1960/Gjendja katastrofale e arkivave të Shqipërisë

Filed under: Dossier,Koha e Komunizmit |

Nga: Kastriot Dervishi. Shpeshherë në postimet e mia kam theksuar se krimi i parë i komunistëve në drejtim të shkatërrimit të shtetit shqiptar ka qenë ai i shkatërrimit të arkivave. Ky shkatërrim erdhi sepse ky regjimi së pari hodhi në rrugë gjithë arkivistët që kishte vendi në atë kohë dhe i trajtoi dokumentet si mbetje të regjimeve të kaluara. Sidomos në 20 vitet e para të regjimit komunist katrahura në dokumente ka qenë e llahtarshme me pasoja të rënda për trashëgiminë historike të vendit.
Dokumenti bashkëlidhur është një ekstrakt nga një raport i vitit 1960 (pa datë), i Drejtorisë së Arkivave (në atë kohë në varësi të MPB-së) dërguar Byrosë Politike me firmën e ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu. Në këtë material flet për “gjendjen kaotike”, “mungesën e godinave”, “mungesën e kuadrit të kualifikuar”, duke dëshmuar mjerimin ku gjendej rrjeti arkivor i vendit. Në atë kohë gjendeshin 8.000 metër kub dokumente, prej së cilës vetëm 700 metër kub i përkisnin periudhës para vitit 1944. Pavarësisht kohës së largët edhe në vitet e tranzicionit janë dëshmuar të njëjtat defekte që dëshmohen me heqjen nga puna të arkivistëve për t’i gjetur punë injorantëve e parazitëve që nuk vlejnë për asgjë apo në mosinvestimin infrastrukturor në drejtim të arkivave.

Pjesë nga raporti i vitit 1960 për arkivat i Drejtorisë së Arkivave

Por duhet theksuar se arkivat shtetërore, kryesisht për një sërë shkaqesh të pavarura nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Arkivave, akoma janë në gjendje shumë të vështirë dhe po të vazhdohet praktika e dobët, e ngadalshme, e ndjekur deri në marrjen e masave kryesore për përmirësimin e punës së tyre organizative dhe sigurimin e bazave të domosdoshme materiale, me siguri fondi arkivor do të dëmtohet shumë rëndë, kështu që do të bëhet krejt e pamundur për ta riparuar, rikrijuar ose zëvendësuar në të ardhmen.

Nënvlerësimi i theksuar që u bëhet materialeve dokumentare nga titullarët e institucioneve të ndryshme dhe mungesa e marrjes së masave rrënjësore për organizimin dhe administrimin e mirë të arkivave të përkohshme kanë shkaktuar një grumbullim të çrregullt e pa evidenca të qindra metrave kub dokumentesh.