-Armata E me kryekomandant gjeneral-kolonelin Alexander Löhr) ishte i jashtëzakonshëm. Lexuesi i këtij libri do vëreje se si Hitleri nuk i mori parasysh këshillat e “ekspertëve” të cilët ishin ushtarakë të shkolluar por që ai i shikonte me dyshim dhe përbuzje. Vetëm me shumë vonesë ai lejoi largimin e trupave nga Kreta dhe ishuj të tjerë të Egjeut, ku ishin akoma 60,000 ushtarë. Për çudi, u krye edhe largimi i trupave nga Peleponezi ku kishte vetëm një hekurudhë dhe një urë lidhëse me pjesën tjetër të Greqisë. U krye edhe largimi i trupave nga Greqia, megjithëse aty vepronin dy palë forca partizane që për fat luftonin kundër njëra-tjetrës.

Katastrofa ishte në prag, kur trupat tërhiqeshin nëpër malet e Ballkanit, sepse nën shtysën sovjetike forcat bullgare që deri në atë kohë kishin luftuar në anën tonë na sulmuan nga krahu i pambrojtur lindor. Por ai sulm jo vetëm që u përballua por edhe u mbajtën pozicionet derisa ushtari i fundit u largua nga Shqipëria. Tërheqja e mëtejshme pengohej nga male të larta deri në 1400 metra dhe ngrica e dimrit që po fillonte, dy faktorë tmerret e të cilëve vështirë se mund të mbivlerësohen; megjithatë u rrezikua edhe më shumë ngase trupat e Titos, që deri në atë kohë ishin mbajtur në fre nga trupat gjermane, tani mund të vepronin lirshëm. Prandaj ushtria e Titos mundi të bashkohej me trupat e ushtrisë së kuqe që po vinin nga Rumania dhe pushtuan Beogradin.

Me gjithë ato vështirësi Grup-Armata E e gjeneralit Alexander Löhr arriti të mbante deri në Prill 1945 një front të mbyllur që shtrihej nëpër Kroaci dhe Bosnje, me një gjatësi prej 1500 km. Gjenerali Alexander Löhr arriti të bënte atë që nuk arriti ta bënte Napoleoni Bonaparti gjatë tërheqjes nga Rusia: ai tërhoqi trupat e tij dhe arriti të ndërtonte një front të ri i cili nuk u prish ballë për ballë por nga shpina.

Teatri Italian i Luftës (01.04.1944 – 31.12.1944)

II. Luftimet nga marrja e Romës më 4 qershor 1944 deri në marrjen e Firences (10 gusht 1944) dhe zbarkimit të armikut në Francën jugore më 15 Gusht 1944

4. Mbrojtja e zonës operative të bregut Adriatik përfshirë edhe Istrian

Faqe 540. Shtimi i veprimit të bandave në Greqinë veriore, Shqipëri dhe Mal të Zi mund t’i shërbejë bllokimit të forcave gjermane dhe përgatitjes së zbarkimit të trupave polake ose trupave të tjera sllave.

Faqe 541. Prandaj duhet që komanda juglindore të jetë e përgatitur të përballojë një zbarkim në Shqipërinë jugore ose Greqinë veriperendimore. ….. Për mbrojtjen e brigjeve të rrezikuara, Hitleri ka urdhëruar përforcimin dhe zgjerimin e mbrojtjes së brigjeve detare, përforcimin e artilerisë bregdetare me qendër rëndese brigjet e Adriatikut, duke futur në veprim forcat e artilerisë që kanë qenë në Krime dhe që tani janë të gatshme për luftim kundër bandave në Shqipërinë e jugut dhe Greqinë e veriut.

Zhvillimet Luftarake në Juglindje (01.01.1944 – 31.03.1944)

Hapësira juglindore si pjesë e teatrit të përgjithshëm luftarak

Vështrim mbrapa i vitit 1943

Faqe 603. Fronti i tretë në zonën juglindore, bregu shqiptaro-malazez-dalmat, nuk paraqiste rrezik të madh në kohën që tokat italiane në bregun e përtejmë ishin të gjitha në duart e fuqive të boshtit. Sidoqoftë, dendësia shumë e vogël e rrjetit rrugor, mungesa pothuajse e plotë e hekurudhave, gjendja e ujësjellsave, etj., do ta vështirësojnë përparimin e forcave armike dhe do t’i japin kohë komandave tona të marrin masat e nevojshme.

Faqe 604. Pasi më 25.07.1943 ra qeveria e Musolinit në Itali, u zbatua me atë rast plani “Achse” (më parë i quajtur “Alarich” për Italinë dhe “Konstantin” për Ballkanin): ndërhyrja në Itali dhe në zonën juglindore, çarmatosja e italianëve dhe marrja përsipër e mbrojtjes së zonave që më parë ishin të mbajtura nga italianet në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Greqi.

Faqe 605. Një pjesë e trupave italiane u hodh në anën e kryengritësve, sidomos pasi u dha lajmi se Italia nuk luftonte më në krah të Gjermanisë, dhe mbanin nën kontroll një pjesë të madhe të bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.

Faqe 606-607. Hitleri theksoi në ditët e fundit të Dhjetorit 1943 se ai parashikonte një sulm armik në zonën e Ballkanit sidomos në krahun e bregut dalmatiko-malazezo-shqiptar.

Shpërndarja e forcave në fillim të vitit 1944

Faqe 611. Në Shqipëri kishte dy njësi ushtarake gjermane: në afërsi të bregdetit në perëndim të Beratit ndodhej Divizioni 100 Gjuajtës dhe në zonën e Crna-s [Malit të Zi – shën. red.] Divizioni 297 Këmbësor, të dy nën komandën e Korparmatës XXI.

Analiza dhe masat kundrejt një zbarkimi të aleatëve në Nettuno të Italisë (22.01.1944)

Faqe 613. …Operacionet e zbarkimit të aleatëve janë të mundshëm së pari në bregun perëndimor të Ballkanit nga Arta deri në jug të Splitit dhe së dyti përmes Detit Egje drejt Selanikut. Në atë rast Turqia do të braktiste asnjanësinë e saj ose edhe nëse do zbatohej operacioni “Gertrude” [i pushtimit të Turqisë nga ushtria gjermane – shën. red.] aleaët do të zbarkonin në bregun perendimor të Ballkanit.

Riorganizimi i njësive SS

Faqe 623-624. Më 02.03.1944 iu bë me dije komandës së lartë juglindore se i jepej komanda taktike mbi Divizionin 18 SS Këmbësorie të Motorizuar “Horst Wessel”, përfshirë edhe trupat e zëvëndë-komandës së përgjithshme të Korparmatës XVII. Deri në një urdhër të ri, ky Divizion lejohej të përdorej vetëm për detyra të ruajtjes së sigurisë brenda rajonit ku ai ndodhej. E njëjta gjë vlente edhe për Divizionin SS “Skanderbeg”, i cili siç iu bë me dije komandës së lartë në juglindje më 12.03.1944 do të krijohej nga trupa shqiptare të ndodhura në Divizionin 13 SS Boshnjak dhe trupa milice shqiptare.

Serbia dhe Mihaloviçi në dimrin 1943-1944

Faqe 639. Edhe në Shqipëri pati në fillim kushte të përshtatshme për bashkimin e forcave kundra-komuniste dhe ngritjen e njësive milice në përputhje me planin nga Hermann Neubacher. Fuqia shtytëse në atë drejtim ishte Ministri gjermanodashës Xheva. Në bashkëpunim me të filloi në Janar 1944 ngritja e një aparati shtetëror zbatues. Bëhej fjale në fillim për mbështetjen e katër batalioneve këmbësorie të cilët ishin tashmë në veprim dhe forcat pushtuese do t’i ndihmonin nëpërmjet dhënies së armatimit, pajisjeve, personelit stërvitës dhe mbikëqyrës.

Veç asaj do të përgatitej bashkimi i të gjitha njësive që ndodheshin nën udhëheqjen e krerëve të fiseve ose udhëheqësve në një ushtri kombëtare. Udhëheqja ishte në dorën e një SS të lartë dhe kryekomandanti policie në Shqipëri, Gjeneral-Majorit dhe Komandant-Brigade SS Josef Fitzthum, i cili në dukje ishte këshilltar i Sekretarit të Shtetit Shqiptar për sigurinë kombëtare. Komanda operacionale e njësive ushtarake shqiptare të përmendura më lart në të gjitha çështjet e veprimit ushtarak, të vendndodhjes dhe kohës së veprimit të trupave ishte në dorën e komandës së përgjithshme të Korparmatës XXI në Tiranë.

Atëherë ishte edhe posti i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman, në fillim gjenerali Theodore Geib dhe pastaj gjenerali Otto Gullmann, të cilët fillimisht kishin për detyrë të ushtronin ndikimin e tyre mbi autoritetet shqiptare (për të cilat Ministria e Jashtme gjermane kërkon një pavarësi sa më të madhe) sipas udhëzimeve të komandës së lartë juglindore. Shtabi i gjeneralit të plotfuqishëm gjerman u zvogëlua në periudhën fundviti 1943 – fillimviti 1944; për ca kohë u hodh mendimi të bëhej një bashkim me komandën e gjeneralit të Korparmatës XXI, por ajo nuk u ndoq më tej. Bashkë-ekzistenca e këtyre komandave të ndryshme të cilave iu shtohej edhe i plotfuqishmi i Ministrisë së Jashtme Gjermane [Hermann Neubacher] krijoi njësoj si në Kroaci vështirësi të mëdha.

Të gjitha ato masa vështirësoheshin njësoj si në Mal të Zi prej situatës së vështirë ekonomike dhe furnizimit të keq me ushqime. Masat parandaluese të autoriteteve gjermane, para së gjithash të të dërguarit Hermann Neubacher kundër ngritjes së çmimeve dhe inflacionit, ishin vetëm pjesërisht të mbara. Në Mars – Prill 1944 të dy vendet kërcënoheshin nga uria. I dërguari Hermann Neubacher u përpoq të ndihmonte nëpërmjet ushtrisë gjermane dhe ndër të tjera kërkoi dërgimin e 120 kamionëve. Meqenëse ato mund të dërgoheshin vetëm pjesë-pjesë, Komanda Supreme Gjermane i lejoi komandës juglindore të ndihmonte me mjetet e veta; ideja ishte që komanda juglindore në zonat ku popullsia civile nuk furnizohej dot nëpërmjet administratës vendore të merrte përsipër jo vetëm furnizimin por edhe përgjegjësinë për ato zona, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me të dërguarin Hermann Neubacher.

Luftimet në muajt e dimrit dhe të pranverës

Faqe 647. Më 13.02.1944 komanda në juglindje mori urdhrin që Divizioni 100 Gjuajtës, i cili shërbente për mbrojtjen e brigjeve të Shqipërisë, të largohej që andej me shpejtesi në mbrojtje të hekurudhës në rajonin Manastir-Shkup.

Faqe 649. (Këtu bëhet fjalë kryesisht për luftën e Titos në Serbi kundër gjermanëve e cila u krye me ndihmën e këshilltarëve rusë dhe furnizimeve angleze dhe që e goditi ushtrinë gjermane në një periudhë tepër të papërshtatshme pasi trupat e duhura për ta përballuar atë ofensivë ndodheshin në Hungari. Duke bërë bilancin e forcave në të dy anët dhe rigrupimin e forcave gjermane për të përballuar atë ofensivë, shkruhet edhe: – shën. përkth.) ….. Në ditët e fundit të Marsit 1944 duhet të zhvendoseshin edhe batalione të tjera bullgare dhe dy kompani të Divizionit 297 Këmbësor nga Shqipëria lindore.

Faqe 654. Kur nuk ishte akoma e qartë se si anglo-amerikanët do t’i zhvillonin luftimet pasi kishin pushtuar Italinë, komanda gjermane u muar gjërësisht me mundësinë e një zbarkimi armik në anën perendimore të gadishullit ballkanik duke u nisur nga Italia. Prandaj ajo dhe u përpoq të kontrollonte sa më shpejt portet dhe ishujt e bregut dalmatin-malazez-shqiptar-grek. Gjë që dhe e arritën në shumicën e rasteve në muajt e vjeshtës së vitit 1943. ….. Në zonën bregdetare të mësiperme që mund të kërcënohej nga një zbarkim i aleatëve mendohej se vepronin trupa banditeske të një numri prej rreth 20’000 vetësh.

“Bardhë” dhe “Kuq” në Greqi

Faqe 669-670. Ndërsa vëmendja e ushtrisë gjermane në verën e viti 1944 ishte përqendruar në Kroaci, forcat ushtarake në Greqi ishin të pakta në numër me detyrë kryesore mbrojtën bregdetare dhe operacioneve të spastrimit në rrethina. …. Lëvizjet e rezistencës greke kurrë nuk u shndërruan në operacione në shkallë të gjërë, ashtu siç ndodhi me Titon dhe tre ofensivat e tija në Serbi. Ato ishin të lidhur shumë ngushtë me rajonin ku kishin fuqi dhe ndikim. Ndërsa ELAS [forcat komuniste – shën. red.] kishte ndikim në shumicën e Peloponezit, në Boeti, Thesali-Trakë (shtabi i tyre ishte në Verna në jug të Edesës) dhe në thellësi të Epirit; EDES [forcat jokomuniste – shën. red.] ishte i kufizuar në veri të Gjirit të Artës deri në Parga. Me udhëheqësin e forcave EDES kolonel Zerva, dhe sipas planit të dërguarit të posaçëm Hermann Neubacher, Korparmata XXII Malore në vjeshtën e vitit 1943 bëri një marrëveshje armëpushimi të përgjithshëm e cila u respektua deri në Korrik 1944. Në anën tjetër, marrëveshjet me forcat ELAS marrëveshjet kanë qenë vetëm të veçanta dhe sipas vendit.

Meqenëse marrëdhëniet ndërmjet grupeve të rezistencës greke ndryshonin vazhdimisht (ELAS dhe EDES kalonin nëpër marrëveshje afatshkurtra dhe të izoluara), udhëheqja gjermane kishte më shumë raste për të ndërhyrë për të nxjerrë jashtë loje njërën palë dhe penguar një operacion të përbashkët të tyre.

Lufta kundër kryengritësve në drejtimin juglindor në kohën e ofensivës së përgjithshme të aleatëve dhe tërheqjes së trupave gjermane

Faqe 670. Komanda e lartë juglindore lajmëronte më 21.06.1944 se nuk priste ndonjë sulm frontal në Peleponez dhe as në rajonin e ishujve Kretë-Rodos. Megjithatë duheshin llogaritur sulme të vogla vendore në zonën e veriperëndimit të Greqisë dhe në Shqipëri.

Faqe 671-672. Më 05.06.1944 Divizioni I Malor filloi operacionin “Gemsbock” (Cjapi i Egër) në zonën kufitare Shqipëri-Greqi duke u nisur nga Maqedonia. Pas ngritjes së një linje bllokuese në kufi, duke u nisur nga liqenet, duhej ecur përpara në drejtimin jugperëndimor në drejtim të bregdetit. Në këtë zonë, pas largimit të Divizionit 100 Gjuajtës, siç thekson komanda e lartë juglindore me 17.05.1944, është rritur tej mase veprimi banditesk i mbështetur nga anglezët dhe ka arritur një nivel të lartë rrezikshmërie. Komanda juglindore njofton më tej se me përjashtim të një zone të ngushtë në bregdet dhe disa pikave mbështetëse përgjatë rrugës Korçë-Janinë, ekziston në atë zonë pararoja e një trupe armike zbarkuese, e cila duhej marrë shumë seriozisht edhe për shkak të afërsisë me Barin, Brindizin dhe Tarentin që krijonin mundësinë e një zbarkimi të papritur dhe se Korfuzi kërcënohej rëndë nga sulme armike.

Komanda juglindore kishte parashikuar për atë operacion spastrues Divizionin 4 SS të Këmbësorisë së Motorizuar të policisë kufitare, por shtabi drejtues i ushtrisë gjermane nuk qe dakord me atë vendim, meqenëse ai Division si njësia e vetme e motorizuar nuk duhej të ngatërrohej në luftën me bandat, por për më tepër të mbahej gati atje ku ndodhej (në Thesali) si një rezervë e motorizuar “me sytë nga bregu”.

Përparimi i Divizionit I Malor hasi në një rezistencë të fortë të forcave kryengritëse që ishin të armatosura mirë. Si edhe në operacionin “Rösselsprung“ [më 25.05.1944 – 06.06.1944 për kapjen e Titos në Drvar të Kroacisë – shën. red.] forcat anglo-amerikane bombardonin duke u nisur nga aeroportet italiane, duke ndërhyrë kështu seriozisht në luftime. Më 12.06.1944 Divizioni I Malor arriti bregun dhe u kthye nga jugu drejt linjës siguruese të ngritur më parë në kufi. Si rrjedhim i operacionit, lajmëronte komanda e lartë juglindore më 25.06.1944, armiku kishte pësuar humbje të mëdha dhe në zonën e Shqipërisë jugore ishte e garantuar tani për tani liria e lëvizjeve operative.

Faqe 672-673. Në zonën e Shqipërisë së veriut u zhvilluan në gjysmën e dytë të Korrikut 1944 luftime të ashpra mes Divizionit Skanderbeg (i krijuar nga forca shqiptare fillimisht pjesë të Divizionit 13 SS Malor “Hanxhar”) që ndodhej atje që në Maj 1944 dhe forcave komuniste për të cilat këtu nuk po flitet më hollësisht. Ky Divizion pati këtu luftime të vështira (shiko Librin e Situatës më 24.07, 25.07, 28.07.1944). Në armatimet dhe mënyrën e luftimit të trupave komuniste u vu re përparim në bashkimin e grupeve të veçanta komuniste dhe lidhja e tyre e ngushtë me Titon. Nga fundi i muajit, ky Divizion u ndesh në kufirin shqiptaro-malazez me një sulm të ri të komunistëve që përpiqeshin të hynin në Serbinë jugore (shih Librin e Situatës 28.07.1944). Atëherë Divizioni mori urdhrin (operacioni “Draufgänger“) të krijonte një zonë përgatitore për një ofensivë të madhe të mëvonshme, duke u nisur nga rajoni në perëndim të Pejës me sulmuar në drejtim të Beranit.

Në luftimet kundër forcave të organizuara të Titos qendra e rëndesës, megjithë humbjet e mëdha që kishte pësuar lëvizja e Titos në prill dhe gjysmën e parë të majit 1944, ishte përsëri në zonën kufitare të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe në vetë Malin e Zi. Komanda e lartë juglindore vinte në dukje që më 17.05.1944 se Mali i Zi në vend që të ishte një pjesë izoluese mes Kroacisë dhe Shqipërisë, rrezikonte të kthehej në një zonë të fuqishme të pushtetit të kuq. Korparmata e dytë komuniste kishte arritur të ruante këtu fuqinë e saj goditëse duke u bërë kështu pikë grumbullimi për trupa bandite që ishin goditur dhe dobësuar në rajonet e tjera. Me sa duket udhëheqja e kuqe ka për qëllim të rifreskojë trupat në Mal të Zi dhe të fillojë një ofensivë të re në drejtim të Serbisë. Në ditët e fundit të Majit 1944, ndërkohë që në Bosnje zhvillohej operacioni “Rösselsprung”, forca të fuqishme komuniste u përpoqën të futeshin në Serbi nga pjesa juglindore e kufirit serbo-malazez (Libri i Situatës 30.05.1944). Në fillim të Qershorit u grumbulluan trupa në verilindje të Malit të Zi nën komandën e gjeneralit Leeb [Helge Auleb? – shën. red.] për të pushtuar aeroportet dhe vendet ku mund futeshin bandat (Libri i Situatës 06.06.1944). Në fund të Qershorit u hartua plani për të ndërmarrë një operacion tjetër spastrimi, në të cilin do të merrnin pjesë Divizioni shqiptar SS Skanderbeg së bashku me forcat malore dhe të policisë SS (Libri i Situatës 20.06.1944). Operacioni përfundoi më 30.06.1944 pa arritur që të shkatërronte forcat e grumbulluara armike të cilat përpiqeshin me u futur në Serbinë jugore (Libri i Situatës 01.07.1944).

Faqe 674. Gjenerali nacionalist grek Zervas që pati bërë marrëveshje për qëndrim asnjanës me gjermanët, i sulmoi forcat gjermane papritmas më 05.07.1944 në linjën Prevezë-Agrinio. Mendohet se atë ta ketë bërë mbase nën nxitjen e anglezëve, por nuk përjashtohet mundësia ta ketë bërë edhe thjesht për interesin vetiak. …… Në një përmbledhje të vlerësimit të situatës më 12.07.1944, komanda juglindore thekson se ekziston mundësia e një lidhjeje mes gjallërimit të forcave të Zervës dhe qëllimeve të zbarkimit të anglo-amerikanëve në Greqinë perëndimore ose në Shqipërinë jugore dhe e quante në këtë çështje shkatërrimin e trupave të Zervës si një detyrë shumë të rëndësishme.

Një rrezik tjetër i rëndësishëm, siç theksonte komanda juglindore, ishin përgatitjet për një ofensive komuniste në drejtim të Serbisë jugore ose në zonën e Kosovës me qendër rëndese në rajonin Berani-Bjelopolje, gjë që u vërtetua nga masat e marra nga komunistët në zonën e Serbisë juglindore.

Faqe 675. Shtabi suprem i ushtrisë gjermane, i cili më 15.07.1944 vlerësoi situatën e paraqitur nga komanda juglindore, llogariste prej kohësh një sulm të aleateve të nisur nga Italia kundër Greqisë veriore dhe Shqipërisë jugore, sulm i cili mund të ndërthurej edhe me një operacion në ishullin Rhodos (Komunikata e gjeneralit von Buttlar 29.06.1944). Prandaj shtabi suprem e quante të padëshiruar largimin e Divizionit 1 Malor për në Mal të Zi; ky Divizion kishte rëndësi të madhe në përballimin e ofensivës së aleatëve në Greqinë veriore dhe Shqipërinë jugore; po më parë ai duhej të shkatërronte bandat e Zervës, gjë që ishte kusht paraprak për përbalimin e zbarkimit të forcave aleate. Por tani për tani nuk është marrë ndonjë vendim, meqenëse këto çeshtje do të diskutohen gjatë një vizite të afërt të shefit të shtabit juglindor, gjeneral-majorit August Winter – takim i cili u zhvillua më 20.07.1944.

Faqe 675-676. Komanda e lartë juglindore përsëriti kërkesën [më 17.07.1944] për ta dërguar Divizionin I Malor në Mal të Zi, duke theksuar ndikimin psikologjik të tij në një betejë për në Sofien. Për Greqinë perendimore, ajo kërkoi daljen nga rezerva në Thesali të Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar, i cili bashkë më njësitë e tjera të Gruparmatës E mund të përdoreshin kundër forcave edhe komuniste edhe të Zervës, ose të paktën të përdoreshin në rast të një zbarkimi të aletaëve në rajonin e Janinës.

Faqe 677. …. c) EDES dhe ELAS në Greqinë veriperëndimore: Përdorimi i Divizionit 4 SS të Policisë së Motorizuar në bregun perendimor të Greqisë filloi më 27.07.1944 (Libri i Situatës 28.07.1944). Ndërkohë një situatë e re u krijua, siç paraqitet në një njoftim të komandës së lartë juglindore. Forcat e Zervës ndërprenë sulmet, kështu që duket e mundshme me i rifilluar bisedimet me to. Komanda e lartë juglindore kërkon të ndiqet ky qëndrim i cili ka lidhje me situatën në Greqi, veçanërisht në Athinë ku qarqet nacionaliste janë gati të bëjnë marrëveshje me fuqinë pushtuese [gjermane] dhe nuk mendohet e pamundur për Zervën të pranojë kërkesat gjermane (largimin nga bregu dhe porti i Pargës, luftën kundër forcave komuniste, etj.). Nga ana tjetër, situata është përkeqësuar në Epirin jugor nga veprimi i 7 Brigadave komuniste. Synimi i këtij grupi ishte ndoshta pushtimi i rripit bregdetar Prevezë-Mesolongji. Prandaj komanda e lartë juglindore hartoi në marrëveshje me Grup-Armatën E operacionin “Kreuzotter” me anë të cilit Divizioni 4 SS i Policisë së Motorizuar dhe njësi të Divizionit 104 Këmbësor sulmojnë në drejtimin jugor nga Janina mbi Artë; në të njëjtën kohë sulmohen forcat ELAS në Beoti dhe në jug të Pindit. Përshtypja që do lenë sukseset gjermane në këto beteja ndoshta do të ndikojë që Zerva të pranojë kërkesat gjermane; përndryshe, pas përfundimit të operacionit “Kreuzotter”, forcat e liruara do të sulmojnë rajonin e mbajtur prej tij.

Faqe 680-681. …. d) Ndikimet e kthesës (Gusht-Shtator 1944): ….. Kur komandanti i komandës së lartë juglindore, i dërguari Herman Neubacher, Ministri i Jashtëm [Joachim von Ribbentrop], kryekomandanti i SS [Heinrich Himmler], etj. u mblodhën më 22.08.1944 në shtabin e Hitlerit, një udhëzim i ri për zhvillimin e operacioneve në drejtimin juglindor ishte përgatitur (22.08.1944). Ai nuk u firmos, sepse ditën tjetër një situatë krejtësisht e re ndodhi në Rumani [forcat sovjetike çajnë frontin në Rumani, Rumania kaloi në anën sovjetike – shën. red.]. Kështu edhe lëkundjet e Turqisë dhe ndryshimi i qëndrimit në Bullgari [Bullgaria u shpall asnjanëse më 26.08.1944 dhe kërkoi largimin e trupave gjermane – shën. red.] sollën ndryshimin në rajonin juglindor. Pozita e mëparshme gjermane në këtë rajon nuk mund të ruhej më: më 26.08.1944 komanda e lartë juglindore mori urdhërin e përgatitjeve për tërheqje të tërë trupave dhe paisjeve në jug të linjës Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp, kështu braktisja e Detit Egje dhe Greqisë filloi.

Faqe 681. …. e) Rasti i tretë i Titos në Serbi (Korrik-Gusht 1944): ….. Operacioni “Draufgänger“ i Divizionit SS Malor Skanderbeg në kufirin malazezo-shqiptar (Berane) tërhoqi trupa të shumta armike në luftim, por nuk mundi të ndalonte ofensivën e Korparmatave I dhe II komuniste në drejtim të Serbisë.

Faqe 682. Grumbullimi i Divizionit I Malor u vonua sepse mbartja e tij nuk ishte planifikuar. Më 03.08.1944, hekurudha afër Mitrovicës u ndërpre ndërsa pjesët e Divizonit që arrinin u detyruan të futeshin në luftime përreth rajonit të Pejës. (Libri i Situatës 04.08.1944)

Faqe 685. Në Divizionin SS Malor Skanderbeg u vunë re në fillim të shtatorit raste të përsëritura të dezertimit dhe shpërbërjes, kështu që u urdhërua shpërndarja e tij.

Faqe 686. Një ofensivë [e aleatëve] kundër ishujve Rhodos-Karpathos, Peleponezit, brigjeve të Greqisë veriore dhe të Shqipërisë jugore vlerësohet si e mundshme, sidomos duke patur parasysh përgatitjet në zonën egjiptiano-syriano-palestineze.

Faqe 690. (Këtu shkruhet për tërheqjen e trupave gjermane nga Ballkani, tërheqje e cila filloi në Tetor 1944 – shën. përk.) …. Pak më ngadalë u krye tërheqja nga zonat bregdetare të Malit të Zi dhe Shqipërisë gjë e cila lidhej ngushtë me tërheqjen e Grup-Armatës E (Durrës 12.01.1945, Cetinje 17.01.1945, Kotorr 21.01.1945, etj.).

Faqe 699. Deri në javën e parë të Tetorit 1944, qëllimi i komandës gjermane ishte që me Grup-Armatën E (e cila mori më 03.10.1944 urdhrin për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria jugore dhe Maqedonia jugore) e ndodhur në „Linjën blu“ Shkodër-Shkup-Këlcyrë [në Greqinë veriore – shën. red.] dhe me Grup-Armatën Serbia e ndodhur në linjën Negotin-Danub (që nga 01.10.1944) dhe atë Vlasotince-Bela Palanka-Zajeçar-D. Milanovac (që nga 05.10.1944), të mbahej zona kroato-malazeze-shqiptaro veriore dhe serbe. Por shumë shpejt u pa se pjesa më e madhe e Serbisë ishte humbur. Me 10.10.1944 u dha urdhëri për tërheqjen përtej [lumit të] Moravës.

Faqe 701. Në javën e parë të nëntorit u qartësua plotësisht se cilat ishin qëllimet e udhëheqjes sovjetike: Armatat sovjetike kishin filluar ofensivën në Hungari, kurse detyra e bullgarëve dhe e njësive të Titos ishte shkatërrimi i pozicioneve gjermane në zonën kroato-malazeze-shqiptaro-veriore dhe në atë mënyrë të futej nën kontrollin sovjetik pjesa perëndimore e gadishullit ballkanik pak a shumë sipër linjës Shkodër-Velesh [në Maqedoni – shën. red.], në përputhje me ndarjen e zonave në Moskë.

Faqe 704. Lëvizja komuniste shqiptare, që ndoshta me sa duket pat filluar me nismën vendase, gjatë verës [1944] u bë pjesë e qëndrueshme e organizatës së Titos si “Shtab Qëndror për Shqipërinë“. Krijohet përshtypja se për ca kohë ka egzistuar edhe plani për ta futur Shqipërinë në federatën jugosllave (Libri i Situatës 25.07.1944).

Faqe 706. Në pritje të një ofensive të përgjithshme dhe mjaft kërcënuese të aleatëve, shtimi i veprimeve të kryengritësve në rajonet e Europës juglindore akoma nën zotërimin gjerman dhe dështimi i krijimit të qeverive në Mal të Zi dhe Shqipëri rishtruan pyetjen: nëse të paktën organizatat vullnetare serbe dhe lëvizjet politike prapa tyre duke marrë më shumë ndihmë në armatime dhe furnizime a do mund të bëheshin një forcë ndihmëse edhe luftarake për ushtrinë gjermane edhe për të krijuar një zonë sigurie për të gjithë.

Faqe 707. I dërguari i posaçëm për zonën juglindore Hermann Neubacher u ndodh në Prill 1944 për ca kohë në shtabin qëndror të udhëheqjes për të diskutuar çështje të kohës. Ndër të tjera: ….. d) Dhënien e 120 kamionëve të cilët siç është përmendur më herët ishin kërkuar më parë për të mënjanuar problemet e furnizimit të popullsisë në Shqipëri dhe Mal të Zi ku kërcënonte uria. Kjo kish rëndësi sepse shtimi i veprimtarisë së bandave kishte lidhje edhe me mungesën e ushqimeve. Me ato masa i dërguari i posaçëm shpresonte të organizonte forcat kombëtare shqiptare me qëllim që të arrinin një numër prej rreth 20’000 vetësh. Për atë i nevojiteshin automatikë për 10-15000 vetë dhe futja e njësive të vogla gjermane me granatahedhës në forcat kombëtare shqiptare. Veç kësaj i dërguari i posaçëm Hermann Neubacher duhej të diskutonte në shtabin qëndror të udhëheqjes gjermane edhe çeshtjen e financimit të ushtrisë gjermane në Greqi dhe Shqipëri, pasi falimentimi i plotë i monedhave vendase dukej i pashmangshëm.

Faqe 708. …. Në të njëjtën kohë, Janar 1944, organet qeveritare të sapongritura në Shqipëri u shpërndanë. Pjesëtarët e besueshëm të batalioneve gjuajtës që u shpërndanë u rigrupuan në Divizionin SS shqiptar “Skanderbeg”.

Faqe 720. Komanda juglindore duke vënë në dukje kërcënimin ndaj hekurudhës në Maqedoni, gjendjen e rëndë të transportit dhe mungesën e qymyrit për shkak të sabotazhit, kërkoi në mënyrë të përsëritur një vendim në lidhje me Greqinë derisa më 03.10.1944 mori urdhërin për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria e jugut dhe Maqedonia e jugut. …… Më 16.10.1944 u tërhoqën nga [qytetet greke] Teba dhe Itea, njëkohësisht filloi tërheqja edhe nga ishulli Lemnos. Më 21.10.1944 prapavija gjermane ndodhej në linjën Larisë-Qafë e Metsovonit; më 23.10.1944 u krijua një linjë bllokuese në të dy anët e Korçës. Dy ditë më parë u tërhoqën nga Volosi, porti i fundit i rëndësishëm në jug të Selanikut. Më 25.10.1944 fronti kalonte në liqenet e Shqipërisë jugore.

Faqe 721. Në Shqipëri vazhdonte të mbahej linja Durrës-Elbasan. Në natën nga data 1 në 2 Nëntor 1944, prapavija e Grup-Armatës E kalon kufirin greko-maqedonas pa ndonjë trysni armike të rëndësishme. Dalja nga Greqia kishte përfunduar.

Faqe 723. Më rëniën e qytetit të Njishit, Grup-Armata E humbi lidhjen hekurudhore. Por ofensiva ruse në Serbinë jugore dhe e bullgarëve në jug dhe jugperëndim të Njishit po kërcënonte edhe rrugën e fundit të rëndësishme të marshimit nga Shkupi nëpër Mitrovicë, Kraljevo, Uzice për të arritur në Sarajevë. Kalimi nëpër malësinë e Shqipërisë lindore dhe në lindje të Malit të Zi do të ishte fundi i një tërheqje të bashkuar për Grup-Armatën E.

Faqe 724. … Në të njëjtën kohë bullgarët lëshuan një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Shkupit dhe kështu rreziku i copëtimit për Grup-Armatën E u rrit. ….. Divizioni 11 Trupave Ajrore u tërhoq në veri dhe lindje të Prishtinës dhe krijoi një front të harkuar. ….. Betejat më 02.11.1944 dhe përparimi i tre Divizioneve bullgare dhe një brigade tankiste në veri të Podujevës shkaktuan çarjen e frontit në Qafën e Mërdarës dhe kërcënimin e nyjës rrugore në Prishtinë. …. Një tërheqje e planifikuar nga Maqedonia u hartua. Më 06.11.1944 Strumica u lirua; më 07.11.1944 praparoja e Korparmatës XX ishte në Shtip. Më 11.11.1944 u braktis Veleshi dhe në natën e datave 13/14.11.1944 u lirua Shkupi. Në Prishtinë, po zhvillohen beteja të ashpra me bullgarët.

Faqe 725. Në tërheqjen e Grup-Armatës E, tërheqja e Korparmatës XXI (Divizionet 181, 297 Këmbësore, Brigadat e Fortesave, etj.) nga Shqipëria zë një vend të veçantë. Tërheqja ishte planifikuar fillimisht të kalonte nga Nikshiçi [në Mal të Zi] dhe Trebinja [në Bosnjën jugore] për të arritur në Mostar, gjë që u bë e pamundur mbasi armiku zuri daljen në Adriatik të lumit Narenta. Kështu që trupave iu pre rruga e tërheqjes dhe do iu duhej të provonin të çanin nëpër një malësi në drejtimin verilindor të zotëruar nga forcat e Titos.

Mbas largimit nga Tirana më 17.11.1944, u mblodh një njësi ushtarake në Podgoricë për të sulmuar Nikshiçin, sulm i cili dështoi. Më 22.11.1944 krye-komandanti i trupave të juglindjes shkoi vetë me avion në Shqipëri për të vlerësuar mundësinë e një çarje të frontit për këtë njësi ushtarake. U vendos që njësia të kthehej nga Podgorica në Prijepolje nëpërmjet Kolashinit dhe Bjelopoljes dhe atje të bashkohej me trupat që tërhiqeshin nga Maqedonia.

Më 29.11.1944 u larguan nga Shkodra prapavijat e kësaj trupe, por u mbajtën edhe për ca kohë pozicionet më në veri. Divizioni 181 Këmbësor ishte larguar nga Kotorri më 21.11.1944. Marshimi vazhdonte i shoqëruar me luftime të ashpra me forcat e Titos dhe vështirësohej edhe më shumë nga reshjet e dëborës dhe një përmbytje të madhe që ndodhi më 11.12.1944 prej së cilës u prishën të gjitha urat e rëndësishme.

Faqe 815. Komanda juglindore ndërmerr në fillim të Korrikut një operacion të madh për pastrimin e Shqipërisë jugore nga bandat komuniste të atjeshme, operacion i cili nën udhëheqjen e Grup-Armatës E që mori për ndihmë edhe Divizionin 1 Malor arriti një sukses të plotë dhe prishi lidhjen që po krijohej me zonat qendrore të vendit.

Faqe 820. Më 03.10.1944 Hitleri lëshon urdhrin për tërheqjen nga Greqia, Shqipëria jugore dhe Maqedonia jugore.

Faqe 821. ….. Trupat gjermane largohen më 12.10.1944 nga Vlona, nga Selaniku më 31.10.1944. Prapavijat kalojnë kufirin greko-maqedonas më 1-2.11.1944. Por në Shqipëri u krijua një front i ri në linjën Durrës -Elbasan.

Faqe 822. Për të mbrojtur luginën e lumit Ibër [në Kosovën veriore – shën. red.] prej bullgarëve që po afroheshin nga jugu nëpër malësinë e Kopanikut, Grup-Armata E grumbulloi forca kombëtare shqiptare të cilat nën udhëheqjen gjermane bëjnë një luftë shembullore.

…Nga tetori në mes të nëntorit 1944, armiku përparon me humbje të jashtëzakonshme në njerëz kundrejt tërheqjes tonë duke u mbrojtur. Një situatë e veçantë u krijua më 02.11.1944 dhe në ditët më pas kur tre Divizione armike dhe një Brigadë tankiste sulmojnë në veri të Podujevës dhe çajnë në Qafën e Mërdarës. Nyja e rëndësishme rrugore e Prishtinës u rrezikua mjaft. Megjithatë, duke përdorur rezervat e fundit, u bë e mundur brenda mbrëmjes të së njëjtës ditë me e ndalur përparimin dhe sulmet e tjera të armikut.

Faqe 822-823. Vendimet e komandës së lartë juglindore për tërheqjen e Grup-Armatës E janë në kohën kur Armata II Tankiste po sulmon në Drin dhe Srem. Praparoja u tërhoq nga Maqedonia e jugut; Veleshi u braktis më 11.11.1944, Shkupi në natën e datave 13/14.11.1944, bullgarët risulmojnë furishëm në veri të Prishtinës më 20.11.1944.

Faqe 823. ….. Tërheqja e trupave gjermane për në veri u vonua me të paktën 10 ditë për shkak të veprimeve të shumta banditeske në zonën e Tiranës. Prandaj trupat gjermane u larguan më 17.11.1944 prej Tiranës. Më 20.11.1944 mblidhet në Podgoricë një trupë e cila është mjaft e fuqishme që mund të guxojë të sulmojë Nikshiçin. Por ky sulm dështon dhe tregon se edhe duke sjellë pjesë të tjera të Korparmatës XXI do të jetë shumë e vështirë për të çarë frontin aty.

Faqe 824. Çarja e frontit prej Korparmatës XXI duket shumë e vështirë. Mbas një sulmi të fuqishëm merret ura në Bioçe [verilindje, sipër Podgoricës] më 28.11.1944, e cila edhe duhet riparuar në kushte shumë të vështira nën goditjen e avionëve armiq në mënyrë që të mundësohet largimi i shumicës së trupave prej Shqipërisë. Largimi nga Shkodra mundësohet vetëm më 30.11.1944. Më tej duhet luftuar për çdo kilometër jo vetëm kundër armikut të pabesë por edhe kundër fuqive natyrore. Më 12.12.1944 ndodh një përmbytje e madhe e cila shkatërron gjithë urat e sapo rindërtuara dhe vonon kështu proçesin e tërheqjes. Anglezët të cilët bashkëpunonin me bandat, e shfrytëzojnë këtë rast për ndjekjen e trupave përgjatë rrugës së tërheqjes duke mundur t’u shkaktojnë dëme të ndjeshme sidomos në makina kolonave të marshimit, pasi ato ishin në pritje dhe në terren të hapur.

Faqe 863. Forcat gjermane të cilat ndodhen në Shqipëri kërcënohen të shkëputen nga bashkimi me forcat e tjera dhe sipas urdhrit për tërheqje largohen më 20 Nëntor 1944 nga Tirana, më 29 Nëntor 1944 nga Shkodra dhe arrijnë të bashkohen më 18 Dhjetor 1944 me Grup-Armatën E e cila u liroi rrugën e bashkimit.

…Mbas tërheqjes prej Shqipërisë dhe Serbisë, Grup-Armata E zuri një pozicion të tillë që mundëson tërheqjen e forcave që dalin nga Bosnja-Hercegovina dhe që shtrihet në linjën Mostar-Vishegrad-Drina.

Faqe 865. (Këtu përshkruhet situata në fund të vitit 1944. – shën. përkth.) …. Në juglindje BRSS zotëron Rumaninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë. Grup-Armata E (gjeneral-koloneli Alexander Löhr) kishte në zotërim ende pjesë të Kroacisë; Serbia ishte tashmë nën Titon. Gjysma e Hungarisë ishte e humbur, Budapesti ishte i rrethuar. Hapësirat gjermane dhe austriake ishin tani të rrezikuara drejtpërsëdrejti.

Lufta e armikut për të penguar shfrytëzimin e pasurive minerale dhe lëndëve të tjera të para

Faqe 936. …5. Një metal tjetër i nevojitur ishte kromi. Kërkesat në rritje për të mundën të plotësoheshin gjithnjë e më mirë pasi ushtria gjermane pushtoi Ballkanin. Sepse në atë mënyrë u krijua mundësia e shfrytëzimit të minierave në Greqi, Bullgari, Serbi dhe mbas kapitullimit të Italisë edhe në Shqipëri.

Librat e Situatës (01.01.1945 – 20.04.1945)

Faqe 1013 – 14.01.1945. Gjendja e armikut në Kroaci: Njësitë shqiptare mbetën mbrapa. Kundërshtari po përpiqet të dërgojë njësi serbe në drejtim të verilindjes në zonën në jug të Syrmies duke anashkaluar Sllavoninë [në Kroaci].

Faqe 1184 – 19.03.1945. Politikë: Një i dërguar anglez ka arritur në Shqipëri dhe anglezët i kanë kërkuar Titos të tërheqë trupat e tij.

Shënime të Gjeneralit Alfred Jodl në burgun e Nurembergut në lidhje me ndikimin e Hitlerit në mënyrën e zhvillimit të luftës

Faqe 1719. …Tanket angleze i shtynë trupat italiane të gjeneral Rodolfo Grazianit deri në kufijtë e Cyrenaices [rajoni lindor i Libisë] dhe në vend që Italia të arrinte një fitore të shpejtë në Greqi po rrezikonte dhe humbjen e Shqipërisë. Në atë situatë në Romë ndjenja e humbjes doli mbi krenarinë dhe thirrjet për ndihmë arritën deri në Berlin. Në atë situatë Hitleri vendosi: Në kushtet e luftës moderne ajrore, lufta duhej mbajtur sa më larg kufijve të Gjermanisë. Me Greqinë ai nuk donte përplasje, prandaj dhe nuk pranoi të ndihmonte Italinë në Shqipëri.