1984/Kloni në kufi, gardhi i fundit i regjimit diktatorial

Filed under: Dosjet Shqiptare,Dossier,Ekskluzive |
Hotels, Online Hotel Reservations, Cheap and Luxury Hotel Deals, Best Hotel Rates - booked.net

Nga Kastriot Dervishi

Kloni ishte një pengesë elektrosinjaluese, e cila vendosej në pjesë të caktuara qindra metra larg kufirit shtetëror, në mënyrë që të jepte shenja apo kufizonte sa më shumë orvatjet për arratisje, në rastet kur nuk vareshin nga ushtarët e kufirit. Kloni ishte i ndërtuar me disa shtylla e tela me gjemba. Për çdo prekje të tyre jepej sinjal në postën kufitare përkatëse.

Gjithë zona e kufirit ishte e ndaluar për t’u shkelur. Nuk mund të vije nga një rreth tjetër e t’i afroheshe kufirit pa pasur arsye e pa pasur një leje që lëshonte dega e punëve të brendshme e rrethit ku banoje. Në ditën tona kanë mbërritur fare pak fotografi nga klonet e komunizmit. Kryesisht ato gjenden në ndonjë proces ndaj ndonjë të dënuari, përgjithësisht në rastet kur bëhej eksperimenti hetimor. Një rast i tillë është ky që po tregojmë.

44 vjeçari Nihat nga Babani i Devollit, u orvat të arratisej më 2.3.1984 në zonën e Kapshticës, por nuk mundi të kalojë pengesën e klonit, e cila dha sinjal. Nisur nga fakti se kishte një vëlla të arratisur në vitin 1962, nga jeta e keqe, etiketime si “familje e prekur” që “nuk mbante qëndrim të mirë politik”, u përpoq të arratisej. E ndaloi kloni. Në përfundim të hetimeve, u dërgua në gjykatë për dënim. Prokurori kërkoi dënimin me 12 vjet burgim, por gjykata e pangopur për dënimin e “armikut të klasës” e dënoi me 15 vjet.