70 vjet nga dënimi i grupit të parë të deputetëve

Filed under: Dossier,Figurat e shtetit,Koha e Komunizmit |

Vdekja nga torturat e Baba Myrteza Pajës

Me mbarimin e proceseve ndaj teknikëve intelektualë në proceset “sabotuese” në Maliq në nëntor 1946, gjatë viteve 1947-1948 vëmendja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u drejtua mbi inteligjencien e vendit, pothuaj të gjithë me qëndrime properëndimore e proamerikane.
Goditja më barbare ndaj inteligjencies së vendit është paraqitur nëpërmjet proceseve në kuadër të goditjes së anëtarëve të “organizatës terroriste agjente sabotatore të deputetëve tradhtarë tekniko-intelektualë e demokristianë”. Të kësaj kohe, janë katër grupe kryesore të goditura, dy prej të cilëve kanë ish deputetë të dënuar dhe ekzekutuar, si dhe disa proceseve të vogla të cilat nuk kanë peshën e këtyre të përmendura. Janë disa persona të vdekur në hetuesi nga torturat e rënda të zhvilluara nga oficerët e Sigurimit. Nga studimi tërësor i dokumenteve rezulton se në qendër të goditjeve janë intelektualët të ndarë kështu:

-“Sabotatorët” e linjës proamerikane, kryesisht teknikë dhe inxhinierë, por edhe intelektualë të tjerë.
-Deputetë që kishin mendim ndryshe, pavarësisht se nuk e shprehën asnjëherë tërësisht atë.
-Të implikuar në ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë.
-Persona të njohur nga Enver Hoxha që dinin të kaluarën e jetës së tij.
-Të njohur, lidhje shoqërore e miqësore të personave të mësipërm.

Akuzat e formuara në drejtim të tyre ishin për:
-Sabotim ekonomik.
-Organizim atentatesh ndaj Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.
-Formim partish.
-Nxitje të ndërhyrjes së huaj anglo-amerikane.

Personat e arrestuar janë mbajtur në disa shtëpi të Sigurimit në Tiranë si: shtëpia e Serreqit (në të djathtë të sheshit “Avni Rustemi”), “Shtëpia me gjethe”, te “Selvia”, te shtëpia e Ali Qorraliut (te 9-katëshet) si dhe dy burgjet e Tiranës. Janë përdorur torturat nga më çnjerëzore dhe në përfundim u arrit të manipulohen edhe proceset hetimore-gjyqësore.
Të gjitha vendimet gjyqësore sipas dëshmisë së Koçi Xoxes janë marrë me nga Byroja Politike e Partisë Komuniste, por dokumentacioni vërtetues nuk është trashëguar në ditët tona.

Baba Myrteza Paja (në foto) nga Kruja u arrestua në maj 1947 në bazë të listave të përgatitura nga komisioni i posaçëm i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, por edhe si person me dijeni për ngjarjen e marsit 1947 në Kryegjyshatë. Babai ishte një prej klerikëve më të njohur e më të nderuar në Shqipëri. Ishte shumë i afërt me Mbretin Zog, si dhe njihej për lidhjet miqësore me legatën amerikane në Tiranë. Mbreti Zog i besoi një prej të fshehtave më të mëdha të jetës.
Babai u torturua në shtëpinë e Serreqit për 48 orë. U përdor tortura me thikë (prerje e ndadaltë e mishit), aq sa trupi i tij nuk duroi dot dhe mbaroi pas 48 orësh. Për të plotësuar “procedurat”, trupi u hodh më 24.5.1947 nga kati i dytë i godinës dhe u tha se “donte të arratisej”.