Dëshmia e Sejfulla Tetës nga Fush-Kruja i cili në 1983 u dënua me vdekje për atentat ndaj Enver Hoxhës dhe në 2001 vuajti 13 muaj burg për atentat ndaj kryeministrit Ilir Metes

Filed under: Dossier |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

tumblr_inline_nnb98xE6JS1tre79z_1280“Ja pse i hodha bombat në ambasadën jugosllave në ’81”

Pas arrestimit të Pirro Priftit, me të cilin në 23 prill të vitit 1981 kisha hedhur bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë, unë përfundimisht vendosa që të arratisesha nga Shqipëria. Kështu në mëngjezin e 29 shtatorit të vitit 1982, teksa isha duke u përgatitur për t’u arratisur, aty në shtëpinë time më erdhi vetura e drejtorit të Fabrikës së Çimentos dhe më njoftuan të shkoja me ta për të rregulluar një eskavator. Unë ndjeva diçka dhe u thashë atyre që më kërkuan që të ecnin përpara se po dilja në këmbë pas tyre. Sapo dola aty tek rruga nacionale ku ndodhet lapidari i Shote Galicës, tek këmbët e mija ndaluan dy makina. Një nga ata që dolën prej tyre, ishte dhe Sadik Smaja, shefi i krimeve të rrethit të Krujës, i cili m’u hodh menjëherë në qafë duke më thënë: “Ke kujtuar se jeta është aventurë”. Pasi më vunë hekurat ata më futën në makinë dhe më nisën menjëherë për në Degën e Brendëshme të Krujës, ku zv / kryehetuesi Nexhat Selimi, më tha: “Të kemi arrestuar pasi ti ke dashur që të vrasësh me atentat, udhëheqësin kryesorë të Partisë”. Unë u habita nga ato fjalë dhe në mënyrë instiktive e pyeta: “Kë, Enver Hoxhën”? Akoma pa mbaruar mirë fjalën, në kulmin e nervave, Nexhat Selimi më tha: “Mos ia përmënd emrin, more bajgë, more ndyrësirë”, dhe ngriti shkopin e gomës të më qëllonte. Unë nuk durova dhe i thashë: “Njeri i ndyrë je ti, megjithë atë”. Nga ai moment e deri sa jam përmëndur pas disa orësh, unë nuk mbaj mënd gjë, pasi kam qenë pa ndjenja nga rrahjet që më bënë me shkopinj gome”.

Kështu e kujton arrestimin e parë të tij, 55-vjeçari nga Fushë-Kruja, Sejfulla Teta, i cili dëshmon eksluzivisht për “Gazetën” duke rrëfyer për herë të parë të gjithë peripecitë e jetës së tij. Po kush është Sejfulla Teta, cila është e kaluara e tij dhe kur i lindën për herë të parë pakënaqësitë ndaj regjimit kominist të Enver Hoxhës? Si u njoh Sejfullai me Maks Uçin, vëllain e Profesor Alfred Uçit, inxhinjerin që ishte diplomuar jashtë dhe përse Maksi i fliste atij kundër regjimit komunist? Përse Sekretari i Parë i rrethit të Krujës e kërcënoi Sejfullanë me arrestim në mbledhjen ku po demaskohej Maks Uçi dhe aksidenti që i mori jetën inxhinjerit rebel në qytetin e Laçit natën e vitit të ri,1980? Përse Sejfulla Teta akuzoi publikisht Sigurimin për vrasjen e Maks Uçit në shtëpinë e Alfred Uçit dhe si e mbrojti Profesori i njohur mikun e ngushtë të vëllait, në përkujtimin e gjashtëmujort të vdekjes së tij? Cilat ishin arsyet që e shtynë Sejfulla Tetën për të vënë bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë dhe kush ishte Pirro Prifti, bashkëpunëtori i tij në atë aksion? Si u arrestua Pirro Prifti gjatë tentativës për arratisje dhe si e çmëndi Sigurimi atë në qelitë e hetuesisë gjatë kohës që priste dënimin me vdekje? Kush ishin pesë intelektualët me origjinë nga Kosova që u akuzuan se donin të vrisnin me atentat Enver Hoxhën, gjatë vizitës që ai do bënte në muzeun e Skënderbeut në Krujë? Çfarë i kërkonte Sejfullait, hetuesi Nexhat Selimi dhe kush ishte provokatori që ai i futi atij në qeli? Çfarë biseduan për shtatë orë në qelitë e Krujës, në një janarin e vitit 1983, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai me Sejfulla Tetën? Përse Sejfullai nuk e pranonte akuzën që i bëhej dhe përse “bashkëpunëtorët” e tij kosovarë e firmosën atë gjatë hetimeve? Përse zgjati tetë ditë gjyqi që i dënoi me vdekje katër “atentatorët” e Enver Hoxhës dhe pse u filmua ai me kamera televizive? Si iu fal jeta Sejfulla Tetës dhe tre pjestarëve të grupit, e makinacionet e Sigurimit për t’i përpalsur ata me njëri tjetrin në galeritë e minierës së Qafë-Barit? Cilat ishin arsyet e vdekja enigmatike në Burgun e Burrelit, të Selim Kelmendit, njërit prej “atentatorëve” të Enver Hoxhës, pas letrës që i dërgoi ai Ramiz Alisë? Ku e vuajti Sejfulla Teta dënimin dhe përse ai u lirua me të fundit të burgosur politik në marsin e vitit 1991? Si u arrestua Sejfullai përsëri në vitin 2001 duke u akuzuar se i kishte hedhur eksplozivin, kryeministrit Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë? Si u mbajt ai i arrestuar për 13 muaj në qelitë e Durrësit dhe si e fitoi lirinë më pas duke marrë edhe dëmshpërblimin? Për të gjitha këto e plot ngjarje dhe fakte të tjera të jetës së tij, na njeh intervista ekskluzive e Sejfulla Tetës të cilën po botojmë më poshtë duke filluar nga numri i sotëm.

Zoti Sejfulla, ku keni lindur dhe cila është origjina e familjes suaj?
“Unë kam lindur në vitin 1949 në Fushë-Krujë, prej nga është dhe origjina e familjes sonë dhe ku vazhdoj të jetoj akoma në trojet e të parëve të mij. Babai im është quajtur Ahmet Teta, por mua mua më ka marrë dhe më ka rritur xhaxhai, Ali Teta, i cili ka qenë një nga burrat më të njohur në zonën e Fushë-Krujës. Aliu ka qenë një nga miqtë më të ngushtë të Abaz Kupit dhe roje personale i tij gjatë kohës së Luftës”.

Po pas mbarimit të Luftës ku kanë punuar njerzit e familjes tuaj?
“Pas mbarimit të Luftës, babai im, axha dhe të gjithë të tjerët kanë punuar në kooperativë. Vetëm njëri nga xhajet e mi, Ramazani, ka punuar në ndërtime deri sa u gjet i vrarë në shtëpinë e tij më 31 dhjetor të vitit 1952. Vrasja e tij mbeti enigëm për shumë vjet. Por faktikisht atë e vrau shteti në mënyrë që ta kishte familjen tonë nën thundër e të nënshtruar”.

Kur e mësuat të vërtetën e vrasjes së xhaxhait tuaj?
“Të vërtetën e vrasjes së xhajit, Ramazanit, nga Sigurimi i Shtetit, unë e mësova rastësisht në vitin 1966, kur një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e tij, kishte pohuar atë në pije e sipër”.

Pasi e mësuat atë gjë, çfarë bëtë?
“Në vitin 1981, kur punoja si eskavatorist në guroren e Krujës, mora dinamit dhe në ora 12 të natës shkova në qytetin e Mamurrasit tek shtëpia e atij që kishte thënë se kishte marrë pjesë në vrasjen e xhajit tim, me mbiemër Dervishi. Nga plasja e dinamitit pati vetëm dëme materiale dhe u thyen shumë xhama të atij qyteti. Në fakt unë nuk desha që të vrisja njeri, por vetëm për t’i treguar atij personi se ne ishim gjallë”.

A u diktuat për vënien e dinamitit?
“Jo për shumë vjet, mua nuk më diktoi njeri”.

Kur keni filluar punë për herë të parë dhe ku keni punuar?
“Unë kam filluar punë që në vitin 1966, kur nuk isha më shumë se 17 vjeç. Në fillim kam punuar si montator, mekanik dhe më pas për shumë vjet si eskavatorist”.

Pakënaqsitë e para kundër regjimit komunist të asaj kohe që kur u patën lindur?
“Që pas vrasjes së xhajit tim në 1966, unë nuk e kam dashur më atë regjim. Pakënaqësitë filluan të më shtohen akoma dhe më shumë kur fillova të punoja me të burgosuroit politikë në Fabrikën e Çimentos. Aty kam njohur Bedri Spahiun e shumë prej tyre për të cilët ndjeja një keqardhje për mënyrën se si i trajtonin”.

Po në vitet e mëpasme a bisedonit me njeri kundër regjimit në fuqi?
“Një nga njerzit që më ka folur për herë të parë kundër regjimit, ka qenë Maks Uçi, vëllai i Profesor Alfred Uçit, të cilin e kam njohur për herë të parë në vitin 1972 kur atë e sollën si inxhinjer gjeolog në guroren e Krujës ku punoja unë. Maksi ishte diplomuar jashtë shtetit dhe ai kishte kulturë perendimore. Maksi i donte shumë punëtorët dhe ai nuk i duronte dot padrejtësitë që u bëheshin atyre nga administrata. Maksi na thoshte shpesh se rendimenti në punë arrihej nga teknologjia e përparuar dhe jo nga puna e krahut. Në të gjitha konfliktet që kishte në mes puntorëve dhe administratës, Maksi mbante anën e punëtorëve, prandaj drejtoria filloi ta kishte halë në sy. Gjatë një mbledhje në gurore, Maksi tha se punëtorët paguheshin shumë pak, prandaj nuk mund t’u kërkohej shumë punë. Nga ky qëndrim i tij, drejtoria organizoi një mbledhje për ta demaskuar, ku merrnin pjesë rreth 400 punëtorë. Aty në mbledhje Maksi bëri një debat me Ymer Limanajn, sekretarin e dytë, që kishte ardhur si i deleguar. Unë isha në rradhë të parë dhe më thanë të çohesha e të flisja se si e njihja inxhiner Maksin, me një fjalë t’i bënim biografinë atij”.

A u ngritët dhe folët ju?
“Unë u ngrita dhe thashë: “Çfarë biografie t’i bëj unë këtij, kur ky është nipi i Petro Nini Luarasit, pra nipi i ABC. Ky ka bërë shkollën jashtë dhe biografinë ia ka bërë Partia”. Pasi fola kështu, vazhdova më tej duke thënë se Maksi mbronte punëtorët dhe luftonte dallaverexhijtë. Në këtë kohë sekretari i dytë më pyeti se kush ishin dallaverexhijtë, dhe unë ia thashë se ata ishin sekretarët e partisë, që nuk të linin të punoje duke të përmëndur partinë orë e çast. Pas kësaj, sekretari i parë i rrethit që erdhi aty, më kërcënoi duke thënë: “Këtu ka vënd për arrestime”.

Si u mbyll ajo mbledhje?
“Mua deshën të më arrestonin, ndërsa Maksin e transferuan për në guroren e Laçit. Pasi punoi për gjashtë muaj në Laç, Maksit i erdhi transferimi për të shkuar si specialist në Ministri. Natën e vitit të ri 1980, pasi kishte bërë dorzimet, ai kishte marrë rrogën dhe ishte ulur me dy shokë për të pirë ndonjë gotë e për t’i qerasur me rastin e largimit. Por ai nuk mundi të kthehej në Tiranë, pasi u gjet i vdekur në rrugën nacionale , (tek peshorja e kromit) në të dalë të qytetit të Laçit. Sipas policisë, atë e kishte përplasur një makinë e Kukësit e cila ishte larguar pa i dhënë ndihmë dhe trupi i tij u la për disa orë në shi aty në mes të rrugës. Sapo u dha lajmi i vdekjes së tij, vëllai im, Rizai, shkoi i pari dhe e mori trupin e tij. Maksit iu bë një varrim madhështor në Tiranë ku mori pjesë edhe Mehmet Shehu. Vetëm nga Kruja shkuan shtatë autobuzë me punëtorë në varrimin e tij”.

Përveç versionit të policisë, si u përfol atëhere vdekja e Maks Uçit?
“Kudo në popull atëhere thuhej se Maksin e vrau Sigurimi dhe për të hequr dyshimet i bënë një varrim të madh. Me rastin e gjashtë mujorit të vdekjes së Maksit, unë së bashku me Selim Alikon që ishte teknik gjeolog, shkuam për të pirë një kafe tek shtëpia e të vëllait, Profesor Alfred Uçit, (prapa godinës së Shkencave të Natyrës) ku mes shumë njerëzve me kujtohet që ishte dhe Servet Pëllumbi. Në një moment që ishte qetësi, unë i thashë Alfredit: “More po si u bë puna e Maksit se ngeli enigëm. Çfarë di ti”? Alfredi më tha: “Më shumë dini ju që keni punuar me të, sesa unë që e kam vëlla”. Unë ia ktheva: “Deri sa kjo punë mbeti enigëm, atë e ka vra Sigurimi”. Pas kësaj Alfredi u çua menjeherë në këmbë dhe iu drejtua atyre që ishin në shtëpi duke u thënë: “Ky është një dashamirës i yni dhe nuk i ka me të keq këto fjalë që tha”. Alfredi donte të më mbronte, pasi shumica e atyre njerëzve që kishin ardhur aty, ishin të Sigurimit. Ato fjalë që thashë, aty m’i përmëndën edhe kur më arrestuan në vitin 1982″.

Para se të vimë tek arrestimi juaj, pas vdekjes së Maks Uçit, a bisedonit me tjetër njeri kundër regjimit komunist?
“Urrejtja ime ndaj regjimit komunist në fuqi filloi të shtohej dhe ajo arriti kulmin aty nga viti 1981 kur ekonomia e familjes sonë po rrënohej plotësisht. Kështu unë nuk nguroja të flisja dhe të shprehja pakënaqësitë e mia në një rreth të ngushtë, ku mes të cilëve ishte dhe një djalë i ri rreth 23 vjeç, i quajtur Pirro Prifti, me origjinë nga Piqerasi, i cili punonte si punëtor në ndërmarrjen e ujrave. I jati i tij ishte mekanik dhe punonte me mua, ndërsa Pirro vinte tek unë pasi kishte dëshirë që të merrte ndonjë zanat, por atë nuk e lejonin dhe e linin punëtor lopate. Pirro nuk e kishte biografinë e keqe, pasi nëna e tij kishte qenë partizane, por ai vetë kishte fituar një urrejtje të madhe ndaj regjimit. Kështu, bashkë me Pirron dhe disa shokë të tjerë, unë flisja vazhdimisht kundër regjimit. Në atë grup shokësh, gjatë një bisede aty në gurore, ne vendosëm që të merrnim dinamit dhe ta hidhnim në ambasadat e huaja që ishin në Tiranë”.

Po për çfarë arsye vendosët të hidhnit dinamit nëpër ambasada?
“Gjatë bisedave tona aty në gurore, dikush tha se edhe ambasadat e huaja që ishin në Tiranë kishin faj për gjëndjen e keqe ku ndodhej Shqipëria, pasi ato nuk e ngrinin zërin në shtetet e tyre kudo në botë për të treguar se si jetonin shqiptarët dhe se si shtypeshin ata. Kjo ishte arsyeja që ne vendosëm të hidhnim bombat. Por ne nuk donim të vrisnim njeri me ato bomba që do hidhnim, pasi qëllimi ynë ishte vetëm për të bërë zhurmë. Për atë gjë, më i gatëshmi nga të gjithë u tregua Pirro, prandaj dhe unë vendosa që bombat t’i hidhja me të”.

Si e bëtë planin e hedhjes së bombave dhe si e realizuat atë?
“Në fillim ne vendosëm të mbushnim një furgon me dinamit dhe ta afronim atë para kryeministrisë në Tiranë, por kjo gjë mbeti vetëm në kuadrin e fjalëve. Më pas unë bisedova vetëm me Pirron dhe thamë ta fillonim nga ambasadat. Kështu pasi bëmë planin, morëm nga dy gjysma llokumi dhe aty nga data 22 apo 23 prill e vitit 1980, shkuam në Tiranë me autobuzat e linjës së Fushë-Krujës. Atë ditë në Tiranë kishte një ndeshje futbolli të përfaqësues sonë me një ekip të huaj, Gjermaninë më duket dhe binte shi. Unë me Pirron pasi zbritëm nga autobuzi i Fushë-Krujës tek Zogu i Zi aty rreth orës 20.00, në këmbë ecëm përgjatë Rrugës së Durrësit e dolëm deri afër qëndrës me mendimin për t’i hedhur bombat që kishim me vete tek ambasada e Kubës. Por nuk i hodhëm aty, pasi na u duk vëndi i hapur dhe papërshtashëm e kishim frikë se mos na kapnin. Kështu vendosëm të ktheheshim tek ambasada jugosllave dhe aty brenda pamë se kishte lëvizje e zhurmë të madhe. Kur u afruam aty, Pirro më tha që pasi t’i hidhnim llokumet e dinamitit brenda ambasadës, të futeshim e të ngjisnim shkallët tek pallati ngjitur me murin e ambasadës, ku ai njihte një vajzë. Dhe po të na pyeste njeri, ne do të thonim se po shkonim për të kërkuar atë që të fejohej me Pirron. Kështu ne sa u futëm në hyrje të pallatit, hodhëm llokumet e dinamitit të cilat bënë një zhurmë të shumë të madhe. Pas kësaj, Pirro ngjiti shkallët e pallatit për t’u futur tek shtëpia e vajzës, kurse unë u largova me shpejtësi nga Rruga e Durrësit për në drejtim të Zogut të Zi”.

Më 23 prill të vitit 1981, Sejfullai bashkë me Pirron, erdhn në Tiranë dhe hodhën dy kapsolle dinamiti tek ambasada jugosllave, Nga ato kapsolle dinamiti, u thyen vetëm disa xhama, por më kryesorja ishte se u bë zhurmë e madhe nga propaganda zyrtare e dy vëndeve…

Zoti Sejfulla, pasi hodhët dinamitin tek ambasada jugosllave dhe thatë se u larguat për në drejtim të Zogut të Zi, gjatë rrugës a patët rrezik të diktoheshit nga policia?
“Jo nuk pata asnjë rrezik të diktohesha, pasi unë u largova me vrap dhe nuk më pa njeri. Në ato momente aty në Rrugën e Durrësit nuk kishte shumë njerëz pasi siç thashë binte një shi imët dhe rruga pothuaj ishte e zbrazur. Po kështu deri sa mbërrita tek Zogu i Zi, unë nuk pashë asnjë këmbë polici”.

Po shoku juaj Pirro Prifti, nuk ju ndoqi pas?
“Jo ai nuk erdhi pas meje, por u fut tek një pallat fare pranë ambasadës ku ne ndezëm dinamitin para se ta hidhnim dhe siç thashë aty ai njihte një vajzë. Në atë kohë Pirro kishte shumë lidhje të tilla, pasi ishte djalë tepër i pashëm”.

Pasi shkuat tek Zogu i Zi, për ku u larguat më pas?
“Kur shkova tek Zogu i Zi, qëndrova tek stacioni ku ndalonte autobuzi i linjës së Fushë-Krujës dhe me atë autobus udhëtova deri në shtëpinë time në Fushë-Krujë”.

Nisur nga ngjarja që kishte ndodhur në Tiranë, gjatë rrugës, a pati kontrolle nga policia?
“Jo nuk na ndaloi asnjë kontroll policie, pasi ndoshta nuk ishin bërë akoma njoftimet e policisë, por siç mora vesh disa ditë më vonë, pas autobuzit me të cilin kisha udhëtuar unë, kishin filluar kontrollet e shpeshta të policisë nëpër rrugë”.

Kur shkuat në shtëpi, a biseduat me njeri për atë që kishit bërë në Tiranë?
“Kur mbërrita në shtëpi, Televizioni Shqiptar po jepte lajmin e vënies së bombës në ambasadën jugosllave. Unë i thashë axhës tim, Ali Tetës: “Si thu or axhë, kush do ta ket vu dinamitin atje ke jugosllavt”. Axha mi nguli sytë dhe më tha: “Na nji që e urren qeverinë, se këta jan ba shumë të mërzitshëm dhe nuk po na lejnë të jetojmë si robt”. Për të humbur dyshimet tek axha, unë nuk ja zgjata më por i ktheva kurrizin duke mos e parë në sy dhe shkova për të fjetur në dhomën time, pasi në atë kohë isha i martuar dhe me fëmijë. Kështu atë natë unë fjeta i qetë pa u trazuar fare”.

Kur u takuat me shokun tuaj, Pirro Priftin dhe çfarë biseduat?”Me Pirron unë u takova pas nja dy ditësh aty në guroren e Krujës dhe ai më tha: “Sef, shokët që kemi folur, po na rrinë shumë larg, prandaj duhet t’i japim drejtim e të ikim jashtë se do të na arrestojnë. Pse të kapemi ne për këta legena”. Pirro ishte shumë i shqetësuar për atë që kishim bërë dhe më kërkonte me çdo kusht që të arratiseshim”.

Po ju si e pritët sugjerimin e Pirros për t’u arratisur?
“Unë i thashë Pirros ta mendonim atë punë dhe duke parë e duke bërë. Por me thënë të drejtën nuk kisha dëshirë të arratisesha pasi isha i martuar dhe me fëmijë, e i dija se ç’i priste ata pas arratisjes sime”.

Si veproi Pirro më pas, a bëri tentativë të arratisej nga Shqipëria?
“Pirro e kishte ndarë mëndjen dhe ai bisedoi me disa shokë të tjerë për t’u arratisur, të cilët u treguan krejt të gatshëm. Kështu ato ditë ai gjeti një djalë nga Kukësi i cili i mori përsipër që t’i shoqëronte deri afër kufirit. Pas kësaj së bashku me një 6-7 shokë të tij nga Fushë-Kruja, si Lut Kelmendin, Kujtim Dokun, Fatmir Dacin etj, u nisën me një makinë në drejtim të Kukësit. Kur mbërritën atje, në mes të qytetit ata i kishte parë një djalë nga Fushë-Kruja (me mbiemër Gjeli) i cili punonte si punëtor operativ i Sigurimit në Kukës. Sa i kishte parë ata, ai u kishte thënë: “Ou, paska zbarkuar gjithë Fushë-Kruja këtu në Kukës”. Pas atyre fjalëve, ata ishin trembur se mos ai do i kallzonte në polici dhe pasi kishin fshehur në një lulishte pushkën që kishin me vete, ishin kthyer mbrapsht duke ardhur në Fushë-Krujë. Të gjitha këto ata m’i treguan një ditë pasi erdhën në Fuishë-Krujë dhe unë u thashë: “Qenkeni treguar shumë budallenj, që nuk keni ikur dhe jeni kthyer mbrapsht. Po pse ju paskeni pritur që të merrni leje në Degë të Brendshme për t’u arratisur? Pas dy muajve ata i arrestuan të gjithë bashkë me Pirron. Gjatë hetuesisë ata i kishin trajtuar shumë keq duke i torturuar dhe futur në elektro-shok. Pas kësaj ata ishin detyruar që t’i tregonin të gjitha çfarë kishin bërë”.

Po pas arrestimit të këtyre, ju nuk kishit frikë se do të tregonin edhe për ju?
“Unë nuk kisha asnjë dyshim se ata mund të më nxirrin edhe mua, por kisha bërë ndërmënd të thoja se nuk dija gjë për ta. Pra me këtë mendim unë vendosa që të mos arratisesha nga Shqipëria. Por desha të shtoj se pas arrestimit të Pirro Priftit dhe shokëve të tij, Sigurimi i Shtetit arrestoi edhe një grup tjetër prej katër vetësh, duke i akuzuar ata si agjentë të UDB-së jugosllave, që kishin dashur t’i bënin atentat udhëheqësit më të lartë të Partisë, Enver Hoxhës. Të katër ata ishin intelektualë dhe me origjinë nga Kosova. Selim Kelmendit, Estref Kelmendit dhe Shefqet Kelmendit ishin me profesion mësues dhe kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa Namik Luca, ishte inxhinier kimist, banonte në qytetin e Laçit dhe punonte në Uzinën e Superfosfatit. Në atë kohë pas arrestimit të tyre u përfolën shumë gjëra, duke thënë se ata ishin grupi më i rrezikshëm që ishte zbuluar ndonjëherë nga Sigurimi i Shtetit pas atij të Mehmet Shehut. E përmënda këtë grup, pasi kur më arrestuan në 23 shtator të vitit 1982, hetuesia më akuzoi e konsideroi edhe mua si një nga pjestarët kryesorë të atij grupi”.

– Ali Teta, roja personal i Abaz Kupit dhe miku i Gjinishit, Pezës, Ballukut

Origjina e familjes së Sejfulla Tetës, është nga Fushë-Kruja dhe shtëpitë e atij fisi të njohur e pronat e tyre, shtrihen në krahun e djathtë të rrugës së vjetër nacionale, në dalje të qytetit të Fushë-Krujës, kur shkon për në drejtim të Mamurrasit apo Laçit. Teta-ajt janë njohur denbabaden si shtëpi pushke dhe burrat e atij fisi kanë qenë trima që e kanë luajtur gishtin e këmbzës sa herë që u është paraqitur nevoja, si kundër pushtuesëve të huaj ashtu dhe ndaj atyre që u kanë rënë në qafë duke i trazuar. Gjyshi i Sejfullait, Isuf Teta, ka qenë një nga burrat më të njohur jo vetëm të atij fisi, por edhe të gjithë asaj zone dhe ai pati marrë pjesë si vullnetar në mbrojtje të qytetit të Shkodrës nga Esad Pasha në fundin e vitit 1912. Duke qenë një nga miqtë më të ngushtë të Abaz Kupit, në vitin 1922, Isuf Teta u bashkua me forcat Elez Isufit që sulmuan Tiranën dhe u ndeshën në rezistencën e Ahmet Zogut. Pas vdekjes së Isuf Tetës, me administrimin e pronave të familjes që arrinin në më shumë se 200 dylym tokë, u mor i biri i tij, Ali Teta, (xhaxhai i Sejfullait) i cili ka qenë një nga burrat më me influencë në të gjithë atë zonë. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, Ali Teta ka qenë shumë i njohur edhe si një nga burrat e urtë të asaj zone që merrej me ndarje gjyqesh e pajtimin e gjaqeve. Po kështu, Ali Teta e ruajti edhe miqësinë e familjes së tij me Abaz Kupin, dhe gjatë viteve të pushtimit ai ka qenë një nga shoqëruesit kryesore të Abaz agës. Duke qenë një nga miqtë më të ngushtë të Kupit, Ali Teta e shoqëroi atë në Konferencën e Pezës, në Mukje dhe në të gjitha takimet e ngjarjet e tjera të rëndësishme të asaj kohe, deri në mbarimin e luftës në nëntorin e vitit 1944. Nëpërmjet Abaz Kupit, gjatë kohës që shkonin në Pezë, Aliu zuri miqësi të ngushtë edhe me Mustafa Gjinishin e vëllezërit Shyqëri e Myslym Peza. Në shenjë respekti e miqësie, Gjinishi i fali automatikun e tij Aliut, armë e cila është ruajtur deri vonë në familjen e Sejfulla Tetës. Pas mbarimit të Luftës, Ali Teta nuk pranoi të vishej oficer, në shenjë proteste ndaj vrasjes së mikut të tij, Gjinishit, dhe ai u mor me administrimin e pronave të familjes së tij. Por edhe pas kësaj, Aliu e ruajti miqësinë me disa nga personalitetet e larta të regjimit komunist të asaj kohe, si Beqir Balluku, Myslym Peza, Hito Çako etj, të cilët i shkonin shpesh në shtëpinë e tij aty në Fushë-Krujë. Ndonëse Aliu i priste shumë mirë miqtë e lartë që i vinin nga Tirana, ai nuk u shkonte kurrë në shtëpitë e tyre dhe as në zyrat ku punonin. Gjatë një debati në shtëpinë e tij në Fushë-Krujë, Aliu i tha Hito Çakos: “Për Enverin flisni ju, unë flas për Abaz Kupin”. Deri aty nga viti 1964, Ali Teta nuk pranoi të punonte për komunistët dhe në atë kohë me kërkesën e popullit ai u zgjodh kryetar kooperative. Por shumë shpejt ai u tërhoq nga ajo detyrë duke thënë se aty duhej një njeri me shkollë. Ali Teta punoi në kooperativë deri sa doli në pension dhe vdiq në vitin 1997. Pas vdekjes së Aliut, njeriu më i dëgjuar dhe më i përmdur nga fisi i Tetaj-ve, mbeti nipi i tij, Sejfullai, emri i të cilit i ka kaluar kufijtë e fisit dhe krahinës së tij.

Dëshmia e Sejfulla Tetës: “Hetuesi Nexhat Selimi më akuzoi se unë me Selim Kelmendin do i bënim atentat Enverit, kur ai të vizitonte Muzeun e Skënderbeut në Krujë…”

Zoti Sejfulla, gjatë kohës që Pirro Prifti dhe të tjerët ishin në hetuesi, a kishit frikë se do arrestoheshit edhe ju?
“Pas arrestimit të Pirro Priftit, me të cilin në 23 prill të vitit 1981 kisha hedhur bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë, unë përfundimisht vendosa që të arratisesha nga Shqipëria, pasi e prisja me ditë arrestimin tim”.

Si e kishte bërë planin për t’u arratisur dhe me kë do ikje?
“Unë kisha vendosur që të arratisesha i vetëm nga Luniku i Librazhdit, pasi kur isha ushtar në Elbasan, kisha qenë shpesh herë andej për stërvitje dhe e njihja vendin shumë mirë”.

Kur iu arrestuan dhe si e kujtoni atë ditë që ju vunë prangat?
“Në mëngjezin e 29 shtatorit të vitit 1982, unë isha pushim dhe teksa isha duke u përgatitur për t’u arratisur, aty në shtëpinë time më erdhi vetura e drejtorit të Fabrikës së Çimentos. Personi që më trokiti në derë, më njoftoi se më kërkonin për të rregulluar një eskavator dhe unë duhet të shkoja urgjent atje me makinën që më priste jashtë shtëpisë, pasi nuk kisha më shumë se pesë minuta punë. Në fillim mendova që të shkoja atje dhe sa të riparoja difektin, të nisehsa për në Librazhd. Unë ndjeva diçka dhe u thashë atyre që më kërkuan që të ecnin përpara se po dilja në këmbë pas tyre. Nga që nuhata diçka, fsheha në rroba një revole që e mbaja gjithnjë me vete edhe në punë. Sapo dola aty tek rruga nacionale ku ndodhet lapidari i Shote Galicës, tek këmbët e mija ndaluan dy makina. Njëri nga personat që dolën prej tyre, ishte dhe Sadik Smaja, shefi i krimeve të rrethit të Krujës, i cili m’u hodh në qafë duke më thënë: “Ke kujtuar se jeta është aventurë”. Të tjerët nuk ndërhynë me forcë, por më vunë hekurat dhe më futën menjëherë në makinë”.

Ku ju çuan?
“Ata më nisën menjëherë për në Degën e Brendëshme të Krujës, ku zv / kryehetuesi i rrethit dhe sekretari i partisë, Nexhat Selimi, më tha: “Të kemi arrestuar pasi ti ke dashur që të vrasësh me atentat, udhëheqësin kryesorë të partisë dhe të popullit”. Unë e pyeta: “Kë se ata janë të 12 udhëheqës kryesorë”. Ai m’u përgjigj gjithë inat: “Udhëheqësin kryesor të partisë e të popullit po të them”. Krejt i habitur për ato që po më thoshte, në mënyrë instiktive unë e pyeta përsëri: “Kë, Enver Hoxhën”? Akoma pa mbaruar mirë fjalën, në kulmin e nervave, Nexhat Selimi më tha: “Mos ia përmënd emrin, more bajgë, more ndyrësirë”, dhe ngriti shkopin e gomës të më qëllonte. Unë nuk durova dhe i thashë: “Njeri i ndyrë je ti, megjithë atë”. Nga ai moment e deri sa jam përmëndur pas disa orësh, unë nuk mbaj mënd gjë, pasi kam qenë pa ndjenja nga rrahjet që më bënë me shkopinj gome”.

Kur u përmëndët, a ua komunikuan akt-akuzën?
“Po, Nexhat Selimi më tha: “Ti së bashku me një grup tjetër që ne i kemi të arrestuar, keni dashur të vrisni udhëheqësit kryesor të Partisë dhe përveç kësaj ti ke vënë dinamit edhe në Mamurras e ambasadën jugosllave, por këto nuk na duhen tani. Ne e kemi hallin tek atentati që keni dashur t’i bëni udhë-heqësit kryesor të partisë kur ai do të vinte për të vizituar Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Ti ke pasur në plan që t’i hidhje granatat gjatë mitingut kur ai të takohej me popullin dhe në rast se nuk do ta realizoje dot ti atë gjë, atëhere do të dilte Selim Kelmendi në Krastë të Krujës dhe me pistoletë do të kryente atentatin. Si variant rezervë për të kryer këtë akt kriminal nëse nuk do ta arrinit dot ju, do të ishin Namik Luca në Laç, Shefqet Kelmendi në Lezhë dhe Estref Kelmendi në Shkodër. Ne i dimë të tëra, prandaj mos u mundoni që të fshihni gjë”. Kur mbaroi fjalën ai, unë i thashë: “Po kur i dini pse më pyesni mua”. Ai kërkonte që unë ta pranoja atë gjë dhe më torturonte vazhdimisht deri sa më binin të fikët. Ushqimet që më sillte familja ia jepnin të tjerëve dhe u thonin njerëzve të mij se unë nuk kisha nevojë për ushqime”.

Sa kohë vazhduan torturat ndaj jush?
“Për tre muaj me rradhë, torturat ndaj meje nuk pushuan. Hetuesinë ma bënin vetëm natën dhe pasi m’i lidhte duart me pranga pas kurrizit, Nexhat Selimi m’i shkelte prangat më këmbë dhe nga pesha e trupit të tij, më theu këtë dorën e majtë që e kam sakat edhe sot e kësaj dite. Torturat ndaj meje, pushuan vetëm me urdhërin e Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait, kur ai erdhi për të më takuar në qelitë e Krujës”.

Kur erdhi Hekuran Isai dhe si e kujtoni takimin me të?
“Ka qenë data një janar e vitit të ri 1983, kur aty në qelitë e Krujës më erdhi një person i cili fillimisht më pyeti në se e njihja. Kur unë i thashë se njihja vetëm eskavatorin e përrallat e mija dhe asgjë tjetër, ai hoqi kapelen dhe tha se ishte Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Atëhere unë i thashë se e mora për ndonjë nga Prokuroria e Përgjithshme Përgjithshme në Tiranë. Pas prezantimit ai më tha: “Unë vij direkt me porosi të udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe ke dorë të lirë të na tregosh se kush të ka shtyrë ty që të vrasësh udhëheqësin tonë. Na trego se do të kesh favore dhe do të ndihmojmë se ke një tufë kalamaj në shtëpi”. Pas fjalëve të tij unë u përgjigja duke i thënë: “Bombën në ambasadën jugosllave e kam hedhur nga urrejtja, por me Enver Hoxhën nuk kam pasur punë”. Ai vazhdoi përsëri duke thënë: “Lëre bombën në ambasadën jugosllave dhe minat e Mamurrasit se ato nuk na duhen gjë. Bombën e kemi mbyllur, atë gjë e ka dhënë dhe gazeta, e po të duash ta tregojmë “Zërin e Popullit”, por na thuaj kush të ka shtyrë të vrisje udhëheqësin. Unë nuk pranoja në asnjë mënyrë që ta kisha bërë plane për vrasjen e Enver Hoxhës, pasi edhe pse nuk e doja pushtetin, ajo gjë as që më kishte shkuar kurrë ndërmënd. Po kështu një nga arsyet që nuk e pranoja atë akuzë, ishte se për atë gjë të priste plumbi i sigurtë dhe nuk të shpëtonte dot as zoti në qiell”.

Sa orë qëndroi Ministri Hekuran Isai me ju në qeli dhe kush e shoqëronte?
“Hekurani qëndroi plot shtatë orë në qelinë time duke më bërë pyetje nga më të ndryshmet Përveç oficerit të tij, aty në koridor atë e priste edhe Selim Demerxhiu i Policisë së Krujës, i cili sot banon në Fushë-Krujë.

A ju bënë ballafaqim me Pirro Priftin dhe katër intelektualët me origjinë nga Kosova që ishin arrestuar para jush?
“Ballafaqimin ma bënë pas shtatë muajsh, duke m’i sjellë një nga një të pestë në qelinë time, por me gojë të lidhur që të mos i bënim shenja njeri-tjetrit. Nexhati i tha atyre: a e njihni këtë dhe kur ata luajtën kokën, Nexhati më tha: “Kaq deshëm ne, a i pe provat që kemi?” Pas atyre ata më sollën përsëri vetëm Pirro Priftin dhe e pyetën a më njihte mua. Herën e dytë Pirro më tha se ne të dy kishim hedhur bombat në ambasadë dhe se kishim folur kundër shtetit. Unë iu përgjigja: “Në qoftë se ke hedhur bombat dhe ke folur kundër shtetit, jep hesap për vete, se unë nuk di gjë”. Po kështu më sollën në ballafaqim edhe Sefedin Pulën, i cili u tha atyre se më njihte për njeri të rregullt dhe se nuk më kishte dhënë asnjëherë dinamit mua. Gjatë periudhës së hetuesisë, në qeli më futën edhe një provokator të quajtur Agron Çarçani, i cili m’u prezantua me emër tjetër. Ai më provokonte duke më thënë se kishim dashur të hishnim në erë Urën e Gjoles atë të Milotit e të tjera si këto. Unë nuk i haja ato dhe pas dy javësh gjeta një tullë në banjo dhe e godita në kokë për ta vrarë. Pas kësaj, erdhi Nexhat Selimi dhe atë e çoi urgjent në spitalin e burgut në Tiranë, kurse mua në birucat e Koci Xoxes tek Rajoni nr: 3. Me sa mësova më vonë në kampe, ai njeri negativ, ishte kushëri i afërt i Adil Çarçanit dhe një hajdut ordiner që gjithë jeta i kishte kaluar burgjeve”.

Dëshmia e Sejfulla Tetës: “Gjyqi ndaj nesh filloi me 24 Nëntor 1984 dhe vazhdoi për 8 dite me radhë në Gjykatën e Tiranës. Të e gjitha seancat u filmuan per t’i parë Enveri”

Zoti Sejfulla, po kur ju çuan në Tiranë, kush ua bëri hetuesinë dhe a vazhduan tu torturonin?
“Edhe aty në birucat e Koci Xoxes në Tiranë, përsëri hetues kisha Nexhat Selimin dhe Gavrosh Andonin. Gavroshi sillej shumë mirë me mua dhe nuk më preku asnjëherë me dorë, ndërsa Nexhat Selimi filloi përsëri avazin e vjetër duke më torturuar barbarisht. Nexhati vinte vazhdimisht i vetëm në qeli në orën tre të natës dhe niste nga dajaku. Si rezultat i torturave që më bëheshin aty, unë bëra disa greva urie, njëra prej së cilave zgjati 21 ditë, deri sa m’u tha gjaku fare. Ndërsa isha duke u mjekuar në spitalin e burgut, Nexhat Selimi dërgoi policët të më merrnin, por doktoresha Meri Gjinushi nuk i lejoi ata duke u thënë: “Nuk ka ç’më duhet mua se është armik, unë bëj detyrën si mjeke. Ta shëroj njëherë unë, pastaj ju po të doni hajeni të gjallë”. Pas këmbënguljes së saj, ata u larguan dhe ajo më shëroi duke më hedhur 9 shishe me gjak. Mua më shtruan tre herë në spital, pasi nga grevat e urisë më ra mishi i dhëmbëve në tokë”.

Po pas Hekuran Isait, nga funksionarët e lartë, a ju erdhi njeri tjetër në qeli?
“Kur isha në qelitë e Tiranës, më erdhi zv / Prokurori i Përgjithshëm dhe unë iu ankova atij për Nexhat Selimin, duke i thënë se po më rripte të gjallë”.

Gjatë kohës që ishte në hetuesi, a u lejonin që t’u vinte familja në takim?
“Jo vetëm që nuk i lejonin, por për më shumë se dy vjet, familja ime nuk dinte asgjë se ku isha unë. Dy herë në Fushë-Krujë ishte hapur fjala se unë kisha vdekur”.

Sa kohë qëndruat në hetuesi?
“Në hetuesi unë kam qëndruar për 27 muaj me rradhë duke më bërë tortura nga më të tmershmet. Aty nga nëntori i vitit 1984, në qeli më erdhi hetuesi Gavrosh Andoni dhe më solli një tufë të madhe letrash prej 83 faqesh të shtypura në makinë shkrimi, duke më porositur që t’i lexoja pasi ishte akt-akuza ime. Unë i ngatërrova ato pasi nuk ishin të lidhura dhe ai më tha: “Oh ç’na bërë” dhe u ul këmbëkryq me mua në qeli duke i rregulluar ato. Kur u largua ai më tha: “Rri pa merak se se ty nuk do të pushkatojnë, pasi nuk ke vrarë njeri”.

Kur dolët në gjyq dhe kush ishte bashkë me ju në bankon e të akuzuarit?
“Pas 27 muajsh hetuesie të tmerrëshme në qelitë e Krujës dhe atyre të Tiranës, më 24 nëntor të vitit 1984 ne na nxorrën në gjyq, i cili u zhvillua në Gjykatën e Tiranës me prokuror Loni Moskon dhe kryetare gjyqi, Tamara Malajn nga Tropoja. Gjyqi ndaj nesh vazhdoi për tetë ditë me rradhë paradite e pasdite dhe në bankon e të akuzuarit, përveç meje, ishte dhe Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Namik Luca dhe Pirro Prifti. Akuza që na u bë të gjithëve ne ishte: Grup agjenturor, që kishim vepruar për përmbysje me dhunë të pushtetit popullor dhe atentati ndaj udhëheqësit kryesorë të partisë, pasi si në hetuesi ashtu dhe gjatë gjyqit, ishte si rregull që nuk përmëndej emri i Enver Hoxhës. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura dhe aty ishin të ftuar pothuaj të gjithë gjyqtarët dhe prokororët e rretheve si dhe një numër i madh ushtarakësh nga Ministria e Brendëshme që kishin mbushur pothuaj të gjithë sallën. Salla e gjyqit ishte e ndriçuar me disa prozhektorë të mëdhej pasi që nga seanca e parë dhe deri tek ajo e fundit u filmuan me dy kamera të televizionit shqiptar dhe kasetat e tyre, siç mësuam më vonë, iu dërguan Enver Hoxhë për t’i parë. Gjatë pushimit të drekës ndërmjet dy seancave, ne na merrnin secilin në një makinë më vete dhe na dërgonin në qelitë e Koci Xoxes duke na shoqëruar me makina të shumta policie para e prapa. Ajo gjë bëhej për bujë e për të lënë të kuptohej se ne ishim një grup shumë i rrezikshëm, ashtu sikurse kishte hapur fjalë Sigurimi në popull.”

Ju a e pranuat akuzën që u bëhej?
“Asnjë nga ne nuk e pranoi akuzën dhe të gjithë i denoncuam torturat që na ishin bërë gjatë hetuesisë, duke thënë se process-verbalet hetimore ishin firmosur nga ne, si rezultat i torturave çnjerëzore që na ishin bërë. Në gjyq unë pranova vetëm hedhjen e bombës në Mamurras e në ambasadën jugosllave, kurse Pirro Prifti kishte kaluar në depression të thellë nga torturat dhe elektro-shoku e ai nuk e kontrollonte dot veten kur fliste. Duke parë situatën e vështirë, Shefqet Kelmendi u çua e tha se ai ishte fajtori për gjithshka që kishte ndodhur, duke shtuar se ne ishim të pafajshëm dhe ai na kishte marrë në qafë. Ai i mori mbi vete të gjitha fajet për të na lehtësuar ne, kur në fakt unë nuk e kisha njohur kurrë atë njeri. Gjatë gjyqit aty sollën si dëshmitar edhe Sefedin Pulën, që ishte arrestuar me një grup tjetër, i cili na mbrojti duke thënë se e kishin sjellë kot aty, pasi ai nuk njihte asnjeri nga ne”.

Në përfundim të gjyqit, çfarë vendimesh u dhanë?
“Sipas kërkesës së pretencës së prokurorit, trupi gjykues dha katër dënime me vdekje: për mua, Selim Kelmendin, Pirro Priftin dhe Shefqet Kelmendin, ndërsa për të tjerët nga 25 vjet burg. Por pasi Shefqeti i mori mbi vete të gjitha fajet për të na lehtësuar ne të tjerëve, gjykata la vetëm atë me vdekje, ndërsa ne të tjerave na dha nga 25 vjet burg. Vetëm Sefedin Pula u dënua me 14 vjet duke u akuzuar se na kishte dhënë dinamitin për atentatet që do bënim. Por pas një muaji ndërsa ne ndodheshim në kaushin e Tiranës, në pritje për të na shpërndarë nëpër kampe, morëm vesh se edhe Shefqet Kelmendit iu fal jeta me dekret të Kuvendit Popullor”.

Në fjalën tuaj të fundit çfarë kërkuat?
“Asnjeri nga ne nuk kërkoi mëshirë, por vetëm drejtësi”.

Gjatë senacave të gjyqit, a u lejuan të merrnin pjesë familjet tuaja?
“Jo vetëm që nuk u lejuan, por familjet tona as që dinin gjë për fatin tonë. Pas dënimit tim, familjen time, (bashkëshorten e pesë fëmijët) e internuan në Malecaj të Lezhës aty ku ishin familjet e Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit. Për katër vjet me rradhë që ata qëndruan aty, jetuan në kushte jetese tepër çnjerzore duke kërkuar fushave për ndonjë kokërr patate, pasi nuk kishin asnjë kothere bukë për të ngrënë. Po kështu ata nuk kishin as rroba për të veshur, vetëm kush t’ju falte ndonjë leckë”.

Ku e vuajtët dënimin?
“Dënimin unë e vuajta në Qafë-Bari dhe Burrel, por desha të them, se pas dhënies së vendimit ne na dërguan të gjithëve në kampin e Qafë-Barit duke na lënë bashkë në një galeri të gjithëve. Ajo gjë bëhej me qëllim që ne të hynim në ngatërresa dhe të vrisnim njëri-tjetrit, por pasi e panë që ne shkonim shumë mirë dhe nuk patëm asnjë konflikt, na shpërndanë. Gjatë vuajtjes së dënimit, në burg vdiqën, Sefedin Pula me Selim Kelmendin. Sefedini vdiq aksidentalisht në Qafë-Bari, duke e zënë vagoni teksa po ndihmonte disa shokë të tij. Të gjithëve ju erdhi keq për të, pasi ai ishte një njeri shumë i mirë. Kurse Selim Kelmendi, mësuesi i gjuhë-letërsisë i gjimnazit të Fushë-Krujës, vdiq në burgun e Burrelit, pak ditë pasi ishte kthyer nga spitali i burgut në Tiranë. Vdekja e tij mbeti misterioze dhe e dyshimtë, pasi ai në atë kohë i kishte bërë një letër Ramiz Alisë, ku thuhej se nuk i kishte lënë gjë pa thënë”.

Kur u liruat nga burgu dhe si e kujtoni ditët e para të lirisë?
“Unë jam liruar nga burgu në 26 shkurt të vitit 1991 nga Burreli, me të fundit të burgosur politikë që dolën nga burgjet e komunizmit. Kur shkova në shtëpi, vajza e vogël që e kisha lënë gjashtë muajshe, i thoshte gruas; O mami, po ky burri pse nuk ikën nga shtëpia, çfarë do ky këtu?”.

Pas viteve ’90, a jeni takuar me ndonjë nga ata persona që ju akuzuan dhe u dënuam me pa të drejtë?
“Me thënë të drejtën, hetuesin Nexhat Selimi e kam kërkuar deri në Greqi, por nuk e kam gjetur. Me të tjerët nuk kam pas punë se ata kanë bërë vetëm detyrën”.

– “Vuajta 13 muaj burg në 2001 për atentat ndaj kryeministrit Ilir Meta”

Edhe pas lirimit nga burgjet e komunizmit, Sejfulla Tetës, nuk iu mbaruan kusuret, pasi një dekadë më vonë ai do të provonte përsëri qelitë e ftohta, dhe për ironi të fatit, po me të njëjtën akuzë, atë të atentateve me dinamit ndaj krerëve më të lartë të shtetit. Lidhur me atë ngjarje, Sejfulla Teta dëshmon:
– “Më 11 dhjetor të vitit 2000, teksa isha duke punuar në baçen time, një komshi i imi më tregoi se kishin hedhur dinamit në rrugën e Fabrikës së Çimentos, ku do kalonte kryeministri Ilir Meta. Unë i thashë atij se ato ishin lojra të policisë dhe i tregova se kur kisha qenë në Durrës para disa ditëve, mësova se policia kishte njoftuar me bujë të madhe gazetat e televizionet se kishte arrestuar një person të shumëkërkuar. Por e vërteta ishte ndryshe, pasi ai njeri rrinte gjithë ditën nëpër koshat e kazanat e plehrave dhe po ta kërkoje, e gjeje kollaj, o tek koshi i parë o tek kazani i dytë. Nejse, pas hedhjes së dinamitit në rrugën e fabrikës, policia bëri disa arrestime aty në zonën tonë. Por kur kishin shkuar në polici, dikush kishte thënë: or po si e kemi harruar Sejfulla Tetën, ai njihet për këtëo punë, dhe pas kësaj mua erdhën e më morën në shtëpinë time. Unë e kisha vënë re që një ditë më parë kur disa furgonë të policisë më silleshin sa para e mbrapa, por as që më shkonte ndërmënd se kishin punë me mu, pasi kur je i pastër nuk të shkon mëndja për keq. Kur erdhën me më arrestu, aty rreth orën 21.00 të natës, tre katër furgonë ishin pa drita dhe dy tre të tjerë me drita. Të gjithë policët ishin me maska dhe kur hynë në oborr, filluan të zihen me njëri tjetrin, pasi dikush prej tyre provkoi duke thënë se do qëllonte po të lëvizte kush. Një tjetër u tha të mos bënin atë gabim, pasi Sefa jo vetëm që nuk ka vënë dinamit tek fabrika, por ai e ka mbrojtur fabrikën në 1977 në kohën e rrëmujave. Pas kësaj ata bënë kontrollin e banesës e më gjetën dy armë gjahu me leje dhe një pistoletë pa leje, të cilat i shkruan të gjitha pa leje. Mua më izoluan në komisariatin e Durrësit dhe deri aty më shoqëroi shefi i Komisariatit të Krujës, Koço Dafa, duke më dalë garant se nuk do më prekte kush me dorë. Kur shkova atej, e gjeta koridorin gjithë gjak, nga të rrahurat që u kishin bërë atyre zalljanëve që kishin arrestu para meje. Kur dhanë njoftimin në televizor për kapjen e grupit, Ndue Kolës i vunë një qeleshe në kokë dhe thanë se ai ishte kryetar grupi. Mua më thonin: hë, me çiftet që ke pasë pa leje ke dash me vra kryeministrin. Aty na vinin ata të drejtave të njeriut dhe ne protestonim, se na kan kap kot, por ata na thonin se për dy tre ditë do të na lironin. Por kaluan 13 muaj e ne mbetëm aty, pa na marrë kurkush në pyetje. Të gjithë të arrestuarit i bënin letra Ilir Metës dhe ai u thoshte se atë punë e kishin në dorë organet kopetente. Pas kësaj ata bënë greva urie, kurse unë nuk bëra se jam me diabet. Gjatë asaj kohe, mua më futën dhe djalin në burg, pasi kur vinte për të më sjellë ushqimin, unë i thashë: Mos më sill buk mua, por shko e vrit Prokurorin e Përgjithshëm, atëhere je djali im. Mirpo aty kishte sigurimsa dhe ata kallzunë shpejt e shpejt dhe djalin ma arrestuan e ma futën në burg. Pas 13 muajsh mua më liruan për pushim çështje, por unë nuk pranova të dal duke thënë se doja të dilja në gjyq për të marrë pafajësinë. Këtë e bëra pasi kisha frikë se ata mund ta fillonin përsëri çështjen. Gjyqi më dha pafajësinë edhe mua edhe djalit tim, bile na dhanë edhe dëmshpërblimin, për gjysëmën e dënimit, pasi për gjysmën tjetër më kishin dënuar për pistoletën pa leje. E gjithë puna e dinamitit të Fabrikës së Çimentos ishte një lojë e kurdisur nga policia dhe polici i krimeve Bilbil Gjini që e bëri atë, u dekorua dhe u shpërblye me lek të thata në dorë duke e çuar për specializim në Turqi”.